E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Presidentin Perez, drejtues dhe ish-futbollistë të Klubit Sportiv spanjoll “Real Madrid”.

20 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Presidentin Florentino Perez, drejtues dhe ish-futbollistë të Klubit Sportiv spanjoll të Real Madridit, të cilët janë në Tiranë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin tonë të futbollit “Gramozi”. Fondet e mbledhura nga zhvillimi i kësaj ndeshjeje miqësore do të shkojnë në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në veriperëndim të vendit. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse.

Pasi u përshëndet dhe i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Presidentit të këtij klubi futbollistik, Florentino Perez, trajnerit të ekipit “Real Madrid”, Manuel Pelegrini, si dhe disa prej drejtuesve dhe ish-futbollistëve të kësaj skuadre, të mirënjohur nga dashamirësit dhe tifozët e futbollit në mbarë botën për talentin dhe virtuozitetin e tyre si Emiljo Butragenjo dhe Horge Valdano, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi mesazhin e madh njerëzor të solidaritetit për zonat e përmbytura në very të Shqipërisë, së cilit i bashkangjitet edhe skuadra legjendare e Realit të Madridit.

Nga ana e tyre, Presidenti i Realit dhe drejtuesit e përfaqësuesit më të spikatur të Klubit madrilèn e falenderuan Kreun e shtetit për mikpritje, duke theksuar se “është shumë e vështirë të marrësh kaq shumë kënaqësi në kaq pak kohë” dhe i dhuroi Presidentit Topi një fanelë të ekipit me emrin e tij dhe numrin 10.

Kreu i shtetit mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën u shpreh:

“Të nderuar përfaqësues të medias,

Kam kënaqësinë e veçantë që në prani të Presidentit të Real Madridit, zotit Florentino Perez, në prani të Ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Shkëlqesisë së Tij, zotit Montobio, në prani dhe të përfaqësuesve më të lartë të klubit të Real Madrid i jap mesazhin e mirëseardhjes të këtij klubi historik, i cili padyshim po përjetohet me shumë interes jo thjesht nga sportdashësit, por nga e tërë shoqëria.

I nderuar President Perez,

Në takimin që patëm pak më parë unë u shpreha që futbolli sot nuk është thjesht sport. Futbolli dhe çdo lloj sporti është mision i madh qytetar dhe kjo vlen më shumë për një klub historik siç është Reali i Madridit. Ne ju falenderojmë që jeni të pranishëm në Tiranë dhe ky event koinçidon me atë raport të shkëlqyer që ne kemi me Spanjën, e cila në këtë periudhë kryeson edhe Presidencën e Bashkimit Evropian!

Ju vini në një moment kur Shqipëria është tërësisht e fokusuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Kështu që edhe ky eveniment e forcon imazhin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ju e dini fare mirë që kemi edhe një mision tjetër, në kohën kur Veriun e Shqipërisë ka mjaft zona të përmbytura, të cilat gradualisht po dalin nga ajo situatë, ju vini edhe për të shprehur solidaritetin. Ky solidaritet ekziston edhe tek ne në favor të institucioneve të përmbytura. Një element të ri solidariteti e mësova edhe pak minuta më parë, për të cilin ju falenderoj shumë edhe në emër të banorëve të atyre zonave, të cilët me shumë fisnikëri dhe kurajo e përballuan këtë situatë dhe kjo është arsyeja që ata meritojnë solidaritet gjithnjë e më shumë.

Juve zoti President vini gjithashtu në një moment të hidhur për futbollin shqiptar. Mbrëmë ne kemi humbur simbolin e futbollit shqiptar, jo thjesht talentin, por simbolin e njeriut të mirë. Mesa duket me talented e mëdha janë së bashku edhe tiparet më tyë mira njerëzore. Kjo është arsyeja që së bashku me festimin e hidhur për një humbje të tillë, vjen edhe një festim tjetër, i cili është shumë i çmuar. Ashtu sikurse e meritonte Panajot Pano një nderim të madh, ai po nderohet nga futbollistët më të mëdhenj të planetit me fashën e zezë. Ne ju falenderojmë edhe për këtë nderim, por jam i bindur që sikurse e thashë, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri, pork am një bindje plotësisht njerëzore që juve do ta vizitoni sërish Shqipërinë. Edhe njëherë ju falemnderit! Rroftë sporti, i cili vërtet fsheh në vetvete një mister të shumë të madh që zbulohet gjithëmonë në momentet më të vështira. Pavarësisht nga bindjet, sporti i bashkon të gjithë. Kjo është arsyeja që të gjithë së bashku do ta ndjekim të gjithë këtë event, dikush nga stadium, dikush nga televizori, por të gjithë do të ndjekim me shpirt. Edhe njëherë ju falenderit dhe urimet me të mira për ju, për të gjithë Klubin e Real Madridit, për të gjithë sportistët, për të gjithë popullin spanjoll. Edhe njëherë ju falemnderit!”

Ndërsa nga ana e tij, Presidenti madrilèn Florentino Perez u shpreh:

“Zoti President i Republikës së Shqiprisë,
Zoti President i Klubit të futbollit,
Miq,

Real Madridi identifikohet me akte si ky. E kemi thënë shumë herë, siç jua thashë edhe më parë, ne kemi trashëguar një klub historik, i cili dekadë pas dekada pushtoi zemrat e sportdashësve anembanë botës. Është një kënaqësi dhe një nder i jashtëzakonshëm për mua që të jem në krye të këtij Klubi, por njëkohësisht është edhe një përgjegjësi shumë e madhe, sepse duhet të jemi besnikë të historisë sonë. Të historisë së një klubi që ka pushtuar zemrat e sportdashësve të mbarë botës nëpërmjet vlerave. Gjatë dekadave kemi arritur t’i pasurojmë këto vlera: sakrificën, nderin ndaj kundërshtarit, solidaritetin, dhe këto transmetohen për Klubin nga lojtarët tanë dhe kanë qenë shembuj gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit. Real Madridi përfiton gjithmonë nga imazhi dhe prestigji i tij për të transmetuar këto vlera atje ku shkojmë. Sot jemi shumë të lumtur që jemi në Shqipëri në këtë qytet shumë të bukur e të jashtëzakonshëm që është Tirana. Njerëzit janë shumë dashamirë dhe mikpritës dhe na kanë trajtuar në mënyrë të mrekullueshme qysh kur kemi mbërritur. Dëshirojmë t’u përgjigjemi me mirënjohjen tonë, me vlerat tona, me ato që Real Madridi shpërndan në të gjithë botën. Gjithashtu dua t’ju them që ky imazh, ky prestigj për të cilin ju fola pak më parë, përpiqemi ta vemë në shërbim të njerëzve në nevojë, sidomos të fëmijëve.

Dhe për këtë dua t’i them Presidentit të Republikës që do të punojmë me Ambasadën spanjolle në Shqipëri për të krijuar një shkollë futbolli në zonat e prekura nga përmbytjet në Veri të Shqipërisë që nëpërmjet futbollit dhe fanellës së Real Mdridit të ndihmojnë për të përmbushur nevojat parësore që mund të kenë këta fëmijë. Në këto shkolla futbolli që krijojmë me Fondacionin ‘Real Madrid’ janë elementë të solidaritetit dhe ky është një detyrim që ne e ndiejmë si Klub.

Së fundi, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet Presidentit të Republikës për humbjen e këtij lojtari legjendar të Shqipërisë, të cilin do ta përkujtojmë sot pasdite në fushën e lojës dhe padyshim që ai do të jetë gjithmonë gjallë dhe i pranishëm në mendjet e të gjithë sportdashësve shqiptarë. Ju falemnderit shumë për këtë mikpritje të mrekullueshme!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›