Presidenti Topi përgëzon Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve vendore.

17 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu për organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit në Kosovë, në të cilin shprehet:
“I nderuar Zoti President,
I dashur mik,
Me gëzim të veçantë, në emër të popullit të Shqipërisë dhe timin personal, dëshiroj t’Ju përshëndes dhe t’Ju përgëzoj për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit, zgjedhjeve të para të pas pavarësisë së Kosovës!
Populli i Kosovës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse dhe strukturat organizuese të zgjedhjeve dëshmuan diten e dielë dhe më tej, pjekuri dhe përgjegjësi qytetare e politike, treguan në mënyrë të pakundërshtueshme se janë të aftë të ndërtojnë një shoqëri të barabartë dhe të lirë për shtetasit e saj.
Pjesëmarrja e lartë dhe gjithëpërfshirja etnike në këto votime janë gur prove se proceset e rendesishme te integrimit, të kohesionit dhe të harmonisë ndëretnike në shoqërinë e Kosovës kanë hedhur hapa konkretë, të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm.
Jam i bindur se, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, Kosova provoi rëndësinë e saj si faktor stabiliteti e sigurie në rajon dhe garantoi partnerët ndërkombëtare se është e vendosur në integrimin e saj euroatlantik.
Zoti President, dëshiroj edhe një hërë që në këto momente të rëndësishëm për popullin e Kosovës t’Ju shpreh qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në hapat e saj të njohjes ndërkombëtare dhe për të zhvilluar e thelluar marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve tona.” – thekson Kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e tij të urimit.