E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, së bashku me Ambasadorin amerikan Uithers dhe Ambasadorin e OSBE-së, Bosh apelojnë që qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e votës.

28 qershor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi një takim pune në mesditë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Xhon L. Uithers dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Robert Bosh në një nga lokalet në qendrë të kryeqytetit. Gjatë këtij takimi të shkurtër u diskutua rreth ecurisë së procesit të votimit për zgjedhjet e përgjithshme politike, që po mbahen sot anembanë vendit.

Pas takimit, Kreu i shtetit iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme:

“Unë besoj që substanca e mesazhit ishte në momentet kur unë votova. I ftoj të gjithë qytetarët e vendit tim të shkojnë dhe të votojnë! Klima është përgjithësisht e mirë, e qetë. Sot ndryshe nga zgjedhje të kaluara, koha nuk është shumë e përshtatshme për plazh. Do të thoja që ky është një moment shumë i rëndësishëm që njerëzit të rrisin pjesëmarrjen për ditën më të rëndësishme, që do të përcaktojë katër vitet e ardhshme. Ne kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë, por këtë duhet patjetër që ta konsolidojmë në katër vitet e ardhshme, sepse përpara nesh janë sfidat e reja. Ne dëshirojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian pas anëtarësimit në NATO. Njerëzit e thjeshtë ndoshta e perceptojnë edhe më thjeshtë, dëshirojnë të lëvizin të thjeshtë dhe e gjithë vëmendja e partnerëve është se si do të jetë korrektësia e këtyre zgjedhjeve. Korrektësia e këtyre zgjedhjeve është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, patjetër partitë duhet të jenë shumë të vëmendshme. Sot duhet të japim mesazhe për ecurinë korrekte të zgjedhjeve, për pjesëmarrje, patjetër për shumë transparencë dhe kjo i takon dhe komisionerëve. Unë besoj që këto zgjedhje do të jenë të lira, korrekte dhe administrimi i rezultatit do të jetë korrekt, për të treguar që ne dimë t’i administrojmë shumë mirë fatet e vendit tonë dhe patjetër dimë të jemi shumë luajalë ndaj besimit që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është mesazhi.

Edhe një herë mesazhi im thotë: pjesëmarrje, pjesëmarrje me qetësi, njerëzit sigurisht duhet të jenë të qetë, duhet të jenë të lirë! Është në radhë të parë respekt për veten e tyre të shkojnë të shprehin votën për atë që dëshirojnë, pra, para se të respektojnë të tjerët, duhet të respektojnë vetveten. Dhe respekti është pikërisht është tek vota, sepse tek e fundit dhe partitë varen tek vullneti i njerëzve. Pra, vullneti i gjithësecilit është shumë i rëndësishëm. Ju po e shikoni, ju vetë po kontribuoni që këto mesazhe të përcillen, që klima të jetë e qetë dhe që ne të realizojmë ndoshta për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar zgjedhje të lira, korrekte, transparente, të pakontestuara dhe të ecim të qetë në administrimin e vullnetit të popullit që bëhet nëpërmjet Parlamentit dhe të gjitha institucioneve të dala nga Parlamenti”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›