E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të “Kartës Adriatik” - SHBA

9 dhjetor 2011
Durrës

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare mori pjesë sot paradite në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të “Kartës Adriatik” – SHBA, të organizuar në mjediset e “Hotel Adriatikut” në Durrës. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm gjithashtu Komandanti i Komandës së Aleancës për Operacionet në Evropë të NATO-s, Admirali Xhejms Stavridis, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Presidenti i Republikës, duke e përshëndetur këtë takim të evidentimit dhe të shpalosjes së sfidave të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike, si dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor u shpreh:

“I nderuar zoti ministër Imami,
I nderuari Admiral Stavridis,
Të nderuar ministra,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja e zotërinj,

Kam kënaqësinë e dyfishtë: si President i Shqipërisë dhe si përfaqësues i vendit mikpritës, të përshëndes këtë mbledhje të rëndësishme me pjesëmarrjen e niveleve më të larta ministrore të pesë vendeve të rajonit.

Ky takim, ashtu si edhe takime të tjera periodike në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe sektorëve të tjerë qeverisës, vjen si një shprehje e qartë e realitetit të ri rajonal, - bashkëpunimit intensiv dhe të natyrshëm midis vendeve tona. Gjatë funksionit tim presidencial kam pasur rastin të takohem disa herë me kryetarët e shteteve të secilit vend pjesëmarrës, të ndajmë së bashku problematika, shqetësime e projekte të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë, dhe kështu, të krijojmë një traditë të dialogut produktiv në nivelet më të larta. Samiti ministror e konfirmon këtë model bashkëpunimi, ndaj më lejoni të vlerësoj lart përkushtimin dhe angazhimin serioz të qeverive respektive në funksion të rritjes së klimës koordinuese dhe bashkëpunuese në çdo aspekt të mbrojtjes dhe të sigurisë.

Pas fazës së zgjerimit të NATO me dy anëtarë të rinj të nismës së Ballkanit Perëndimor rajoni ynë ka tashmë më shumë avokatë të problematikave të tij në NATO dhe në gjithë plan-veprimet e saj. Shqipëria konfirmon mbështetjen e plotë dhe dëshirën e madhe që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe shtetin më të ri, Kosovën, të bëhen pjesë e projektit të përbashkët euroatlantik. Bindja jonë është se integrimi i të gjitha vendeve në NATO, përbën një garanci reale për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik afatgjatë në të gjithë rajonin. Përvoja e deritanishme me vendet tona është dëshmi e kësaj bindjeje, por edhe e suksesit të politikës së dyerve të hapura të NATO ndaj çdo vendi tjetër aspirant.

Në agjendën tuaj ju keni çështje konkrete të bashkëpunimit reciprok në fushën e sigurisë. Ministri Imami dhe delegacioni i tij do të jenë pjesë e diskutimeve konkrete në secilën prej tyre. Unë shfrytëzoj rastin për të nxjerr në pah eksperiencën e deritanishme pozitive në misionet tona paqeruajtëse në disa vende të botës, si dhe modelin e shkëlqyer të komunikimit ndër rajonal jo vetëm në nivel politik, por edhe në çështje konkrete të bashkëpunimit ushtarak. Vitet e fundit shumica e vendeve tona kemi pasur nevojë për mbështetje dhe shkëmbime reciproke në aspekte që lidhen edhe me rreziqet e reja të fatkeqësive natyrore apo në ato që tashmë bëjnë pjesë në planveprimet e përbashkëta ndaj rreziqeve të sigurisë.

Shqipëria ka paraqitur një propozim konkret dhe kam bindjen se përmes projekteve të tilla të përbashkëta për rritjen e kapaciteteve teknike dhe të bashkëveprimit, vendet tona mund të bëjnë akoma më shumë për të qenë parandalues dhe neutralizues në kohë të çdo kërcënimi që lidhet sidomos me emergjencat civile.

Çështjet e sigurisë nuk lidhen vetëm me misionet paqësore, përgatitjet ushtarake apo financimin e mjaftueshëm politik e ekonomik. Ato lidhen edhe me standardet më të gjerë të demokracisë, fushë që përmbledh një sërë sektorësh të tjerë dhe që përbën edhe më tej një prej sfidave kryesore të bashkëpunimit rajonal. Le të shohim ngjarjet në Kosovën veriore për të sjell ndërmend faktin se ende ka politika dhe qarqe të cilat të ardhmen e shohin përmes projekteve nacionaliste duke cenuar parime e vlera të shenjta për demokracinë. Me rëndësi themelore mbetet një vullnet i qartë politik refuzues ndaj çdo projekti të tillë, izolimi i çdo ideje që tenton të rishpallë dhe rivendosë vija ndarëse etnike dhe mbështetja e çdo politike e qëndrimi që e sheh të ardhmen aty ku të gjithë popujt tanë duan. – në bashkimin e plotë me vlerat, parimet euroatlantike.

Si vende me një përvojë dramatike në sistemin e kaluar dhe gjatë dekadës së parë të tranzicionit ne mund të bëjmë akoma më shumë për një rol aktiv dhe mirëkoordinuar në ndarjen e përvojës pozitive të tranzicionit në vendet ku Aleanca është e angazhuar. Shqipëria do të jetë aktive në misionet e saj paqeruajtëse në Afganistan dhe në çdo projekt tjetër në kuadër të NATO-s. Për ne mbetet e rëndësishme forcimi më tej i marrëdhënieve edhe me vendet e tjera në NATO, sidomos me partnerin kryesor mbështetës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me vende të tjera me rol inspirues në NATO. Falë ndihmës së tyre shumëvjeçare rajoni ynë sot përbën një realitet normal evropian, falë ndihmës së tyre Shqipëria është sot edhe anëtar në NATO, falë mbështetjes së tyre rajoni ynë mund të bëjë akoma më shumë përpara në funksion të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë.

Zonja e zotërinj,

Më lejoni edhe njëherë t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju përshëndes juve, dhe përmes jush kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve tuaja për sukseset e arritura dhe vullnetin e përbashkët të thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen!

Suksese në punimet e konferencës!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›