Presidenti Topi përshëndet Konferencën Ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: historia dhe imazhi”.

28 maj 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ishte sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare me temë: "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu: historia dhe imazhi", mbajtur në mjediset e “Hotel Adriatiku” në Durrës, të organizuar nga universiteti “Marlin Barleti” dhe Qendra e Studimeve Albanonologjike. Në këtë veprimtari shkencore ishin të pranishëm gjithashtu personalitete të njohura, akademikë dhe studiues të historisë dhe të albanologjisë si Prof. Dr. Nikolla Dhamo, Prof. Dr. Ardian Marashi, Prof. Dr. Selim Daci, nga Universiteti i Prishtinës, Prof. Dr. Ferit Duka, Prof. As. Dr. Aurel Plasari, Prof. Dr. Luan Malltezi, Prof. As. Dr. Muhamet Mala, nga Universiteti i Prishtinës, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse të kësaj konference, Kryetari i Shtetit u shpreh:
“Sot kam kënaqësinë e madhe të jem mes jush në këtë ngjarje shkencore të një rëndësie të veçantë për historinë e shqiptarëve. Që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figura themelore e historisë sonë kombëtare këtë tashmë askush nuk e vë në dyshim, por koha që po kalon dhe studimet gjithnjë e në rritje po konfirmojnë figurën e tij si njëri ndër udhëheqësit ushtarakë e politikë më të spikatur të kohës kur jetoi, madje edhe të veshur me tiparet e humanizmit që sapo kishte filluar të lindte në Evropën e asaj kohe.
Për shqiptarët Skënderbeu është emocion, krenari dhe model i përjetshëm, ose siç thoshte Kuteli: “Skënderbeu tek ne do të thotë bar, lule, mal, fushë do të thotë gjithçka dhe prandaj në fëmijëri jemi rritur me tregimet për të, në rini jemi mburrur me bëmat e tij, ndërsa në pleqëri nuk mundemi veçse ta admirojmë”.
Që nga Rilindja e këtej vlerësimi dhe rivlerësimi i kësaj figure madhore kanë pasuar njëri-tjetrin dhe tashmë mund të pohojmë se vetë Rilindja jonë kombëtare nuk bënte dot pa të. Kujtimi dhe luftërat e tij u bënë kryetema e këtyre lëvizjeve që i motivuan shqiptarët në përpjekjet e tyre për Pavarësi dhe shtetformim. Një marrëdhënie e tillë ishte dialektike, sepse Gjergj Kastrioti hodhi themelet e një shteti të njësuar nëpërmjet një procesi ende të pastudiuar deri në fund për ne – atij të shndërrimit të fiseve në një formacion shtetëror.
Kështu thelbi identitar i këtij kombi gjeti tek figura e Skënderbeut edhe vetëdijen e tij bashkëkohore, kauzën e shenjtë të nderit të ngjizur me lirinë, aq sa Naimi i frymëzuar nga kjo e kaluar e lavdishme iu drejtua bashkëkombësve me fjalët “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”, sepse ishte pikërisht Shqipëria e Skënderbeut që revokohej nga rilindasit si shtysë shpirtërore e politike për rizgjim kombëtar.
Shqiptarët, si çdo popull tjetër duhet ta njohin thellë dhe me profesionalizëm historinë e tyre, sepse ai që nuk e njeh atë, është i fatthënë të gabojë, por gjithashtu i privuar të mos e përfytyrojë siç duhet të ardhmen e tij.
Në këtë këndvështrim ky burrë i madh, shpirti i historisë së Mesjetës së vonë, edhe sot e kësaj dite me veprën e tij na bën të mendojmë se shqiptarët të bashkuar në mendim e në veprim mund t’u bëjnë ballë problemeve, sfidave dhe enigmave që e sotmja dhe ardhmja u vënë përballë.
Skënderbeu për ne shqiptarët është vetë liria, duke na mësuar me 25 vitet e qëndresës së tij të paepur se ajo është e shenjtë dhe patjetërsueshme. Me rezistencën e tij ai u bë pengesë e fortë kundër vendosjes së sundimit otoman në Ballkan, por padyshim edhe një barrierë e vërtetë ndaj kërcënimit, me të cilin sapo kishte filluar të përballej Evropa.
I pajisur jo vetëm me dhuntitë e strategut ushtarak, por edhe me një largëpamësi politike të rrallë, sikundër vëren Montaneli aty nga mesi i viteve ’30-të shekullit të kaluar duke e quajtur “Poeti i diplomacisë shqiptare”, ai nuk hezitoi të bëhej pjesë e koalicioneve evropiane kundër rrezikut otoman.
Natyrisht në këtë rol ai nuk qe vetëm një aleat, por dhe pikë referimi e fuqive evropiane të kohës: e Mbretërisë së Napolit, Papatit, Republikës së Venedikut, etj., të cilat e shpallën Komandant të forcës së tyre të bashkuar. Ky realitet i tejkaloi shekujt duke e transformuar në personazh herë historik e herë letrar të mbi 1700 librave, që Evropa ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë për heroin e vet!
Ne duhet ta pranojmë se atëherë kur errësira e pushtimit luftonte kundër kujtesës dhe stimulonte harresën, humanistët dhe iluministët evropianë mbanin gjallë në shumë forma emrin, veprën dhe famën e tij. Për këtë ne u jemi pafundësisht mirënjohës atyre!
Skënderbeu qe dhe mbetet njëkohësisht hero shqiptar dhe hero evropian. Këtu e pesë shekuj të shkuar, shqiptarët dhe prijësi i tyre ishin pjesë integrale e popujve dhe e familjes evropiane, madje ishin krenaria e kontinentit.
“Duke ndjekur aleancat e të madhit Skënderbe”, siç shprehej Presidenti Rugova, pas shumë përpjekjesh, ia kemi dalë të jemi anëtarë të NATO-s, aleancës më të madhe politiko-ushtarake të lirisë e demokracisë dhe natyrshëm të bëjmë hapa të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian, familjes natyrale së cilës i përkasim.
Të nderuar studiues,
Për të njohur nga afër personalitetin më të rëndësishëm historik të kombit sonë përpjekjet janë shumë të hershme, madje duke filluar nga bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarët e tij. Albanologët më të rëndësishëm nuk i shpëtuan tundimit që në periudha të ndryshme të aktivitetit të tyre t’i kushtojnë vëmendje jetës dhe bëmave të heroit tonë kombëtar.
Por sot më së pari, do të desha të ndalesha në dy konferencat e organizuara në Tiranë, e para në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes dhe dyta në vitin 2005, në 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut. Ato mendoj se shënojnë një arritje të rëndësishme drejt thellimit të studimeve historike mbi këtë personalitet jetëdhënës të kombit tonë!
Përfitoj nga rasti sot që nga kjo foltore t’u përcjell përshëndetjet e mia të gjithë atyre studiuesve të rinj shqiptarë që tentojnë t’i qasen Skënderbeut. Iu them atyre vazhdoni me këmbëngulje, sepse të pakta janë rastet në histori ku madhështia dhe virtyti, humanizmi dhe qëndresa, liria dhe identiteti dhe Evropa si truall i përbashkët bashkohen duke formësuar tiparet e një epoke dhe të një individi në emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Të nderuar miq,
Është kënaqësi e vazhdueshme të vëresh që Skënderbeu vazhdon të zgjojë një interesim shumë të madh edhe në mes të studiuesve dhe albanologëve të huaj. Ai me personalitetin e tij të fuqishëm iu imponua kohës së tij, siç duket edhe sot e kësaj dite ai vazhdon t’i bëjë kuriozë njerëzit e arkivave e vazhdon t’i mahnisë ata dhe, në shumicën e rasteve, t’i shndërrojë në mbështetës të kauzës që ai përfaqëson!
Gjithashtu jam i bindur se konferenca që ju keni organizuar është një kontribut i mëtejshëm në këtë drejtim, një rast i shënuar në të cilin ju mund të ballafaqoni mendimet, pikëpamjet dhe arritjet më të fundit shkencore mbi Heroin tonë kombëtar.
Kam besim të plotë në suksesin e kësaj konference dhe duke përfunduar, me lejoni të citoj atin e shkencës dëshmuese të Skënderbeut, Marin Barletin, i cili fjalët e prijësit, me vlerën e një testamenti që sfidon çdo kohë, i sjell kështu: 'Jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe me gjak! Padyshim të gjitha këto unë kurdoherë i kam patur për zemër dhe për to kam derdhur tërë zotësinë time dhe jam përpjekur me mish e me shpirt'.
Këto janë fjalët e të nderuarit, e të madhit Marlin Barleti, i cili mbetet besoj personazhi më autentik, që kur e sjellim në vëmendje, padyshim sjellim në vëmendje dhe heroin tonë kombëtar. Jo rastësisht, duke parë këto libra, më vjen në memorie fëmijëria ime, sepse kanë qenë libra me të cilët jemi rritur, jemi edukuar, dhe sot në këtë konferencë të nderuar, kemi sjellë në vëmendje dhe një sinjifikant të veçantë, sepse universiteti juaj, që mban këtë emër, para së gjithash e ka detyrim dhe me sa duket e ka shlyer këtë detyrim për t’u marrë sërish më figurën e Skënderbeut, për të sjellë materiale shumë të rëndësishme në memorien historike dhe padyshim, duke iu referuar studimit dhe referimit të zotit Daci, na sjell në një periudhë që nuk ka qenë shumë e referuar për të sjellë në mënyrë shumë kompatibël edhe periudhën e Skënderbeut.
Edhe një herë ju falënderoj për ftesën dhe i uroj suksese kësaj konference të rëndësishme!"