FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, BAMIR TOPI NË SAMITIN E FAO-S.

16 nëntor 2009
Romë
Të nderuar kryetarë shtetesh dhe qeverish,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Zonja dhe Zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë të falenderoj me gjithë zemër zotin Zhak Diuf për të pasur nderin që në emër të popullit shqiptar, të bashkoj me emocion të veçantë, zërin e vendit tim me të gjithë ata që janë përpjekur, po përpiqen dhe do të përpiqen për një të drejtë themelore të qenies humane: të drejtën e të ushqyerit dhe të sigurisë së ushqimit për çdo fëmijë dhe çdo nënë të kequshqyer në zonat e varfëra rurale dhe urbane, si për dhe viktimat e katastrofës në mbarë botën.
Duke konsideruar lart faktin e rreth 1 (një) miliard njerëzve që vuajnë nga uria kronike në Afrikën Sub – Sahariane, Azi dhe Pacifik, Amerikën Latine dhe Karaibe, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Afërt, e kudo tjetër, si dhe në vendin tim, për ta çrrënjosur totalisht të urinë në botë besoj se kërkohet jo vetëm sigurimi i një konsensusi të gjërë, por dhe intensifikimi i veprimeve konkrete për të ndalur si shkaqet ashtu dhe pasojat e varfërisë ekstreme dhe urinë
Çrrënjosja totale e urisë dhe të kequshqyerit është një betejë e vështirë që kërkon përpjekje dhe kontribute më të mëdha, sepse sa më të mëdha të jenë ato, veçanërisht ato të vendeve të zhvilluara, aq më shpejt do të përmirësohej qeverisja e sistemit botëror të ushqimit për të bërë realitet targetin e Samitit Botëror të Ushqimit të vitit 1996 në Romë, madje për të nxjerrë nga thonjtë e urisë sikundër parashikohet deri në vitin 2015 më shumë se 425 milion njerëz.
Për të arritur qëllimet, për të cilat jemi angazhuar njëzëri, për forcimin e koordinimit dhe qeverisjes së sigurisë së ushqimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duhet të provojmë se e drejta e sigurisë për një masë të sigurt ushqimi me vlera të mjaftueshme ushqyese të jetë diçka që, gradualisht, të shihet dhe preket me dorë nga armata e madhe e 1 (një) miliard të uriturve dhe të kequshqyerve në botë.
Jam i bindur se duke vazhduar ta konsiderojmë ushqimin dhe bujqësinë prioritet në axhendën ndërkombëtare, ashtu sikurse u riafirmua në vitin 2000 në Samitin e Mileniumit në Nju Jork dhe të marrim angazhime për të çrrënjosur efektivisht urinë botërore, si diçka të domosdoshme, kërkon nga të gjithë ne veprime konkrete dhe të krahasueshme për të arritur qëllimet që kemi vendosur në kohën e duhur.
Njerëzit që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit na japin një mesazh të thjeshtë të cilit ne duhet t’i përgjigjemi jo vetëm duke folur drejt dhe mirë, por gjithashtu duke vepruar drejt, mirë nëse duam që të mos thellohet hendeku midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet.
Të gjithë kemi nevojë për më shumë kurajë, për këtë cilësi njerëzore që konsiderohet si një cilësi që garanton të gjithë cilësitë e tjera; pra kuraja është ajo që na duhet për qëndrime dhe fjalë të drejta; është gjithashtu ajo që duhet për të vepruar me kujdes, por dhe me durim.
Me përpjekjet tona duhet t’i nxisim vendim – marrësit për shtimin e investimit publik dhe privat në bujqësi, në infrastrukturën në zonat rurale, që të zhvillohet më shpejt dhe më tej prodhimi bujqësor, në krahasim me atë që kemi arritur deri tani, që të rritet më tej aftësia e saj produktive, si dhe të rriten të ardhurat e fermerëve në të njëjtat nivele me ato të punëtorëve të sektorëve dytësor dhe terciar të ekonomisë në vendet tona.
Duke falenderuar FAO – on në mënyrë të veçantë për ndihmën që ka dhënë, ripohoj se siguria e ushqimit mbi të gjitha mbetet përgjegjësi kombëtare, përgjegjësi mbi të cilën Shqipëria ka mbështetur strategjinë dhe planet për adresimin e sfidave të sigurisë së ushqimit me qëllim që çdo fëmijë dhe çdo nënë të gëzojë të drejtën e sigurimit të një ushqimi me vlera të mjaftueshme ushqimore, si dhe përgatitjet për adaptimet e nevojshme për të lehtësuar efektet negative të ndryshimit të klimës.
Ne mbështesim Deklaratën e Përbashkët të “L’Aquila” mbi Sigurinë Globale të Ushqimit, të G8, të disa vendeve, organizatave rajonale dhe institucioneve ndërkombëtare në Korrik 2009, për të mobilizuar 20 miliard USD si dhe rezultatin e Samitit të G20 në Pitsburg si hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur dhe me këtë rast i bashkohem thirrjes që vendet e zhvilluara të sigurojnë mbështetjen e domosdoshme në linjë me Deklaratën e Parisit dhe Axhendën për Veprim të Akrës.
Nga ana tjetër do të desha të përsëris se heqja e tatimeve në eksportin e ushqimeve, si dhe disa barrierave të tjera që kufizojnë furnizimin me ushqim, do të bëntë të mundur që monopolet dhe oligopolet të mos ushtrojnë më diktatin e çmimeve në treg, sepse një masë e tillë do të siguronte zvogëlimin e varfërisë, rritjen e furnizimit të grupeve të popullsisë me të ardhura të pakta dhe largimin e tyre nga veprimtaritë e krimit të organizuar.
Pas Samitit të G20 në Londër dhe në Pitsburg, ne po angazhohemi në përpjekje më të mëdha në kooperimin për të luftuar terrorizmin, trafikun e njerëzve, veçanërisht të grave dhe të fëmijëve, trafikun e armëve, piraterinë etj. Por që përpjekjet tona për çrrënjosjen e urisë dhe të keqyshqyerit në botë të jenë efektive dhe efiçente duhet ta përfshijmë ato në synimet në strategjinë tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar ndërmjet kombeve.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të kënaqemi me atë që kemi bërë në të kaluarën ose te ajo që kemi arritur deri tani, por duhet të përpiqemi më shumë që ta ndryshojmë të ardhmen e njerëzve që vuajnë nga uria dhe të kequshqyerit, sepse ndryshimi është ligj i jetës që kërkon ndryshimin e veprimeve tona për të ardhmen e afërt dhe më tej.
Ju falemnderit!