E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Përfaqësuesin e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Evaldas Ignatavitius

28 janar 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Përfaqësuesin e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, zotin Evaldas Ignatavitius dhe delegacionin që e shoqëron në këtë vizitë të tij në vendin tonë, të përbërë nga Ambasadori Eugen Volfart, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Rytis Paulauskas i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Lituanisë dhe Françesko Pagani, zyrtar i mbështetjes së politikave në Qendrën e Parandalimit të Konflikteve pranë OSBE-së në Vjenë.

Në këtë takim, Kryetari i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e OSBE-së përgjatë gjithë rrugës së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar për konsolidimin e institucioneve demokratike, krijimin dhe forcimin e shoqërisë civile, aftësimin profesional të administratës publike, funksionimin e shtetit ligjor sipas standardeve dhe parimeve demokratike. “Edhe këtë radhë vëmendja e faktorit ndërkombëtar është fokusuar në Shqipëri për shkak të situatës dhe klimës politike në vendin tonë, të rënduar së tepërmi sidomos për shkak të ngjarjeve tragjike të 21 janarit dhe për këtë gjendje ne ndajmë shqetësimin e jashtëzakonshëm”, - u shpreh Presidenti Topi.

Pasi nënvizoi qëndrimin e tij institucional dhe vullnetin maksimal për vendosjen e një dialogu të menjëhershëm mes partive politike në vend, të shoqëruar nga pjekuria, vizioni dhe toleranca politike, Presidenti Topi vuri në dukje se të gjitha këto duhet të nxiten dhe të udhëhiqen nga nevoja e qytetarëve shqiptarë për qetësi dhe stabilitet në shërbim të mirëqenies dhe një të ardhmeje të sigurt për ta. “Në momentet kur ne jemi kaq pranë realizimit të aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane është në detyrën dhe dinjitetin e gjithsecilit prej nesh të gjejmë forcën e vullnetin e duhur politik dhe të zbatojmë të gjithë mekanizmat ligjorë për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve që cënojnë të ardhmen tonë evropiane”, - u shpreh Kryetari i Shtetit. Në këtë pikë Kreu i Shtetit nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e madhe të zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, të paanshëm dhe transparent për ngjarjet e 21 janarit si dhe ruajtjen dhe respektin e plotë të institucioneve të pavarura kushtetuese, në mënyrë që gjithsecili prejt tyre të bëjë punën e vet dhe me përgjegjësi maksimale.

Nga ana e tij, zoti Ignatavitius nënvizoi rëndësinë që ka për zgjidhjen e situatës së rëndë ku gjendet vendi, gjetja imediate e gjuhës së përbashkët mes palëve, e vullnetit për një dialog sa më të shpejtë e konstruktiv në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë e po ashtu, heqja dorë e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë nga gjuha e urrejtjes, që mund të nxisë çfarëdolloj akti të dhunshëm, që cënon rendin publik, institucionet kushtetuese dhe stabilitetin, e për më tepër sigurinë e jetës për qytetarët shqiptarë.

I dërguari i posaçëm i Kryesisë së Radhës së OSBE-së ndau të njëjtën pikëpamje me Kreu e Shtetit shqiptar përsa i përket nevojës për një hetim tërësor e të paanshëm si dhe ruajtjes dhe respektimit të institucioneve të pavarura kushtetuese, duke patur parasysh edhe afrimin e zgjedhjeve vendore në maj si dhe përmbushjen e perspektivës integruese evropiane të Shqipërisë, duke siguruar njëkohësisht vazhdimësinë e mbështetjes e të ndihmesës së OSBE-së nëpërmjet pranisë së saj në vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›