Kryeministri Berisha përshëndet 1 vjetorin e krijimit të QKL-së
Frymëzimi për të ngritur një Qendër të tillë ishte para së gjithash, lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit.
Qeveria është e vendosur të marrë çdo masë, për të çrrënjosur, për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit.
Qendra është mesazhi më i shkëlqyer që ne i japim investitorëve të shumtë, të cilët e shohin Shqipërinë si një nga vendet më të përshtatshme në Europë për të investuar në fushën e energjisë.
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë me rastin e 1 vjetorit të krijimit të Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe njëkohësisht, fillimin e funksionimit të sportelit me një ndalesë për aplikimet energjetike. QKL është ngritur me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, nëpërmjet USAID, duke pasur si synim reduktimin e korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Ndërsa reforma në fushën e licencimit dhe hapja e sportelit me një ndalesë të aplikimeve energjetike pranë kësaj Qendre realizohet në bashkëpunim me qeverinë gjermane, nëpërmjet Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ).
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi 1 vjetorin e QKL-së një histori të vërtetë suksesi për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri, duke dhënë gjatë kësaj periudhe, në një kohë shumë të shkurtër e me kosto 1 euro, 3 mijë licenca. Frymëzimi për të ngritur një Qendër të tillë, tha Kryeministri, ishte para së gjithash, lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit.
“Qeveria ime, - tha Kryeministri - është e vendosur të marrë çdo masë, për të çrrënjosur, për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”.
Kryeministri Berisha përshëndeti edhe hapjen e sportelit me një ndalesë të aplikimeve energjetike pranë kësaj Qendre si një mesazh të shkëlqyer që i jepet investitorëve të shumtë, të cilët e shohin Shqipërinë si një nga vendet më të përshtatshme në Europë për të investuar në fushën e energjisë.
Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar zotërinj ministra,
Zoti ambasador i Republikës Federale Gjermane,
Zoti përfaqësues i Agjencisë Amerikane të Ndihmës dhe Zhvillimit (USAID),
Zonja Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Licencimit, Eneida Guria,
Të nderuar pjesëmarrës, punonjës të kësaj Qendra, drejtues të institucioneve të tjera,
Sot, ne jemi mbledhur këtu, për të kremtuar një vjetorin e një suksesi, jashtëzakonisht të rëndësishëm, për filozofinë e qeverisë sime, për biznesin shqiptar dhe ndërkombëtar në Shqipëri. Ne e kremtojmë sot, 1 vjetorin e Qendrës Kombëtare të Licencimit, pas një suksesi të vërtetë të kësaj Qendre, e cila, në sajë të punës e të përkushtimit të drejtueses Eneida Guria dhe të bashkëpunëtorëve të saj, ka pajisur në një vit, me 3 mijë leje dhe licenca qindra e mijëra investitorë shqiptarë dhe të huaj, në një kohë shumë e shumë herë më të shkurtër dhe gjithsej me një kosto 1 euro.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, Qendra Kombëtare e Lejeve dhe Licencave, në Europë, të kësaj natyre, janë ekzotike. Ato janë tentuar në shumë vende dhe kanë dështuar. Në Shqipëri, kjo është një sukses i vërtetë. Frymëzimi për të ngritur një Qendër të tillë ishte para së gjithash, lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit. Pas ngritjes së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, në kuadrin e një Programi të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, për të cilën unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë dhe taksapaguesve të shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeveria ime mendoi se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, për luftën kundër korrupsionit në fushën e biznesit, ngritja e Qendrës së Licencimit. Në këtë kontekst, ju drejtuam sërish Agjencisë Amerikane të Ndihmës dhe Zhvillimit Ndërkombëtar dhe patëm mbështetjen e saj. Theksoj edhe një herë se të pakta ishin vendet, të cilat e kishin sukses këtë institucion. Një prej tyre ishte Moldavia. Agjencia na mbështeti me një studim të këtij modeli. Ndërkohë Task Forca për derregullimin e tregut, në dhjetëra e dhjetëra mbledhje, takime, analiza ia doli që të reduktojë në 62 licencat dhe lejet, nga rreth 200 më parë, duke i shndërruar ato në vetëdeklarime dhe u përgatit i gjithë kuadri ligjor për 62 lejet dhe licencat që mbetën për t’u grupuar në këtë Qendër.
Nuk ka dyshim se lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet qëllimi më madhor i ngritjes së kësaj Qendre. Qeveria ime është e vendosur të marrë çdo masë, për të çrrënjosur, për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit. Korrupsioni është një fenomen që nuk zhduket dhe kjo e bën edhe më imperative luftën permanente kundër tij. Qeveria ka vullnet të hekurt në këtë luftë. Muajin e fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në vendin e dytë në Europë dhe Amerikën e Veriut për shërbimin ndaj administratës. Në këtë hapësirë, ka me dhjetëra vende që shërbimet ndaj administratës i kanë më të mira se Shqipëria, por këtyre vendeve u mungon diçka, të cilën Shqipëria e bëri e para dhe ky është prokurimi elektronik. Në fillim të vitit 2009, në një konferencë ndërkombëtare në Bruksel, po drekoja me themeluesin e Transparency International, i cili ishte njohur me këtë vendim të qeverisë. Në atë drekë, ai e lavdërojë shumë vendimin dhe e mbylli fjalën e tij me këto fjalë: kryetari im i bashkisë mund të kishte vendosur sistemin elektronik shumë vite para Shqipërisë, por ai nuk e ka bërë dhe nuk e bën këtë për arsye tërësisht të papranueshme. Ndaj unë jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se një nga një do të shqyrtohet çdo procedurë, në mënyrë që secila prej tyre të bëhet e papërshkueshme nga korrupsioni.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, ne inaugurojmë edhe një veprimtari të rëndësishme të kësaj Qendre, sportelin e vetëm për energjinë. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë GTZ-së, e cila me gatishmëri dhe shpejtësi të madhe iu përgjigj kërkesës së qeverisë, për të na ndihmuar për ngritjen e kësaj Qendre. Në procesin e ngritjes së impianteve energjetike nga burime të ndryshme, siç dihet, nevojiten licenca dhe leje të shumta. Ndërkohë Shqipëria ka bërë një progres të paparashikuar në fushën e energjisë. Në sajë të një ligji të mrekullueshëm të partneritetit publik privat, ligjit të koncesioneve, të punës me përkushtim të punonjësve të agjencive që varen nga Ministria e Ekonomisë dhe të tjera, në një hark kohor tre vjeçar, në vend janë licencuar dhe firmosur rreth 200 kontrata për hidrocentrale dhe për 36 prej të cilëve kanë filluar punimet. Ndër këta, edhe projekte ndër më të mëdhatë në Europë. Burimet energjetike të vendit janë shumë të mëdha, janë për t’u licencuar dhe firmosur kontrata për qindra hidrocentrale të tjerë, parqe gjigande eolike. Shqipëria mbetet e vendosur të shfrytëzojë të gjitha burimet potenciale të energjisë, për t’u shndërruar në një superfuqi rajonale energjetike. Qendra është mesazhi më i shkëlqyer që ne i japim investitorëve të shumtë, të cilët e shohin Shqipërinë si një nga vendet më të përshtatshme në Europë për të investuar në fushën e energjisë.
Edhe një herë dua të përgëzoj ekipin e kësaj Qendre, drejtoreshën, të cilët me guxim, ndershmëri e përkushtim e shndërruan atë, në 1 vjetorin e saj, në një sukses madhor të reformave në Shqipëri. Dua t’i garantoj se në betejën e tyre me burokracinë shqiptare, Kryeministri dhe qeveria do të qëndrojnë fuqishëm në anën e tyre. Faleminderit”.
08/06/2010