E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi përshëndet Kongresin e Parë Mbarëshqiptar në fushën e Stomatologjisë.

29 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në Kongresin e Parë Mbarëshqiptar në fushën e Stomatologjisë, i cili zhvillon punimet në datat 29-31 tetor në Tiranë, organizuar nga Departamenti i Stomatologjisë i në bashkëpunim me Shoqatën e Stomatologjike Shqiptare, si edhe me Shoqatën e Stomatologëve të Kosovës dhe atë të Maqedonisë. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin gjithashtu profesorë dhe specialistë të shquar në fushën e stomatologjisë, përfaqësues të departamenteve të stomatologjisë në universitete të tjera nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, etj.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i Shtetit vlerësoi punën dhe kontributin e brezave të tërë të profesorëve, mjekëve stomatologë dhe ekspertëve të tjerë të fushës së stomatologjisë. Ndër të tjera Presidenti Topi u shpreh:

“Mirëmbrëma të gjithëve!

E nderuara zonja Zëvendësrektore,
I nderuar zoti Dekan,
E nderuar zonja Qafmolla,
Të nderuar miq të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe nga përtej kontinentit evropian,
Një përshëndetje të gjithëve,

Në përgjithësi konferencat ndërkombëtare zgjedhin edhe gjuhën ndërkombëtare. Kjo gjë mesa duket nuk është kompatibël me atë çfarë ne shohim të shkruar në logo. Gjithësesi duhet të respektojmë miqtë tanë që na kanë ndihmuar në vitet më të vështira të tranzicionit. Kështu që në gjuhën internacionale unë do të përshëndes në mënyrë të veçantë zotin Xhon Gilan, i cili ka qenë pikë referimi për të gjithë ju. Nëse do të kalonim në referenca të këtij termi unë do ju falenderoja përzemërsisht edhe në kuptimin figurativ simbolik, sepse ju të gjithë profesionistë të nderuar keni kuruar gjatë gjithë jetës suaj një mjedis, një strukturë anatomike që na ka bërë të gjithëve që të mbajmë gjallë sot gjuhën që na bashkon sot bashkë, gjuhën shqipe.

Unë e di shumë mirë, sikurse dhe ju e dini që një ndër parimet themelore të fiziologjisë është struktura dhe funksioni. Pra, struktura përcakton funksionin dhe funksioni përcakton strukturën. Por ju keni kaluar përtej këtij parimi, sepse ju keni siguruar strukturën anatomike, e korrigjoni atë kur është e nevojshme, siguroni funksionin që është shumë i rëndësishëm, por na jepni shansin dhe për një element tjetër që është elementi estetik.

Ne të gjthë flasim me terminologjinë e konferencave dhe mbajtja e këtij kongresi është një eveniment shumë i rëndësishëm. Në këtë ambjent janë zhvilluar sigurisht shumë kongrese. Kanë qenë kongrese të natyrës politike kryesisht. Por ky kongres ka një simbolikë të veçantë. Ky kongres është organizuar nga profesionistë dhe më lejoni ta shpreh ashtu si dhe e ndjej. Rrallë, shumë rrallë në ambjente profesionale ka një solidaritet thuajse unanim kur vjen puna për të përgëzuar organizatorët. Ajo që është shkruar se kjo veprimtari është organizuar nën kujdesin e Presidentit mund edhe të mos ishte. Unë thjesht kam bërë një gjest inkurajimi që do e bënte çdo qytetar. Gjithçka është organizuar prej jush dhe ju i keni dhënë një dimension jo thjesht profesional dhe ju e kuptoni fare mirë se çfarë do të thotë të futesh në një kontekst politiko-rajonal. Kështu që duhet t’ju falenderoj nga zemra që keni arritur të gjeni gjuhën e komunikimit profesional dhe mbas katërmbëdhjetë konferencave të vini në kongresin e parë të stomatologjisë mbarëshqiptare. Secili prej jush, kudo ku keni ushtruar aktivitetin tuaj, e di më mirë se kushdo tjetër se si e ka ushtruar këtë aktivitet në fillim. Secili kujton vitet e para të demokracisë në Shqipëri. Do të përdorja termin jo fort të këndshëm, në kushte skandaloze. Falë reformave natyrisht, falë përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj ju ditët të ecni me hapa të sigurtë për të ndërtuar një sistem tek i cili duhet të referohen të gjithë të tjerët.

Zotit Priftanji, mikut tim, vetëm i vjen mirë, natyrisht nuk i vjen keq sikur unë në mënyrë krahasimore, pa dashur të citoj pjesën tjetër të mjeksisë, mendoj se të gjithë kanë ku të marrin shembull. Ky është rast elokuent ku të gjithë profesionet duhet t’i referohen profesionit të stomatologut në Shqipëri dhe organizimit të tij. Do ju them diçka që është reale. Në këto kushte kur bota është globale dhe mundësitë për të lëvizur natyrisht që janë, njerëzit ndonjëherë preferojnë të ikin dhe për gjëra të thjeshta në klinika të specializuara jashtë Shqipërisë. Unë kam disa miq italianë dhe në kontekstin në të cili unë po flas preferojnë të kurohen në klinikat stomatologjike në Shqipëri. Nuk e teproj me këtë që thashë. Nuk e bëra për një fjalim populist, apo për të bërë elozhe. Ky është një tregues i qartë se si ka ardhur shërbimi stomatologjik në Shqipëri. Dhe vit pas viti, kohë pas kohe, nga konferenca profesionale sot vijmë në një kongres të parë të stomatologjisë ku janë tejkaluar interesat komerciale dhe jemi vetëm në fushën e profesionalizmit, pra në linjën e së vërtetës. Unë ju uroj, sepse ju e keni fituar betejën e parë me tregun e lirë. Dhe ky është një shembulli i qartë që linjat e një privatizimi të studiuar sjellin një sukses të garantor.

Unë dëshiroj që të përshëndes në mënyrë të veçantë dhe të falenderoj që kanë qenë pjesë e këtij organizimi të gjithë stomatologët që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga mbarë globi ku jetojnë profesionistë stomatologë. Pa e zgjatur fjalën time, ne natyrisht që kemi tipare fisnike si popull dhe unë dëshrioj që në radhë të parë të falenderoj ata që vijnë nga larg. Unë për t’i nderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar shërbimin stomatologjik në Shqipëri, edhe me kërkesën tuaj kam zgjedhur një njeri për ta dekoruar dhe ky është pikërisht ai që e përmenda që në fillim, profesor Xhon Gillan. Dhe meqënëse veprimet vlejnë më shumë se fjalët, unë po e mbyll këtu fjalën time, duke ju falenderuar për ftesën, për të gjithë këtë organizim dhe duke ju uruar sukseset më të mira për këtë konferencë!”

* * *

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Topi në shenjë nderimi dhe respekti për profesionistët e fushës së stomatologjisë dhe ndihmës së pakursyer të miqve ndërkombëtarë dekoroi Dr. Xhon Gilan “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e konferencave kombëtare shqiptare të stomatologjisë, si dhe në formimin professional të studentëve shqiptarë në fushën e stomatologjisë”.

Nga ana e tij, Dr. Xhon Gilan u shpreh se ky nderim i shkon punës dhe bashkëpunimit shumë të vyer që përgjatë gjithë kësaj kohe ai ka patur me mjekë, doktorë e profesorë stomatologë shqiptarë të një përgatitjeje profesionale të admirueshme nga të gjitha trevat shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›