Presidenti Topi nuk dekreton Kodin e ri Zgjedhor, ka pasaktësi me datën e zgjedhjeve
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi vendosi ta kthejë edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Lajmi bëhet i ditur sot në faqen zyrtare të Presidencës, ku thuhet se ligji ka pasaktësi në përcaktimin kohor të datës së zgjedhjeve. Topi argumenton se pse zgjedhjet elektorale në vend nuk mund të mbahen në 15 mars-30 qershor 2009”
“Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij, sipas të cilit Presidenti nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Ky rregullim bie ndesh me nenin 8 të ligjit i cili ka parashikuar që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin të zhvillohen njëherësh në të gjithë vendin brenda periudhës 15 Mars-30 Qershor ose nga 15 shtatori-30 nëntor”.
Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëhere periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor”. Ligji ka përcaktuar detyrimin e Presidentit për nxjerrjen e dekretit të caktimit të datës së zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor (janë me pak se 9 muaj nis nga tani pasi ligji ka periudhën e tij të dekretimit, botimit në fletoren zyrtare dhe hyrejn në fuqi të tij). “Nuk ka mundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor”, thuhet në argumentin e Presidentit për Kuvendin.
“Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj, përfundon Topi.