Presidenti Topi përshëndet punimet e Samitit Botëror për Sigurinë e Ushqimit.

16 nëntor 2009
Romë
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi po ndjek punimet e Samitit Botëror për Sigurinë e Ushqimit që mbahet në datat 16-18 nëntor në Romë, e organizuar nga FAO, Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara.
Në prani të përfaqësuesve të lartë të shteteve pjesëmarrës në këtë Samit, Kryetari i Shtetit mbajti fjalën përshëndetëse, në të cilën vlerësoi rolin e FAO-s për ndihmesën e rëndësishme të dhënë në drejtim të sigurisë ushqimore në mbarë globin. “Në emër të popullit shqiptar”, - u shpreh Presidenti Topi, - “bashkoj zërin tim me të gjithë ata që janë përpjekur e përpiqen për një të drejtë themelore të qënies humane: të drejtën e të ushqyerti dhe të sigurisë së ushqimit për çdo fëmijë dhe nënë të kequshqyer në zonat e varfëra rurale, urbane dhe viktimat e katastrofës në mbarë botën”.
Në vijim të fjalës, Presidenti i Republikës iu referua shifrave treguese të varfërisë në botë dhe nënvizoi se për të arritur angazhimet për forcimin e koordinimit dhe të qeverisjes së sigurisë së ushqimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të çrrënjosur efektivisht urinë botërore është diçka e domosdoshme që kërkon nga të gjithë veprime konkrete. “Njerëzit që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit na japin një mesazh të thjeshtë, të cilit duhet t’i përgjigjemi jo vetëm duke folur drejt dhe mirë, por duke vepruar gjithashtu drejt, mirë dhe për të mos shkelur hendekun midis asaj që themi dhe asaj që bëjmë”. Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje se është e domosdoshme që të nxiten vendimmarrësit që punët të shkojnë mirë për shtimin e investimit publik dhe privat në bujqësi për ta zhvilluar më shpejt dhe më tej atë dhe infrastrukturën në zonat rurale, që të rritet më tej aftësia e tyre productive, si dhe të rriten të ardhurat e fermerëve në të njëjtat nivele me ato të punëtorëve të sektorëve dytësorë dhe terciar të ekonomisë. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit nënvizoi se “heqja e tatimeve në eksportin e ushqimeve, si dhe disa shtrëngimeve të tjera që kufizojnë furnizimin me ushqim, do të bënin të mundur që monopolet dhe oligopolet të mos ushtrojnë më diktatin e çmimeve në treg. Një masë e tillë siguron zvogëlimin e varfërisë, rritjen e furnizimit të grupeve të popullsisë me të ardhura të pakta dhe largimin e tyre nga joshja e krimit të organizuar”, - u shpreh Presidenti Topi.
Në këto momente punimet e Samitit Botëror për Sigurinë e Ushqimit vijojnë. Çrrënjosa e urisë nga toka dhe gjetja e mënyrave për të garantuar që të gjithë të kenë të drejtën e ushqimit; vendosja e një sistemi më koherent dhe efektiv të qeverisjes së sigurisë ushqimore si në nivelin kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar; siguria për vendet në zhvillim që të kenë një shans të barabartë për konkurrencë në tregjet botërore të mallrave; përgatitja për të adaptuar ndryshimin e klimës dhe për të lehtësuar efektet negative; etj, janë disa nga çështjet kryesore që do të trajtohen gjatë diskutimeve në këtë Samit.