E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Konferencën Shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabejt.

10 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë sot në Konferencën Shkencore kushtuar 100-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, Profesor Eqrem Çabej.

Nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe me institucione të tjera shkencore e të arsimit të lartë, organizuan sot në Pallatin e Kongreseve, Konferencën Shkencore me temë: “Eqrem Çabej dhe vendi i tij në shkencat albanologjike”.

Fjalën e hapjes e mbajti akademiku Teki Biçoku, i cili vuri në dukje vlerat e patjetërsueshme të profesor Çabejt, kontributin e vyer e të çmuar të tij në studimet mbi gjuhën shqipe.

Më pas, Presidenti Topi, në fjalën përshëndetëse me këtë rast, duke vlerësuar jetën dhe veprën shkencore të profesor Çabejt si të lidhura pazgjidhsmërisht me jetën e kombit, me gjuhën shqipe dhe popullin që e flet, theksoi se botimi i plotë i veprës së parë të shkruar në gjuhën shqipe është meritë e dijetarit të shquar Çabej.

Gjithashtu, Presidenti Topi u ndal në prodhimtarinë e vyer të librave, artikujve e kumtesave të profesor Çabej, në punën e madhe të tij në hulumtimin e shkrimeve të vjetra dhe të dialekteve kudo ku flitej gjuha shqipe, në studimet me ngulm të historisë së gjuhës, por dhe në dashurinë e madhe që shfaqte profesori i shquar për gjuhën shqipe, duke ngritur lart vlerat e saj. “Vepra e Çabejt mbetet aktuale kur gjuha shqipe përpiqet të ruajë identitetin e vet duke u mbrojtur nga forca integruese të globalizmit”, theksoi mes të tjerash Presidenti Topi.

Në Konferencën Shkencore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabej, mbajtën kumtesa akademikë të mirënjohur nga vendi e Kosova, si: Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku Rexhep Ismajli, akademikët Shaban Demiraj dhe Idriz Ajeti; etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›