E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret familjarët e viktimave në përkujtim të ngjarjes së rëndë të 27 shkurtit 1951.

27 shkurt 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në një takim përkujtimor në Pallatin e Brigadave familjarët e viktimave të masakrës së 27 shkurtit 1951, të cilët u pushkatuan nga regjimi komunist, pas bombës së hedhur në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë.

Familjarët dhe pasardhësit e njëzet e dy viktimave të arrestuara e më pas të pushkatuara, ku numëroheshin disa prej intelektualëve më të shquar e më në zë të kohës si Pjerin Guraziu, Niko Lezo, Anton Delhysa, Qemal Kasaruho, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Jonuz Kaceli, etj, u përshëndetën dhe zhvilluan një takim të ngrohtë e miqësor me Kreun e shtetit shqiptar, duke përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial.

Në fjalën e tij në këtë takim përkujtimor, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Zonja dhe zotërinj,
I nderuar zoti Kasoruho,

Ju në një koncetrat të admirueshëm, dhatë gjithçka që ka ndodhur brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore në kulmin e represionit komunist mbi familje të ekstraktuara nga i gjithë territori shqiptar për t’i treguar shoqërisë së kohës dhe, sikurse thonte im atë ndjesë pastë, “për mustaqet e Stalinit” u vranë njëzetedy përfaqësues të familjeve më të shquara shqiptare. Unë dëshiroj me këtë rast t’ju shpreh jo vetëm pozicionin institucional të Presidentit të Republikës, që duhet të risjellë patjetër në kujtesën kolektive ngjarje të tilla, që janë skalitur në memorien e dhimbshme të historisë së Shqipërisë.

Padyshim ka qenë një ngjarje, që pat tronditur të gjithë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, jo se në atë kohë nuk kishte represion, jo se në atë kohë nuk zhvillohej genocid, por ky është rasti më elokuent i egërsisë dhe i mungesës totale të asaj, që ne shpresojmë të realizojmë sot, të shtetit ligjor. Ka qenë një ngjarje e dhimbshme ku përfaqësuesit e shtetit komunist demonstruan jo vetëm genocidin ndaj bashkëkombësve të tyre, por ishte një tregues i qartë i një servilizmi të pashoq ndaj Bashkimit Sovjetik. Gjithçka ishte ndërtuar mbi bazën e një skenari. Natyrisht që pasardhësit e këtyre familjeve të nderuara, e njohin historinë më mirë se cilido tjetër, më mirë edhe sesa unë që po flas, pasi kanë ndjerë jo thjesht ekzekutimin pa gjyq të përfaqësuesve të tyre më të nderuar, por pas këtij akti barbar, filloi një persekutim kompleks për të gjitha familjet, me internime; persekutim shoqëror, një lloj persekutimi që e kanë ndjerë jo vetëm ata që kanë jetuar në atë periudhë, por edhe pasardhësit e tyre.

Shoqëria patjetër që duhet t’i përkujtojë këto ngjarje, dhe kemi rastin të themi që brenda këtyre ngjarjeve shumë të dhimbshme natyrisht, në terrenin shqiptar kanë dalë edhe njerëz me integritet. Së paku nga referencat e historisë dhe nga ato që kemi studiuar në literaturë, por dhe nga dëshmitarët e drejtëpërdrejtë, ka patur edhe akte civile të njerëzve që kanë qenë në institucionet e drejtësisë, ku mund të përmendim rastin e Ministrit të kohës, i cili dha dorëheqjen për të mos konfirmuar këtë akt barbar, për të ruajtur integritetin si një njeri qytetar dhe si një jurist. Kjo do të thotë, që në shoqërinë tonë, ndonëse historia ka qenë shumë e dhimbshme, me episode pa fund të genocidit dhe të represionit, asnjëherë substrakti, pjesa më e shëndoshë e shoqërisë sonë, nuk është mposhtur edhe pse ka vuajtur shumë. Kjo shikohet edhe sot tek përfaqësuesit e familjeve tuaja, njerëz të cilët kanë ditur të përballojnë dramën e kohës, dramat e kohës, të ripërtërihen dhe sot të kenë përfaqësues të denjë të familjeve të tyre që përfaqësohen me shumë dinjitet. Natyrisht këtë e kam mbi bazën e atyre që unë di për ju, por edhe mbi bazën e njohjeve të drejtëpërdrejta. Përfaqësues shumë të nderuar, shumë fisnikë, njerëz që kanë kontribuar pikërisht në linjën e dhimbjes së tyre, janë ringritur, dhe sot janë përfaqësues të denjë të atyre familjeve që bëjnë të krenohet çdo shqiptar.

Më lejoni dhe një herë që në emrin tim, por besoj edhe në emrin e të gjitha institucioneve të shtetit, të bëj një mesazh përkujtimor pikërisht për këtë ngjarje, por duke dhënë mesazhin që ngjarje të tilla është shumë e rëndësishme të kujtohen, të vlerësohen. Gjithçka të vlerësohet në atë linjë që ne kemi thënë, veçanërisht në mënyrë shumë frekuente në muajt e fundit, që të bëhet gjithçka jo thjesht për t’i kujtuar, por për të rikuperuar sado pak edhe në linjën e ligjeve, të dëmshpërblimeve morale dhe ekonomike për një shtresë dhe për pasardhësit e tyre, të cilët mbi dramën e tyre, i kanë dhënë një mesazh mjaft të rëndësishëm pasardhësve të shoqërisë shqiptare që dinë të ndërtojnë jetën e tyre në mënyrë shumë të ndershme, edhe atëherë kur dhimbja ka qenë shumë e madhe. Ky rast na dha mundësinë që të kontaktojmë direkt, që të prekim historinë përmes përfaqësuesve të këtyre familjeve, për të dhënë dhe mesazhet e duhura për një paqe sociale në Shqipëri, për një paqe, që është e detyrueshme në një shoqëri që është tronditur shumë në kushtet e një izolimi shumë të thellë, të paprecedentë në historinë e Evropës Lindore.

Edhe një herë falemnderit që keni ardhur! Urimet më të mira për ju! T’i kujtoni gjithnjë të afërmit tuaj dhe së bashku me ju dhe të gjitha institucionet e shtetit dhe e gjithë shoqëria”!

Në emër të njëzetedy familjeve të viktimave, përshëndeti shkrimtari dhe përkthyesi i njohur, Amik Kasoruho, i biri i të ndjerit Qemal Kasoruho, i cili tepër i emocionuar, u shpreh:

“Flas në emrin e atyre që sot përkujtojnë jo vetëm të dashurit e tyre, por edhe një krim që nuk ka shembull në historinë e Shqipërisë. Unë do të flas edhe në emrin e djalit më të plakur sot, më të madh të tyre që u pushkatuan, por do të flas edhe në emrin e tij, që nuk kishte lindur akoma kur iu pushkatua i jati dhe që është Hysen Shehu. Unë do të flas për të gjithë ata që nuk kanë gjetur ngushëllim, që nuk kanë gjetur shpagë gjatë këtyre viteve dhe duke falenderuar Presidentin për këtë rast që na jep. Është në nderin tonë dhe në nderin e të rënëve tanë, që të gëzojnë respektin që Presidenti i Republikës po u bën sot atyre dhe neve bashkë me ta. Mund të thuhen shumë fjalë, por të më falni se emocionet janë të atilla që nuk më lejojnë të zgjatem shumë. Sot është dita e përvjetorit. Sot jemi tek Presidenti. Janë dy ngjarje shumë kontradiktore në pamje të parë. Vrasja e njerëzve dhe nderimi i kujtimit të tyre. Kjo është jeta jonë. Unë do ta falenderoj edhe një herë Presidentin e Republikës për këtë nder, që po na bën dhe dua t’i bëj dhe një urim atij dhe të gjithë neve, që sa më tepër të kalojë koha, aq më tepër të vlerësohen dhe të nderohen ata që kanë vdekur për këtë ditë. Në emër të zotit Uran Butka, i cili për këtë rast ka shkruar librin “Bombë në ambasadën sovjetike”, më lejoni t’i dhuroj Presidentit një kopje të librit me firmën e të gjithë neve”.

Në ceremoninë përkujtimore,aktori i mirënjohur Rikard Ljarja lexoi për të gjithë të pranishmit fragmente të librit të Uran Butkës, “Bombë në Ambasadën Sovjetike” të shoqëruara në sfond nga tingujt funebër të pjesës “Adaxhio në G” nga Albinoni.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›