E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI NË PRITJEN E VITIT TË RI ME TRUPIN DIPLOMATIK.

20 janar 2010

I nderuar zoti Ministër i Punëve të Jashtme,
I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i gëzuar që, mbas një viti, takohemi sërish në këtë rast të veçantë siç është pritja tradicionale e Vitit të Ri dhe të shkëmbej me ju urimet e mia për ju, familjet tuaja dhe vendet e popujt që ju përfaqësoni në Shqipëri.

Dëshiroj të falënderoj nëpërmjet jush kryetarët e shteteve, presidentët e organizatave ndërkombëtare, miqtë dhe dashamirësit e Shqipërisë për mesazhet dhe urimet e përzemërta në adresën time, me rastin e ditës së madhe të ndërrimit të viteve.

Fillimi i një Viti të Ri, natyrshëm të rikthen mendimet në vitin që kaloi, në ngjarjet më të rëndësishme apo në çastet më të spikatura që kanë shoqëruar Shqipërinë në politikën e saj të jashtme, në përpjekjet për të përmbushur angazhimet e qëllimet, në raportet me aleatët e saj, vendet mike dhe organizatat ndërkombëtare, me të cilat ajo zhvillon marrëdhënie të bashkëpunimit dhe të interesit reciprok.

Gjatë vitit që kaloi Shqipëria përmbylli me sukses kapitullin e rëndësishëm të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO për të vazhduar me përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që lindin nga ky anëtarësim, përgjegjësi në planin e brendshëm, në atë rajonal e global. Kontributi që Forcat tona të Armatosura japin në Afganistan kanë rëndësi jo vetëm për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend, por edhe për të sjellë përvojën e tyre të vyer në radhët e Forcave të Armatosura, të orientuara tashmë drejt profesionalizmit dhe modernizmit.

Aspekti i përgjegjësive rajonale dhe frymës së bashkëpunimit për një rajon të qetë, të sigurt dhe të integruar mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Suksesi i politikës rajonale të Shqipërisë nuk është i rastësishëm dhe as i pamerituar. Ai ka ardhur si rezultat i një qëndrimi të matur, të pjekur e të koordinuar ndaj të gjitha çështjeve delikate, të shtruara për zgjidhje dhe një harmonizimi të drejtë të interesave e përparësive kombëtare me ato rajonale dhe ndërkombëtare.

Jemi shumë krenarë që Shqipëria dhe gjithë faktori shqiptar është bërë pjesë kontribuese e politikave të stabilizimit, të mbrojtjes civile dhe ushtarake, të sigurisë dhe të integrimit në Ballkanin Perëndimor, sepse kemi besimin e bindjen se rruga që kemi nisur i shërben të ardhmes së përbashkët evropiane, sepse kemi bindjen dhe besimin se kjo sjellje i bën qytetarët shqiptarë dhe ata të gjithë Ballkanit Perëndimor të barabartë me ata evropianë sa në respektimin e vlerave, aq edhe në të drejtën e madhe për jetuar e lëvizur të lirë.

Unë dëshiroj të besoj se viti 2010 do të vendosë edhe një gur të fuqishëm në urën e bashkëpunimit Shqipëri - Bashkimi Evropian, duke u rikthyer qytetarëve të vendit tim të drejtën e mohuar nga regjimi komunist që në vitin 1945, të drejtën për të lëvizur të lirë në Evropën e lirë dhe të Bashkuar.

Evropa e sotme është ndërtuar rreth vlerave të përbashkëta: paqes, të drejtave të njeriut, pluralizmit politik, demokracisë, shtetit të së drejtës. Aplikimi i Shqipërisë për statusin e kandidatit, pranimi dhe paraqitja e pyetësorit e bëjnë të veçantë vitin 2009 në raportet me Bashkimin Evropian. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asgjë nuk dhurohet, gjithçka meritohet dhe fitohet me dinjitet. Administrata shqiptare po tregon një përkushtim të rrallë dhe shumë angazhim që dorëzimi i pyetësorit të realizohet brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrë shtëpie që në muajt e parë të vitit 2010, si një ogur i mbarë në rrugën tonë integruese.

Pavarësisht tendencës së përgjithshme të zhvillimit shumëpalësh të marrëdhënieve ndërkombëtare, pjesë e të cilës janë hapat e rëndësishme integruese dhe rajonale të Shqipërisë, gjatë vitit 2009, politika e jashtme e Shqipërisë ka pasuruar raportet e saj dypalëshe me vendet dhe shtetet aleate e mike, pavarësisht afërsisë apo largësisë gjeografike me ato.

Edhe gjatë në vitit 2010 ne do të udhëhiqemi nga vullneti dhe dëshira e sinqertë për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet me vendet tuaja jo vetëm në planin politik, por sidomos në atë të shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik. Ne do të dëshironim më shumë prezencë biznesi dhe investuese të huaj në vendin tonë. Mirëseardhja e tyre është çelësi dhe kryefjala e nxitjes së marrëdhënieve dypalëshe me vendet tuaja.

Shkëlqesi ambasadorë,

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mbështetjen që vendet që ju përfaqësoni në Shqipëri i kanë dhënë vendit dhe popullit tim gjatë vitit që kaloi. Unë mendoj se ju, nëpërmjet këshillave tuaja të sinqerta, na keni ndihmuar që të kuptojmë vështirësitë që duhet të përballim për të ndërtuar një Shqipëri moderne. Pavarësisht aftësive tona në rritje, proceset integruese që kemi nisur së bashku, kanë nevojë edhe gjatë vitit 2010 sa për këshillat e sinqerta dhe të hapura, aq edhe për ndihmën e programeve dhe përvojës suaj të gjatë në demokraci.

Ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij viti të tregojmë më shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për t’u ngritur mbi interesat imediate pavarësisht çmimit që kërkohet, për të ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike.

Politika e jashtme e Shqipërisë, tashmë me një përvojë dhe bilanc të çmuar, do të tregojë edhe gjatë vitit 2010 qëndrueshmërinë e saj në procesin, detyrat e sfidat euroatlantike, në zhvillimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, vendet mike të Evropës, Azisë, Amerikës e kontinenteve të tjera, me vendet e Ballkanit Perëndimor, me Kosovën, për të cilën do të vazhdojmë mbështetjen për njohjen e saj ndërkombëtarisht dhe organizatat ndërkombëtare.

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Sigurisht që ne ndiejmë çdo ditë ndjeshmërinë tuaj të lartë për të ecur së bashku, për të sinkronizuar hapin drejt standardeve më të arrira të botës së përparuar. Situata politike në Shqipëri natyrisht ndiqet me kujdes edhe nga ana jua. Unë mund t’ju them që forcat politike shqiptare edhe në kontekstin e marrëdhënieve me miqtë janë të përgjegjshme dhe jam i bindur që do të dinë të tejkalojnë edhe atë impas të krijuar në muajt e fundit në jetën politike shqiptare, e cila reflektohet patjetër edhe nëpërmjet një debati që shpeshherë nuk shkon në standardet e kërkuara. Por ne është e domosdoshme që të ndjekim me shumë seriozitet, me shumë rigorozitet të gjitha standardet e botës demokratike. Kjo vlen për politikën, kjo vlen për marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo vlen për administratën, kjo vlen për ekonominë, kjo vlen për politikat fiskale, kjo vlen për gjithçka.

Në frymën e këtij komunikimi miqësor, konstant, i cili do të jetë besoj më intensiv gjatë vitit 2010 dëshiroj t’ju siguroj se institucionet e Shqipërisë do të përballojnë me shumë motivacion të gjitha detyrimet në rritje që do t’i shërbejnë në radhë të parë rritjes së standardeve demokratike dhe mirëqenies së popullit shqiptar, por në mënyrë shumë influente do të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet tuaja. Unë jam i bindur që të gjithë së bashku ne do të ndërtojmë gjatë vitit 2010 një botë më të mirë, më të qetë, më të sigurtë për popujt tanë, për shoqëritë tona, në harmoni, larg urrejtjes, dhunës, për një të ardhme më të bukur për fëmijët tanë.

Ju ftoj të gjithëve t’i bashkoheni këtij urimi për një vit të mbarë, të qetë, të shëndetshëm për ju, për familjet tuaja, për shoqëritë që ju përfaqësoni, për të gjithë së bashku!

Gëzuar të gjithëve dhe ju falenderoj shumë për bashkëpunimin!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›