E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret drejtues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

6 nëntor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC) Avni Mustafaj dhe Këshilltarin e Lartë, Dejvid Skoton.

Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit dhe partnerit strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmesën e pandërprerë të diasporës shqiptare dhe çmoi bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Kreu i shtetit shqiptar bëri një panoramë të zhvillimeve në vend dhe duke u ndalur në situatën aktuale politike, vuri në dukje nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha forcave politike në vazhdimin e reformave jetike për vendin, sidomos të reformës në drejtësi apo zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të çështjes së pronave.

Presidenti Topi theksoi se për të përmbushur standardet integruese dhe realizimin e aspiratës së mbarë popullit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, është shumë e rëndësishme qëndrueshmëria e institucioneve dhe konsolidimi i demokracisë shqiptare.

Nga ana e tyre, Drejtori Ekzekutiv, z. Mustafaj dhe Këshilltari i Lartë i KKSHA-së, z. Skoton pasi falenderuan për pritjen, diskutuan për situatën në vendin tonë duke e informuar Kreun e shtetit rreth punës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitave të ardhshme në Kosovë dhe Maqedoni.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën në rajon, duke ndarë mendimin vlerësues për rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në terren në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›