Presidenti Topi, takim me nënsekretarin amerikan të Shtetit

Zagreb, 18 shkurt, NOA - Presidenti Bamir Topi
takoi sot në Zagreb, nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju. Ai vlerësoi
bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të
reja në të ardhmen. Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për
mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën
e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë
shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në
mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, - u shpreh Topi në
këtë takim.
Në vijim të bisedës, presidenti Topi e njohur Lju me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke vënë në dukje dhe arritjet e vendit në politikën e jashtme, angazhimin serioz e me përgjegjësi në NATO, si dhe vazhdimësinë e procesit euro-integrues të vendit në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.
Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.
Presidenti u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.
Në këtë pikë, nënsekretari amerikan i Shtetit
çmoi përpjekjet e Topit, duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për
rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e
institucioneve demokratike.
Duke vënë në dukje faktin se Kosova dje festoi dyvjetorin e Pavarësisë së saj,
Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit dhe të mbarë popullit shqiptar
për qëndrimin e SHBA-së ndaj çështjes së Kosovës.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe
krijimit të një shteti të ri shumëetnik e demokratik që respekton të drejtat e
të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit
euroatlantik, - u shpreh Topi.
n.e/NOA