Presidenti Topi viziton Arqipeshkvin e Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditën me rastin e Krishtlindjes.

24 dhjetor 2009
Presidenti i Repubikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan sot në mbrëmje Arqipeshkvin e Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditën, të cilit i shprehën urimet më të ngrohta e të përzemërta me rastin e Festës së Krishtlindjes duke i bërë edhe një dhuratë simbolike kuptimplotë – një foto të Kreut të shtetit së bashku me katër drejtuesit e bashkësive fetare shqiptare nën të cilën ishte shkruar thënia e tij: “Ne të gjithë jemi krenarë për harmoninë e shkëlqyer që ekziston ndërmjet bashkësive fetare në vendin tonë.”
Në përfundim të kësaj vizite, Presidenti Topi, nëpërmjet mediave të pranishme, u përcolli urimet më të sinqerta për mbarësi, begati e lumturi të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë kudo ndodhen. “Në këtë natë të shenjtë do të dëshiroja të përcillja një mesazh për të gjithë besimtarët e krishterë, por jo vetëm pë rata, por për të gjithë shqiptarët, të cilët sonte pa përjashtim festojnë së bashku. Pasi ajo që e kemi thënë vazhdimisht është një nga elementët që ne lavdërohemi, krenohemi, që i përjetojmë në harmoni të plotë në të gjitha religjonet në Shqipëri dhe është një nga standardet me të cilin ne prezantohemi në botën e qytetëruar. Kjo natë na ofron të gjithëve për më shumë paqe, për më shumë dialog, për më shumë komunkim qytetar dhe për të ardhur sa më afër njerëzve që realisht janë në nevojë. Dhe të gjithë së bashku për të ndërtuar dialogun në funksion të një perspektive më të mirë për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Dëshiroj edhe juve t’ju përshëndes dhe kemi rastin t’ju uroj edhe për Vitin e Ri!” - u shpreh Kryetari i Shtetit.