E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Presidentin e Pronvincës së Brindizit, Ferrareze dhe Kryebashkiakun Gonsales

16 korrik 2012
Brindizi, Itali

Gjatë vizitës në Rajonin e Puljas, Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi edhe disa takime zyrtare me autoritetet më të larta vendore të Brindizit. Kështu Presidenti Topi u takua me Presidentin e Pronvincës së Brindizit, zotin Masimo Ferrareze si dhe me Kryebashkiakun e qytetit, zotin Mimo Gonsales.

Në takimet e zhvilluara me Presidentin e Brindizit Ferrareze dhe me Kryebashkiakun Gonsales, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet e gjithanshme mes Shqipërisë dhe Italisë duke theksuar se edhe veprimtaria kulturore në Çelino San Marko dëshmon edhe një herë se kultura dhe arti janë elementët më të fortë në një marrëdhënie miqësie mes popujve duke kapërcyer çdo kufi dhe barrierë.

Një vlerësim të veçantë, Presidenti Topi e bëri për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë rajon, e cila ka dëshmuar vlerat më të larta qytetare, duke u integruar me dinjitet në jetën shoqërore dhe artistike të Italisë. Në të njëjtën kohë, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se “kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, për të cilën ne shprehim mirënjohjen tonë, por edhe të vetë qytetarëve italianë, të cilët iu gjendën pranë shqiptarëve në ditë të vështira të jetës së tyre, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë tradicionale që ekziston mes dy popujve fqinjë”.

Autoritet më të larta larta vendore të Brindizit, Ferrareze dhe Gonsales e çmuan vizitën e Presidentit Topi si një kontribut të mëtejshëm e të rëndësishëm në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, të cilët ndahen vetëm nga Deti Adriatik. Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, sidomos të atyre turistike e kulturore, duke vënë në dukje bashkëpunimin e efektshëm e të frytshëm mes Brindizit dhe Vlorës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›