E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton në Muzeun Historik Kombëtar pavionin kushtuar viktimave, të dënuarve dhe të përndjekurve nga komunizmi.

25 shkurt 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot në mesditë, në Muzeun Historik Kombëtar, pavionin kushtuar viktimave, të dënuarve dhe të përndjekurve nga regjimi diktatorial komunist.

Në këtë vizitë, Kryetari i Shtetit u shoqërua nga Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, z. Adem Allçi, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, z. Besim Ndregjoni, nga drejtues dhe përfaqësues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e viktimave të Traumës dhe të Torturës, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Kasem Biçoku. Në prani dhe të përfaqësuesve të shtresës së ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, Presidenti Topi pa me vëmendje fotografitë historike dhe u intersua për objektet e asaj kohe, të ekspozuara në këtë pavion, të cilat dëshmojnë qartë krimet e kryera gjatë asaj periudhe të errët diktatoriale.

Përshtypjet dhe ndjesitë e tij nga kjo vizitë, Presidenti Topi ua transmetoi dhe mediave të pranishme për të cilat u shpreh: “Njeriu fiton në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet materialeve arkivore persekucionin dhe dhimbjen e madhe qe ka kaluar shoqëria shqiptare gjatë viteve të komunizmit. Unë do të falenderoja në mënyrë të veçantë ata që ideuan dhe ndërtuan këtë pavion dhe unë shikoj tek profesor Biçoku atë shqetësim që ndodh edhe tek unë, edhe tek të përndjekurit politikë që ky pavion është shumë modest krimet e komunizmit, por dhe nga ana tjetër sakrificat dhe qëndresën e madhe të intelektualëve dhe të të gjitha shtresave të tjera të shoqërisë, që i bënë ballë një mizorie që ishte e pashembullt në Europën Lindore, aty ku u instalua komunizmi bolshevik. Kështu që do të përkrah çdo lloj nisme që ky pavion modest të jetë vetëm fillimi i një pune për të ndërtuar një muze, i cili jam i bindur që do të pasurohet me materiale arshivore, jo vetëm nga institucionet, por dhe nga dëshmitë konkrete, që besoj se janë jo të pakta nga familjet shqiptare.

Nga informacionet që kam ka shumë dokumenta, që mund të futen dhe jam i bindur që do të ketë një muze të posaçëm në mënyrë që asnjëherë të mos ikin nga memorja e Shqipërisë. Janë shumë të dhimshme, është e dhimbshme po të shikosh që ka dekrete të vitit 1990 për dënime të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe përfytyroni që brenda një periudhe tëtëmbëdhejtë vjeçare Shqipëria është një vend i hapur dhe çdo ditë ne jemi pranë atij momenti të madh kur shqiptarët do të lëvizin pa vizë në botën, në të cilën ne jemi pjesë integrale.

Unë edhe njëherë dëshiroj të bëj apelin tim që të gjithë të bëjnë ç'është e mundur që kjo pjesë e dhimbshme e historisë së Shqipërisë jo vetëm të vlerësohet dhe përkujtohet, por të jetë patjetër dhe një pikë referimi që ngjarje dhe periudha të tilla të mos përsëriten më dhe jam i bindur që nuk kanë pse të përsëriten më. Apeli është që të ketë vlerësim sinjifikativ, jo vetëm për periudhën që kaluan të përndjekurit politikë, por për të mbështetur me të gjitha mënyrat integrimin e tyre të plotë në shoqëri, në institucione, në jetën akademike, por besoj dhe në atë që ato e kanë pasur gjithmonë për të qënë pjesë krenare e shoqërisë së re që ne ndërtojmë sot.

Sa i përket intersimit të mediave lidhur me vëmendjen ndaj ish-të përndjekurve politikë, Presidenti Topi tha: “Unë besoj se çdo ditë të përndjekurit politikë po shikojnë që ka një vëmendje tjetër të shtuar, por asnjëherë nuk mund të rikuperohen ato që kanë hequr dhe kanë pësuar në kurrizin e tyre”.

Pyejtes për kërkesën zyrtare të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, Kryetari i Shtetit iu përgjigj: “Ne të gjithë jemi të interesuar që të bëjmë aplikimin për në Bashkimin Europian. Jam i bindur që është momenti i artë që Shqipëria ta bëjë këtë aplikim për në BE, sepse kjo është ëndrra që pritet të realizohet nga të gjithë shqiptarët.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët për deklaratën e tij të fundit në Itali për integrimin e Shqipërisë në BE, Presidenti Topi theksoi: “Çdo politikan dhe institucion duhet të bëjë vlerësime analitike dhe integrale. Fakti që ne pas një muaji jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO është një shkallë shumë e rëndësishme dhe e sigurtë drejt integrimit në BE. Gjërat shkojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar, vendet e BE janë njëkohësisht pjesa më e madhe dhe e vende të NATO-s dhe na kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme. Është kjo mbështetje që na bën ne optimistë që pa precizuar vitin, sepse nuk jam unë ai që precizon vitin e futjes në BE, por duke bërë një analizë të logjikshme unë them që dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë dhe vendi i BE-së”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›