E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Abdulaziz al-Abdulkarim.

23 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Abdulaziz al-Abdulkarim, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Në këtë takim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite dhe shprehën besimin për vazhdimësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Presidenti Topi vuri në dukje vullnetin e palës shqiptare në mbështetje të intesifikimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjelltë, sidomos në kuadrin ekonomik, ku Shqipëria mirëpret investime nga sektori privat saudit. “Në këtë drejtim”, - u shpreh Kryetari i Shtetit, - “një rol të rëndësishëm ka edhe veprimtaria e përfaqësuesit diplomatik të Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë”, duke i uruar njëkohësisht z. Abdullah Abdulaziz al-Abdulkareem suksese në përmbushjen e kësaj detyre dhe duke e siguruar që do të gëzojë mbështetjen e plotë të Presidentit.

Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave mes dy vendeve tona në nivelet më të larta dhe i kërkoi Ambasadorit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Arabisë Saudite që t’i përcjellë përshëndetjet më të ngrohta dhe të sinqerta Madhërisë së Tij, Mbretit Abdullah së bashku me ftesën dhe dëshirën për ta takuar gjatë një vizite zyrtare në Tiranë.

Kreu i shtetit shqiptar duke diskutuar për situatën në rajon dhe rolin moderues e të rëndësishëm të faktorit shqiptar, theksoi se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj si një shtet i lirë, sovran dhe demokratik nga një numër gjithnjë e në rritje vendesh anembanë botës, Ballkani është projektuar drejt integrimit të familjen e madhe europiane dhe strukturat euro-atlantike. Presidenti Topi vlerësoi prononcimin e Arabisë Saudite se do të njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës.

Nga ana e tij, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, shprehu mirënjohjen për pritjen e ofruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Duke parashtruar disa nga përparësitë e aktivitetit të tij diplomatik në vendin tonë, z. Abdullah Abdulaziz al-Abdulkarim theksoi angazhimin e tij maksimal për të përmbushur me sukses misionin e tij në shërbim të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›