Presidenti Topi i dërgon një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit amerikan Barak Obama.

7 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për ngjarjen tragjike të ndodhur në bazën ushtarake të Fort Hud në Teksas ku humbën jetën 13 ushtarakë dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë. Në këtë mesazh thuhet:
“I nderuar zoti President,
Ngjarja e rëndë dhe tragjike e Teksasit, e cila shkaktoi shumë viktima dhe të plagosur nga qytetarët tuaj, më hidhëroi pa masë. Në këto çaste hidhërimi të thellë për Ju dhe popullin mik amerikan, së bashku me ngushëllimet e mia dhe ato të popullit shqiptar për familjet e viktimave, ju shpreh ndjenjat e sinqerta të solidaritetit. Me dëshirën që të lënduarit të kthehen sa më shpejt pranë të dashurve të tyre, në gjirin e familjes, shpreh bindjen se forca, vitaliteti, dashuria për jetën dhe besimi tek Zoti, tipare këto të popullit amerikan, do të triumfojnë për të kapërcyer këtë brengosje dhe për të lehtësuar dhimbjen e madhe që të gjithë ju përjetuat.
Me ndjenjat e konsideratës më të lartë,
Presidenti Bamir Topi!”