Intervistë e Presidentit Topi dhënë gazetarit Sokol Balla për emisionin “Top Story” në Top Channel.

24 dhjetor 2009
Gazetari: Mirëmbrëma dhe mirësevini në “Top Story”! Në këtë natë Krishtlindjesh unë jam këtu në Presidencën e Republikës, me banorin numër një të saj, Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi për të bërë një bilanc të këtij viti të rëndësishëm për shqiptarët, të vitit 2009 dhe padyshim parashikimet për vitin 2010-të. Zoti Topi, mirëmbrëma dhe falemnderit që jeni sot këtu me ne!
Presidenti Topi: Mirëmbrëma, është kënaqësi si gjithmonë!
Gazetari: Zoti President, sot janë Krishtlindjet, një festë e cila me kalimin e viteve duket se po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për shqiptarët. Fillimisht do të doja t’ju pyesja për urimin tuaj në këtë ditë?
Presidenti Topi: Natyrisht që urimi i parë shkon për besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët, pasi është një klimë festive për të gjithë dhe besoj është edhe një tipar i arrirë me të cilin ne mund të krenohemi dhe mund të konsiderohemi të integruar prej kohësh në familjen e qytetëruar. Pra, kjo paqe që mbizotëron midis besimeve të ndryshme në Shqipëri, është dhe pika e rëndësishme e referimit ku mund të orientohemi edhe ne të tjerët. Kështu që kjo festë u sjelltë paqe, begati, shëndet në familjet e të gjithë shqiptarëve dhe t’i kalojmë gëzuar ashtu si kemi bërë dhe vitet e tjera!
Gazetari: Zoti President, ndoshta mund të jetë dhe ky moment reflektimi në këtë natë Krishtlindjesh. Pas njëzet vjetësh pas lejimit të religjioneve në Shqipëri, sa vërtet i janë rikthyer shqiptarët Zotit, sa vërtet kanë filluar të besojnë tek ai, sipas jush?
Presidenti Topi: Tani unë nuk mund të marr rolin e një analisti specifik për këtë fushë, por besoj që liria e besimit ka kthyer tek shqiptarët mundësinë për të komunikuar me Zotin. Shohim gjithnjë e më shumë njerëz që i drejtohen institucioneve të kultit, njerëz të cilët pavarësisht nga ‘background’-i i tyre, pavarësisht nga formimi i tyre kanë një raport me besimin. Sigurisht raporti me besimin është shumë i ndryshueshëm, dikush është praktikant, dikush tjetër është supersticioz, por shoh që shumë njerëz i janë kthyer besimit dhe unë mendoj që kjo është një gjë shumë e mirë.
Gazetari: Dhe unë besoj që është një gjë shumë e mirë, aq më tepër për konstitucionin fetar të shqiptarëve që është origjinal, krahasuar dhe me vetë rajonin, rajonin tonë. Megjithatë, sot dëgjojmë zoti President, ndonjëherë dhe nga segmente politike që përdoret rrezikshëm karta fetare ndonjëherë për të promovuar një ndarje të heshtur të shqiptarëve, ju si e gjykoni këtë?
Presidenti Topi: Unë besoj që janë vetëm qarqe të izoluara dhe jam i bindur që do të mbeten të izoluara, të destinuara për të mos pasur sukses në teoritë e tyre, sepse sikurse thamë është diçka tradicionale, nuk është një gjë e fituar rishtazi dhe e fituar në mënyrë artificiale. Është një gjë e rrënjosur, gati-gati e bërë njësh me aspektin gjenetik të formimit të shqiptarit. Gjithmonë ka pasur dhe aktualisht ka qarqe radikale, por që për Shqipërinë nuk përbëjnë problem. Mund të jenë grupe të izoluara që, para se të them që janë të frenuara nga institucionet, them që janë të frenuara nga opinioni shoqëror, kështu që mendoj se klima e përgjithshme është një klimë shumë pozitive, shumë paqësore dhe ju shikoni që, jo vetëm në traditë, por sidomos në vitet e fundit nuk ka paragjykime dhe për lidhjen e martesave, të krushqive.
Gazetari: Por ka ardhur duke rënë ...
Presidenti Topi: Pra, ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe ky sjell edhe pjesën tjetër që është një reagim shumë natyral në festimin e këtyre festave. Ju siguroj që në rrethin tim, në familjen time të gjitha festat festohen njëlloj edhe priten me shumë gëzim.
Gazetari: Ka një pretendim kryesisht me karakter justifikues për vizat se po na vonohen, pasi jemi një vend mysliman. A nuk ju duket kjo një tezë e rrezikshme sidomos kur e promovojmë vetë?
Presidenti Topi: Duhet që së pari të jemi më të qartë për të deklaruar burimin...
Gazetari: Unë kur thashë vetë, do të thotë që del nga ne vetë, ndoshta dhe për arsye politike për të justifikuar një vonesë në liberalizimin e vizave. Gjithsesi përdorimi i kësaj karte duket si një autogol ndonjëherë.
Presidenti Topi: Unë besoj që është totalisht ndryshe. Sot shqiptarët, flas për atë pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve që janë në emigracion dhe nuk janë pak. Ata janë ballafaquar me realitetin perëndimor prej vitesh dhe gati-gati kanë dëshmuar që janë në parametra ekuivalentë me popullsinë ku ata jetojnë. Ne këtë e konstatojmë jo thjesht duke i njohur bashkatdhetarët tanë, por marrim konsiderata të drejtpërdrejta edhe nga autoritetet. Kjo ndodh në Greqi, ndodh në Itali, ndodh në vende të tjera të Evropës, ndodh në SHBA, pra marrim konsiderata mjaft pozitive, çka do të thotë që opinioni i vendeve ku shqiptarët kanë shkuar për të emigruar nuk është i tillë për bashkatdhetarët tanë, çka do të thotë i larguar në kohë nga momenti i emigrimit të tyre, besoj që kjo është një teori që nuk qëndron.
Gazetari: Pra, në rast se do i futesha analizës politike, në rast se e lexojmë si jo të mirëqenë dhe unë jam dakord me ju që çdo vonesë në procesin e liberalizimit të vizave nuk aspak të bëjë me faktin që ne jemi një vend me shumicë myslimane, pra dali atëherë tek pika e përgjegjësive që të huajt na e kërkojnë shumë, sidomos klasës politike. Por ne vazhdojmë të tregojmë papërgjegjshmëri politike, në jetën sociale, apo në çfarëdolloj shfaqje të komunikimit publik. Shumë nga këto shfaqje pati edhe në vitin 2009-të, apo jo zoti President?
Presidenti Topi: Unë nuk do ta përkufizoja në këtë mënyrë, pasi ne jemi përgjithësisht të përgjegjshëm dhe secili është i ndërgjegjshëm për detyrën e vet. Mund të kishim qenë më të kujdesshëm në koordinimin e veprimeve, por duke iu rikthyer edhe një herë argumentit që sapo trajtuam, besoj që përderisa është çështje kohe, në funksion të kohës në terma të shkurtra, besoj që bie poshtë çdo lloj teorie tjetër. Nëse do të flasim për çështje të organizimit më të mirë të jetës politike, institucionale, të detyrimeve që ne kemi për të plotësuar me dokumentacion, me pasaportat biometrike, që janë detyrime të një karakteri teknik do e quaja, besoj që nuk do i jepja shumë hapësirë një diskutimi për nuanca negativiste për mënyrën e sjelljes së shqiptarëve. Unë them që gjërat përgjithësisht kanë shkuar mirë, mund të kishin shkuar më mirë, sigurisht që mund të kishin shkuar më mirë. Por, përgjithësisht jam në një vlerësim pozitiv edhe mjafton t’ju them se, meqë jemi duke bërë një bilanc të vitit 2009-të, kemi arritur atë që nuk e kishim menduar kurrë, që mund të ishim një nga vendet e Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë, Aleancës së NATO-s, natyrisht një arritje kjo që i ka praktikisht të gjithë elementët brenda, të karakterit politik, institucional, ku padyshim është rëndësia e një ndërveprimi të të gjitha palëve. Nuk është një proces që erdhi në një ditë, në një orë, por është një proces relativisht afatgjatë i atij pozicioni që ka marrë Shqipëria prej vitesh, i atij orientimi mjaft të qartë euroatlantik, por edhe mjaft i reformave, ku është kontributi i të gjithëve.
Gazetari: Zoti President! Në Samitin e NATO-s, kemi qenë së bashku në ato momente të gëzueshme historike dhe emocionale dhe natyrisht firma juaj në anëtarësimin e Shqipërisë ka një moment personal dhe një institucional dhe meqë jemi në një natë bilanci, mund të na i përmblidhni me dy fjalë?
Presidenti Topi: Në harkun e një viti kam provuar dy emocione shumë të forta për të njëjtin problem, në prill të vitit 2008 në Bukuresht dhe në prill të këtij viti në Strasburg dhe në Keln. Padyshim që emocionet janë shumë të forta dhe janë të kombinuara sa emocione personale, aq edhe të natyrës së pozicionit që unë mbuloj. Janë gjëra që i kontribuojnë fatit të Shqipërisë, janë gjëra që kanë të bëjnë me historikun e Shqipërisë në shekuj dhe aq më shumë janë gjëra që kanë të bëjnë me perspektivën e Shqipërisë. Kur e shikon veten që je me më të fuqishmit e planetit për të diskutuar gjëra që në kushte të tjera mund t’i marrësh vesh vetëm në mënyrë indirekte dhe nëpërmjet masmedias, aty e kupton që duhet të rrisësh shumë përgjegjshmërinë për pozicionin që mban. Pra, ka një natyrë shumë interesante Aleanca e Atlantikut të Veriut. Në momentin që ulesh në tryezën e rrumbullakët trajtohesh në të njëjtën mënyrë.
Gazetari: Dhe momenti personal se e kujtoj kur më keni treguar atë dosjen e famshme me firmën e të gjithë vendeve anëtare të NATO-së që ua dorëzoi Presidenti Obama?
Presidenti Topi: Momenti personal sigurisht që është i fuqishëm. Është aq i fuqishëm sa nuk mund të përshkruhet qoftë dhe me gatishmërinë maksimale për t’ua treguar.
Gazetari: Besoj që keni patur rastin në ato momente kur keni e keni treguar në transmetimin ‘live’ për të gjithë shqiptarët.
Presidenti Topi: Pikërisht, të njëjtat ndjesi kemi pasur në momentin që e kemi ndjekur.
Gazetari: Edhe për faktin se për shkak të detyrës kam qenë i dyti pas jush që e pashë atë protokoll dhe ishte vërtet një kënaqësi të veçantë që e ndamë me miliona shikues atë natë të bukur. Megjithatë, nëse do të bënim një bilanc, një llogari të vitit 2009-të, si është ajo për Kryetarin e Shtetit?
Presidenti Topi: Unë besoj që ...
Gazetari: Bilanci janë zakonisht ato që hyjnë dhe që dalin, pra janë pluset, janë edhe minuset.
Presidenti Topi: Problemi i llogaritjes së bilancit është në varësi të pozicionit. E them këtë, sepse do të mundohem që të bëj një bilanc shumë institucional, sepse kemi parë që palët politike i bëjnë bilancet sigurisht sipas pozicionit të tyre politik. Kështu që kam një lloj komforti për të qenë më i ekuilibruar në funksion të këtij pozicioni që duhet të jetë i ekuilibruar. Fakti që ne diskutuam për çështje shumë të mëdha që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me hapa të tjera për integrimin në Bashkimin Evropian, unë besoj që ky ka qenë një moment shumë pozitiv për Shqipërinë dhe institucionet e Shqipërisë. Kemi pasur pastaj edhe elementë të një debati politik që është i pranueshëm deri në një farë kuote, deri në një farë limiti, sepse përtej atij limiti, gjërat pastaj fillojnë e japin një imazh jo të këndshëm për ata që e ndjekin debatin politik dhe sidomos për partnerët ndërkombëtarë. Por, këto gjëra në prononcimet e mia, unë ua kam lënë palëve politike, por kam bërë apele të vazhdueshme në funksion të zbutjes së kësaj klime politike, në funksion të një bashkëpunimi sidomos në funksion të disa reformave që kërkojnë domosdoshmërish bashkëpunimin e palëve në proces. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që ndërtimi i një ligji të ri elektoral, për ata që e njohin politikën dhe për ata që bëjnë studime të karakterit politik, nuk është thjesht momenti i ndryshimit të një ligji, por patjetër ka edhe pasojat e veta në aplikimin e tij. E kam thënë në mos gaboj që kam qenë absolutisht dakord që ky ligj të ndryshojë, të vinte në parametrat e një ligji proporcional rajonal, për të përfaqësuar më mirë Shqipërinë, të gjithë natyrën variabël të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë, me të gjithë karakteristikat e veta, për t’i dhënë mundësi që të rritet cilësia e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, për të rritur cilësinë e qeverisjes dhe për të shkuar në një lloj modeli që ndoshta është i përshtatshëm për Shqipërinë.
Gazetari: Mendoni që kjo ndodhi?
Presidenti Topi: Nuk mund të them që kjo ka ndodhur, sepse këto janë elementë që duhet të diskutohen në funksion të stadit të demokracisë të partive politike në Shqipëri. Sot, unë nuk jam këtu që të bëj analizën dhe nuk dëshiroj që të interferoj në çështjet e partive politike, por për të diskutuar një çështje që është shumë parimore, do të thoja që ne kemi nevojë në përgjithësi, sidomos në partitë politike, nga të cilat projektohen të gjitha institucionet e tjera, që të rrisin ndjeshëm elementët e demokracisë së brendshme. Kjo do të bënte të mundur që të kemi më shumë pjesëmarrje të njerëzve, të cilët ndoshta e kanë të vështirë që të përballojnë situata të caktuara, cka u krijon padyshim pengesa për promovimin e tyre në politikë dhe do të ishte një element që do ta kërkonin të gjithë, që një demokratizim i jetës së brendshme në partitë politike, patjetër që do të rriste ndjeshëm kurajën e inkursioneve politike dhe të rritjes së mundësisë për të bërë reforma të guximshme në Shqipëri.
Gazetari: Besoj do të më lejoni më vonë t’ju pyes për zhvillimin e demokracisë së brendshme së paku të dy partive kryesore, të themi që përbëjnë dhe skenën kryesore politike, por le të ndalemi tek ligji elektoral, për shkak të rezultatit që ai nxori. Duke që sikur në vend që të rriste përfaqësimin, sikur të gjithë ne menduam, u duk sikur kur ligj për shkak të rezultatit që ai solli e polarizoi më shumë Shqipërinë. Ju shqetëson kjo zoti President?
Presidenti Topi: Edhe një herë ju them që nuk është defekti i ligjit. Ligjet kur huazohen do të thoja, ose merren si referencë ligje të vendeve të cilat e kanë kaluar këtë sprovë, unë besoj që është çështje e implementimit të këtyre ligjeve. Pra, nuk quhen ligjet gabim. Ligjet janë ndërtuar mbi bazën e një vullneti por në momentin kur ato fillojnë e implementohen, sidomos mbi bazën e ekstraktimit të vlerave në partitë politike, aty mendoj pastaj që çalon dhe besoj është pikërisht momenti që ka të bëjë me testimin e demokracisë së brendshme të partive.
Gazetari: Por besoj që kur thoni implementimin e këtij ligji besoj që keni parasysh edhe procesin zgjedhor në përgjithësi, meqë po bëjmë bilancin e këtij viti, një ngjarje e rëndësishme e këtij viti ishte 28 qershori, pra, zgjedhjet e përgjithshme. Ndonjë vlerësim jo zyrtar, por formal publik i Presidentit të Republikës për këto zgjedhje, nuk di nëse është rasti sonte ta bëni këtë?
Presidenti Topi: Po të kishit qenë të vëmendshëm, do të kishit parë që unë e kam bërë një vlerësim...
Gazetari: Kam qenë zoti President, por kur them vlerësim thjesht një notë. Ju njiheni si një person mjaft i kujdesshëm për të ruajtur balancat politike dhe ...
Presidenti Topi: Unë kam qenë i kujdesshëm dhe kur kam qenë në partitë politike, aq më shumë në këtë pozicion duhet të jem shumë më i kujdesshëm. Mbi bazën e ligjit të ri elektoral, Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka marrë një përbërje partiake, në ndryshim nga KQZ mbi bazën e ligjit të vjetër elektoral, ku Parlamenti kishte vetëm dy përfaqësues, një nga mazhoranca, një nga opozita. Presidenti kishte dy, pra bëhen katër dhe tre anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shtatë. Pra në autoritetin e Presidentit të Republikës, i cili ka dhe detyrën ex-officio të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishim pesë anëtarë ku Presidenti kishte mundësinë e ...
Gazetari: Të përfaqësimit direkt dhe indirekt.
Presidenti Topi: Apo jo? Ndërsa sot, Presidenti në KQZ, me vullnetin e të dyja partive, nuk ka asnjë anëtar, çka do të thotë që në të gjithë procesin e prononcimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti nuk kishte zë. Dhe në përfundim, patjetër në përfundim të të gjithë procesit, duke iu referuar pozicionit kushtetues, ligjor, unë i jam referuar në mënyrë shumë të qartë vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është njëri element. Duke qenë se jam edhe në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj vendimin e gjykatave të Apelit, të cilat janë zgjedhur me preferencat e përfaqësuesve të partive kryesore, në praninë time. Dhe së treti, meqenëse ne kemi pranuar monitorët e përfaqësuesve ndërkombëtarë të organizatave ku ne bëjmë pjesë, OSBE/ODIHR-it, i jam referuar raportit final të këtyre organizatave. Çka do të thotë tre pika reference shumë të forta dhe do të thoja që të gjitha së bashku, përbëjnë automatikisht dhe zërin e Presidentit. Dhe asnjë nga këto elementë që unë përmenda nuk besoj se ka pasur lëshim kur unë jam shprehur për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Gazetari: Pra, thënë më troç zoti President, ju besoni se sovrani e tha fjalën e vet?
Presidenti Topi: Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, që këto janë tre referencat ku përfshihet edhe vullneti i sovranit.
Gazetari: Zakonisht kur flet sovrani të gjithë heshtin, por ne kemi parë zoti President që një pjesë e mirë e sovranit nuk heshti dhe doli për të protestuar për votën e lirë. Mendoni që ka diçka që nuk shkoi mirë, bazuar dhe në vlerësimet e ndërkombëtarëve?
Presidenti Topi: Edhe një herë, nuk dëshiroj të futem në mënyrë analitike në këto çështje, sepse nuk kam qenë as aktor, as indirekt monitor i këtyre zgjedhjeve, por duke pasur besim tek institucionet, të cilat janë të realizuara me Kushtetutë dhe me ligj, siç është rasti i KQZ-së, Kolegji, si dhe duke pasur respekt për organizatat, të cilat kanë sjellë monitorë profesionistë, unë jam i detyruar t’i referohem këtyre elementëve dhe nuk mund të futem në elementë të tjerë që mund të jenë të karakterit politik. Respektoj vullnetin politik të partive, për ta pranuar, për ta kontestuar, kjo është çështje e tyre, ndërsa Presidenti i Republikës i ka referencat institucionale.
Gazetari: Zoti Topi flasim pak për situatën politike në vend. Si i vlerësoni protestat e opozitës, i bëjnë ato mirë apo keq demokracisë në vend dhe situatës në përgjithësi?
Presidenti Topi: Flas në aspektin parimor. Padyshim, është e drejta e çdo partie politike, e simpatizantëve të saj, e sindikatave, e grupimeve të ndryshme shoqërore. Për t’iu rikthyer retrospektivës apo eksperiencës personale, edhe unë kam protestuar kur kam qenë i inkuadruar në partitë politike dhe nuk do të kishte guximin askush të thonte të kundërtën, pra çdo njeri është i lirë të protestojë. Ka protesta individuale, ka në formën e grupimeve politike, të grupimeve shoqërore dhe është një nga standardet e arrira të demokracive perëndimore. Për t’u futur në elemente specifikë, natyrisht është në vullnetin e partive të opozitës për të protestuar për diçka që mendojnë që duhet protestuar. Kështu që unë nuk mund të bëj rolin e analistit, apo të supervizorit apo të monitorit për të thënë që po bëjnë mirë apo po bëjnë keq.
Gazetari: Zoti President unë e di që e keni të vështirë t’i përgjigjeni disa pyetjeve por detyra ime është t’jua bëj pastaj përgjigjet i dini ju vetë.
Presidenti Topi: Ju jeni i lirë të bëni çdo lloj pyetjeje.
Gazetari: Hapja e kutive zoti President është një momet sa ligjor dhe unë e di që për shkak të pozicionit ju sapo e thatë, respektimin e vendimeve gjyqësore dhe si Kryetar i KLD-së bën pjesë e detyrimeve tuaja institucionale dhe sigurisht nuk do të guxoja t’ju provokoja në këtë pikë, por natyrisht është dhe një moment politik. Mendoni se këtu mund të jetë çelësi i zgjidhjes të këtij bllokimi apo krize ta quajmë, ska rëndësi.
Presidenti Topi: Unë mendoj se pozicionin tim si President e kam mbyllur përsa i përket vlerësimit të zgjedhjeve. Ky është një vlerësim i bërë dhe ju siguroj që nuk jam konformist kur bëj. Ju e dini që në ekperiencën time politike kam bërë prononcime edhe individuale, edhe kur grupimi politik mendonte ndryshe, aq më shumë sot kur kam autoritetin e plotë për t’i thënë gjërat ashtu siç janë. Unë mendoj se vlerësimin tim për zgjedhjet e kam bërë më shumë se një herë dhe qëndroj në ato standarde që sapo i shpreha. Përsa i përket zhvillimeve politike, mënyrën sesi e shikojnë partitë debatin politik, mënyrën e shprehjes së vullnetit të tyre politik, është një çështje ekskluzive e partive politike. Ajo që më intereson qoftë si qytetar, qoftë si President i Republikës është që debati politik, të jetë një debat mbi bazën e një fizionomie perëndimore të realizimit të debatit dhe ka hapësirë të pafund për ta realizuar debatin, për të zhvilluar betejën politike dhe pastaj për të realizuar disa gjëra që domosdoshmërish kushtetuta i ka paraparë që kërkojnë të gjitha palët. Dikujt mund t’i vijë keq që unë shprehem kështu, por unë flas mbi bazën e parimeve kushtetuese, flas mbi bazën e eksperiencave ndërkombëtare, mbi bazën e një eksperience të gjatë politike, gjithmonë kërkohet të bashkëpunohet. Në një bashkëpunim politik, ka mundësi të debatohet, ka mundësi të lëshohet, pra është në vullnetin e partive politike. Nuk mund të jap unë leksione sot nga kjo zyrë. Të japësh leksione demokracie është shumë keq, sepse çdo njeri duhet të ketë vullnetin individual për t’u sjellë në mënyrë demokratike, për t’u grupuar në mënyrë demokratike, për të bërë vendimmarrjen në mënyrë demokratike.
Gazetari: Zoti President ky lloj qëndrimi juaj i cili është absolutisht korrekt nga pikëpamja e kornizës kushtetuese, edhe për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit që e reduktuan, e zhveshën tentuan ta çngjyrosin nga fuqia vepruese e Presidentit të Republikës dhe ju i keni miratuar, i keni firmosura këto ndryshime kushtetuese megjithatë një javë para po në një intervistë me mua jeni shprehur në mënyrë shumë kritike dhe të rreptë ndaj tyre.
Presidenti Topi: Më dolët në një element shumë interesant. Megjithatë vazhdoni. Pra iu kthyet një elementi që ka të bëjë pikërisht me atë që unë po them. Unë kam qenë jo kritik, kam qenë sugjerues… Natyrisht nëse sugjerimi merr formën …
Gazetari: Jeni rreptë në sugjerimet tuaja, le ta themi kështu!
Presidenti Topi: Çështja e interpretimit të ligjëratës, është një çështje tjetër. Natyrisht që do të jenë me tone serioze kur vjen çështja e trajtimit të themelit të një shteti sikurse është Kushtetuta. Unë nuk mund të deklaroj duke qeshur, kur gjërat ndryshohen pa një konsultë serioze.
Gazetari: Pa ju pyetur fare në atë rast.
Presidenti Topi: Edhe sikur mos ta pyesin fare Presidentin. Nuk është çështje e marrjes në konsideratë, apo një keqardhjeje personale. Çështja kushtetuese është një çështje që i takon të gjithëve. Për definicion Presidenti është garant i Kushtetutës dhe ligjit, është e thënë në Kushtetutë . Pra nuk mund të jetë pozicion voluntarist i X-it apo Y-it. Ajo që kam thënë në atë kohë ka qenë: Kujdes mund të bëni ndryshime sepse ndryshimet vijnë mbi bazën e vullnetit të një shumice parlamentare, që arrijnë në atë numër të domosdoshëm që parashikon Kushtetuta. Pra sqaroni momentet, paraqitini para njerëzve, paraqitini në media, jepuni mundësi njerëzve që të ambientohen me këto ndryshime dhe pastaj bëni ndryshime. Kur nuk e morën në konsideratë dhe vendosën brenda një nate, atëherë isha i detyruar të bëja një nënshkrim të menjëhershëm të dekretit. Ka një arsye të fortë morale dhe një arsye të fortë institucionale. Së pari, kur Parlamenti zgjedh Presidentin me 84 vota dhe kur janë 115 vota që janë për ndryshime kushtetuese atëherë nuk ke asnjë lloj mundësie të mendohesh. Është një vullnet që…
Gazetari: Është më i madh se vullneti që ju zgjodhi ju President.
Presidenti Topi: Në mënyrë absolute, ju e keni parë që unë e kam firmosur menjëherë dhe nuk kam bërë më komente pasi e kam dekretuar. Në momentin që dekretohet nuk ka vlerë të komentosh dhe nuk është e moralshme të komentosh. Gjërat konsiderohen të mbyllura dhe duhet patjetër të zbatohen. Ky është komunikimi institucional. Pra diskutohen në momentin para se të vendosen, bëhet vendimmarrja dhe në momentin që bëhet vendimmarrja, të gjithë e kanë të detyrueshme për ta zbatuar. Kështu funksionon një shtet serioz. Dhe nga kjo pikëpamje, unë nuk kam pasur keqardhje që u futën në këtë aplikim të këtij ligji, apo të ndryshimeve kushtetuese. Absolutisht. Kam qenë shumë i vëmendshëm për t’i zbatuar dhe sa kohë do të ekzistojë kuadri ligjor, do të jem edhe unë shumë i kujdesshëm për t’i zbatuar në mënyrë shumë rigoroze.
Gazetari: Megjithatë ju vetë e thatë, në rastin e KQZ-së, këto ndryshime kushtetuese edhe në mënyrën si u bënë edhe për thelbin e tyre kanë ndikim apo kanë sjellë pasoja në zhvillimet politike të këtij viti apo jo?
Presidenti Topi: Në ç’ kuptim?
Gazetari: Në sensin negativ.
Presidenti Topi: Për kë ?
Gazetari: Ju folët për KQZ-në.
Presidenti Topi: Për mua si President, nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj pasoje.
Gazetari: Flas për mediat jo për ju personalisht.
Presidenti Topi: E hodhët pak përpara, që ju ka rënë kompetenca. Në mënyrë absolute. E rëndësishme është që ata që e kanë pasur vullnetin për të ndërtuar një ligj elektoral, duhet të mendoheshin mirë para se ta realizonin. Në momentin që realizohen, nuk mund të bësh komente në retrospektivë, si e ke realizuar. Ka një rregull, nuk është lojë fëmijësh. Kjo është loja më e rëndësishme që ka të bëjë me demokracinë e një vendi dhe me të ardhmen e një vendi. Njerëzit nuk duhet të bëhen qaramanë post faktum. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Ku dallohet një politikan, një intelektual nga një njeri i zakonshëm. Duhet t’i bëjë profilaksinë gjërave. Pra futesh në një periudhë përgatitore, dialogu, fillon ndërton mbi bazën e ekspertëve edhe kur bën vendimmarrjen nuk ke pse qahesh më.
Gazetari: Qajnë zakonisht ata që humbin zoti President. Kritika juaj drejtohet drejt opozitës.
Presidenti Topi: Jo në mënyrë absolute! Nuk bëj unë kritika ndaj mazhorancave apo opozitës. Ju mund ta orientoni ku të doni. Unë jam i drejtpërdrejtë, jam shumë I sjellshëm. Nuk bëj kritika. Problemi është në parim, kur shkon drejt vendimmarrjeve serioze, duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Nuk je në një tavolinë bixhozi, që e mbyll natën sonte dhe mund të kthehesh prapë nesër. Këto janë fatet e një vendi. Politikani ka një përgjegjësi absolute. Duhet të shkojnë shumë të përgatitur. Kemi pasur raste që kemi ndenjur me ditë dhe me netë për të diskutuar një element teknik në negociata. Ju e dini fare mirë.
Gazetari: Zgjedhjet e 2007-ës, p.sh.
Presidenti Topi: Jo vetëm ato, edhe elemente të tjerë. Kur negociohet politikisht, negociohet me seriozitetin më të madh. Pse? Nuk janë fate individuale. Janë fate të demokracive, të institucioneve, janë fate që kanë të bëjnë me perspektivën e njerëzve. Kjo është arsyeja që në demokraci, fatet delegohen. Një individ ka të drejtën e votës, shkon voton, ka deleguar fatin e tij. Ti që je interpret i fateve të tyre, ti duhet të jesh shumë serioz. Pra bëhen mirë hesapet, bëhen mirë llogaritë dhe çdo njeri paguan pikërisht atë që ka ndërtuar. Ky është fati i demokracisë, dikush fiton, dikush humbet. Henri Kissinger e thoshte në mënyrë frekuente frazën ‘mos u shqetësoni, mos u lëndoni, rregulli i demokracisë është: ai që fiton sot mund të ketë shansin të shkojë në opozitë nesër dhe opozita e sotme është pozita e së nesërmes. Ky është rregulli i demokracisë.
Gazetari: Megjithatë opozita pikërisht ankohet se janë prishur rregullat e lojës.
Presidenti Topi: Unë nuk besoj që rregullat e lojës janë ndërtuar jashtë vullnetit të palëve politike. Në rast se do të isha kritik do të ishte për momentin që; a janë pyetur të gjitha institucionet? Se kam pasur këtë lëndim, sepse e di fare mirë. Unë kam një eksperiencë të gjatë parlamentare. Unë e njoh shumë mirë rregullin, rolin e jashtëzakonshëm të Parlamentit. Nuk është se unë e them sot për herë të parë që Parlamenti është tempulli i demokracisë, aty ku zhvillohet dialogu politik. Aty i kemi bërë të gjitha debatet politike; i keni vënë re që njerëzit që nuk futen në Parlament, fillojnë e sfumohen. Nuk është një eksperiencë shqiptare, është një eksperiencë botërore. Pra konsiderohesh në politikë aktive, kur je pjesë e debatit parlamentar.
Gazetari: Mendoni që po e dëmton opozitën mungesa e saj në Parlament?
Presidenti Topi: Unë edhe një herë jam i kujdesshëm sepse duhet të ruaj ekuivalencë të plotë. Nuk kërkoj të ndërhyj qoftë edhe me analizën time, por apelet e mia unë i kam bërë shumë të sinqerta, sepse të njëjtin apel kam bërë edhe atëherë kur kam qenë pjesë e strukturave politike të Partisë Demokratike, kur ishte jashtë Parlamentit. Rikthehuni edhe dokumenteve, kam thënë të njëjtën gjë. Unë jam i mendimit që pjesëmarrja në institucione, është mendimi im, të jep vlerë, pastaj janë taktikat politike të partive, janë këndvështrimet e tyre në vizionet e tyre, të cilat janë ekskluzive të partive, nuk mund marrin leksione nga Presidenti.
Gazetari : Zoti President, ju u takuat para disa ditësh zyrtarisht me liderin e opozitës. Në fakt njoftimi për shtyp ishte pak rreshta dhe u kuptua që ajo që ishte thënë brenda ishte diçka më shumë nga ajo që u tha zyrtarisht. A mund të na thoni çfarë u tha në atë takim?
Presidenti Topi: Elementi më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo zyrë të institucionit shtetëror është transparenca. Në momentin kur është kërkuar takimi nga zoti Rama, i cili është gjithmonë i mirëpritura si çdo politikan tjetër në zyrën e Kreut të Shtetit, kam bërë njoftimin e mediave për të qenë të pranishme dhe kam pasur një komunikim nëpërmjet zyrës së shtypit me të gjitha mediat, për të thënë edhe elementet kryesorë të takimit. Zoti Rama erdhi me shqetësimin për t’i bërë prezent nga afër Kreut të Shtetit të gjitha problemet që ekzistojnë në tryezën e opozitës. Përsa i përket pozicionimit të shtetit ligjor, ka të bëjë me Prokurorinë, ka të bëjë me gjykatat, me ato pozicione me të cilat Presidenti ka një lidhje të natyrës organike dhe ligjore. Ky ka qenë takimi. Ka sjellë edhe një dosje me të gjitha këto çështje, të cilat ai i ka orientuar në institucionet e shtetit. Asgjë nuk ka mister në këtë komunikim.
Gazetari: Nuk fola për mister. Fola thjesht çfarë u tha më shumë se ç’doli në deklaratë për shtyp.
Presidenti Topi: Këto janë elementet kryesorë, asgjë më shumë. Të jeni i sigurt që unë jam shumë rigoroz në detyrimet e mia. Në zyrë bëj muhabete zyre.
Gazetari: Zoti President, a ju ka kërkuar, apo keni kërkuar, apo keni komunikuar për të njëjtën situatë me kreun e mazhorancës?
Presidenti Topi: Unë kam pasur rastin, në raste të ndryshme të takohemi, por nuk kemi diskutuar. Nuk është vendosur në rendin e ditës ndonjë bisedë specifike për këtë çështje.
Gazetari: Si i keni marrëdhëniet tuaja me Sali Berishën në këto moment? Vazhdojnë të jenë vetëm institucionale?
Presidenti Topi: Kur janë institucionale, janë të arrira besoj, sepse ne tentojmë që marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet që ekzistojnë në kafene, apo nëpër ambiente të tjera afër partive politike, t’i bëjmë institucionale. Në momentin që themi që janë institucionale, them që janë të arrira.
Gazetari: E bëj këtë pyetje pasi muajt e fundit u duk sikur u kapërcye një krizë institucionale më tepër sesa një krizë komunikimi midis jush dhe kreut të mazhorancës, kryesisht zotit Berisha, aq sa filloi të flitej më me lehtësi nëpër qarqet gazetareske, se ndoshta është kapërcyer momenti i krizës së komunikimit dhe një mandat i dytë i Bamir Topit si President tanimë është më i mundshëm.
Presidenti Topi: Unë i di fare mirë që ju e dini më mirë se ne, ju gazetarët...
Gazetari: Ndonjëherë spekulojmë më mirë se ju, jo se dimë më shumë...
Presidenti Topi: Sigurisht e thashë në një sens ironie, por të jeni i sigurtë që unë nuk bëj llogari të karrikes. Tek unë nuk mund të bëhen biseda të tilla. Unë kam një parim. Në momentin që marr një detyrë jam shumë serioz për ta realizuar detyrën. Dhe jam në një predispozicion natyral, që gjërat të rrjedhin në mënyrë natyrale, të pasforcuar, të kenë fatin e tyre.
Gazetari: Kur thoni këtë besoj që juve do ta kryeni detyrën pavarësisht nga kostot që ato mund të krijojnë rrugës përsa kohë që ju besoni që detyra është në funksion të pozicionit tuaj.
Presidenti Topi: A ka kosto më të madhe në rast se ti me ndërgjegje i shkon ndesh pozicionit kushtetues?
Gazetari: Dhe ju e keni bërë këtë.
Presidenti Topi: Sa kohë që unë respektoj pozicionin kushtetues dhe nuk i njoh vetes asnjë lloj lapsusi në këtë rrugë deri tani, tregon që jam i qetë.
Gazetari: Megjithatë e bëj këtë pyetje sepse gjatë vitit të fundit, një viti e gjysëm që nga ndryshimet e kushtetuese jo rrallë u kritikuat, u sulmuat sesa u kritikuat, edhe nga përfaqësue të mazhorancës, edhe nga të themi pjesë e opinion bërjes pranë saj dhe shikoj që kjo ka rënë tani dhe kjo është një gjë e mirë pasi ndoshta të gjithë po e kuptojnë pozicionin tuaj kushtetues. Megjithatë politikisht nuk mund t’i shmangemi disa gjërave zoti President. Kur unë ju pyes në raportet me mazhorancën, kam parasysh p.sh se në Kuvendin e fundit të PD-së, t’i rikthehemi temës tuaj të preferuar ‘demokracia e brendshme e partive’ shumica pothuaj absolute e atyre që, në mos, mos i quajmë mbështetësit tuaj kur ju keni qenë në parti, po ata që kanë qenë kritikë në mënyrën sesi drejtohej partia, kritikë në mënyrën sesi duhet të qeverisej më mirë. Befas u zhdukën të gjithë nga Këshilli Kombëtar i PD-së. Në vend të tyre u futën të tjerë ose ndonjë figurë groteske e jetës politike që gjithsesi për respekt nuk dua t’ia përmend emrin.
Presidenti Topi: Jo, duhet të keni respekt për çdo njeri!
Gazetari: Ose këshilltarë ose të Kryeministrit ose të Jozefina Topallit. Si e gjykoni këtë? Nuk është kjo një mënyrë reagimi ndaj jush? Ndoshta jo me artikuj në gazetë denigrues por me mënyra të tjera.
Presidenti Topi: Së pari, për momentin që kalojmë, nuk është kjo tema e preferuar e imja. Pra ishte pjesë e përgjigjes ndaj një pyetje që ju realizuat për demokracinë e brendshme nëpër parti. Sigurisht që nuk mund të them që jam indiferent, por nuk është tema ime, sepse hapësira ku unë veproj është në një terren tjetër. Njerëzit zakonisht bëjnë karriera politike për të ardhur në pozicione të tilla dhe duhet ta nderojmë një pozicion të tillë jo për qëllime karrieriste, por për qëllime të mira të karrierës politike dhe t’i shërbejmë këtij pozicioni sepse është një pozicion që i shërben të gjithëve. Është një pozicion, i cili influencon në mënyrë të ndjeshme, të drejtpërdrejtë në stabilitetin e vendit. Të futem në çështje të jetës politike të partive pas dy vitesh e gjysmë në sensin e pyetjes që ju drejtoni, do të thotë që unë të rikthehem edhe një herë aty ku kam qenë, duke qenë anëtar i asaj kryesie, në atë pozicion. Është një çështje që ka të bëjë me partitë respektive politike, me jetën e tyre të brendshme. Çdo individ ka të drejtën që të futet për të bërë karrierë, mund të hyjë në atë ambient, mund të dalë nga ai ambient. Nuk është një çështje që ka të bëjë me një vëmendje momentale timen.
Gazetari: Ky vend ka treguar se po nuk iu nënshtrove rregullave të dy partive të mëdha, po flas për aktualitetin në vend, e ke të vështirë të bësh një karrierë të largët politike. Mungesa e një alternative të tretë sipas jush apo të një alternative tjetër përpos këtyre të dyjave që ofrohen, është pasojë e mungesës së personit të duhur për ta bërë këtë apo të kushteve të tjera.
Presidenti Topi: Deri tani ne kemi të drejtë të bëjmë një fotografim të asaj që është. Seç ndodh më mbrapa askush nuk e di.
Gazetari: Meqë flasim për atë që ndodh më mbrapa zoti President. Kur ju pyes për Kuvendin e PD-së natyrisht që sot ju si President i Republikës, ju intereson vetëm në kuadrin e zhvillimit të demokracisë së brendshme të partive. Nesër mund të jetë një çështje eventuale që ka të bëjë më rikthimin tuaj në politikë. Dhe natyrisht, nëse ju s’merrni një mandat të dytë për President. E bëj këtë pyetje sepse në këtë rast do t’i riktheheshit këtij Kuvendi dhe do të thonin të gjithë që, ky Kuvend nëse ka një mesazh politik indirekt jo për sot, për nesër, për Bamir Topin, është se ju mbyll derën e PD-së juve të riktheheni në politikë në Partinë Demokratike.
Presidenti Topi: Unë do të lutesha të mos të trajtonit më gjatë këtë pjesë sepse fillon e merr ngjyrime të tjera. Unë deri në momentin që do të jem në këtë zyrë do t’i përkushtohem në mënyrë tërësore angazhimit tim dhe nuk kërkoj që të krijohen idera, suspekte, perspektiva mbetet perspektivë. Askush nuk është në gjendje të japë me siguri perspektivën e jetës së tij. Së pari sepse askush nuk e di se në çkushte shëndetësore do të jetë. Uroj që të kemi shëndet, së pari.
Gazetari: Do të jeni 55 vjeç zoti President.
Presidenti Topi: Nuk lidhet shumë me moshën, lidhet me kushte të tjera. Pra t’ia lëmë perspektivës.
Gazetari: Po të ishte kështu zoti Topi nuk do të kishte as vlerësime publike, as sondazhe publike ku ju gjithsesi vazhdoni të jeni në krye ose në krye të listës së preferencave.
Presidenti Topi: Ndoshta mund të jetë pjesë edhe e taktikës së prononcimit publik. E kam fjalën që gjërat thuhen në momentin kur duhet të thuhen. Tani unë nuk kam asgjë për të thënë në këtë sens.
Gazetari: Dakord, por meqë po flasim ‘kurrë mos thuaj kurrë’ nuk e përjashtoni mundësinë e një aktiviteti tuaj politik ekstra PD kur të lini karrigen e Presidentit, 55 vjeç, nuk mendoj se do t’i nënshtroheni rregullave të pensionit politik kaq herët.
Presidenti Topi: Këtë pyetje, me këtë lloj aludimi, së paku mua, s’duhet të ma bëni.
Gazetari: Unë kam detyrë të bëj çdo pyetje zoti Topi.
Presidenti Topi Unë kam një parim me kolegët gazetarë, me analistët; pranoj çdo lloj pyetje që mund të ekzistojë në këtë botë. Ia kam thënë dikujt tjetër, që ju jeni pronar i pyetjes dhe unë jam pronar i përgjigjes, por duke njohur mirë eksperiencën time politike, pozicionimin, profilin familjar, shoqëror besoj që edhe ju, duhet të keni një gjysëm përgjigje të pademostruar, se cila do të jetë e ardhmja ime.
Gazetari: Sigurisht prandaj ju pyeta zoti President.
Gazetari:Zoti Topi, si e pritët lajmin e formimit të koalicionit PD-LSI? A kishit ndonjë informacion dhe a e mbështetët këtë, le të themi, nismë e guximshme politike për të formuar një koalicion që u gjykua fillimisht jo i natyrshëm?
Presidenti Topi: Së pari jam i parimit që është në të drejtën e partive politike për të formuar koalicione. Nuk është një eksperiencë shqiptare, sikurse mund të jetë ndonjë eksperiencë tjerër që është shqiptare. Kjo është një eksperiencë botërore. Kemi parë koalicione nga më të çuditshmet në botën demokratike, kështu që e prita në kushte shumë normale dhe çka është rëndësishme, është një koalicion që garanton stabilitetin e institucioneve dhe qeverisjen.
Gazetari:Zoti President, si ju duket që po punon qeveria aktuale në drejtim të përmirësimit të mirëqenies së popullit, pasi ky duket që është edhe, le të themi, thelbi i funksionimit të një qeverie që del nga zgjedhjet demokratike?
Presidenti Topi: Tani keni bërë një pyetje që duhet ta adresoni kryesisht diku tjetër. Së pari monitorimin e jetës politike dhe të qeverisjes e bën opozita…
Gazetari:Nuk e kam në karakterin…
Presidenti Topi:Përsa i përket komunikimit institucional, për aq sa më takon mua si President, besoj se kanë qenë marrëdhënie korrekte institucionale, aq sa nuk ka sjellë asnjë lloj problemi të këtij komunikimi, këto muaj që ekziston qeverisja e re. Kjo shihet kryesisht në komunikimin me gjuhën e dekreteve dhe ju e dini që Presidenti asistohet nga këshilltarë, të cilët shohin përputhshmërinë kushtetuese, ose bazën e kushtetutshmërisë të ligjeve, pavarësisht nga debatet politike që ekzistojnë, pavarësisht nga këndvështrime të karakterit juridik që vijnë nga partitë politike. Tekefundit shikohet kjo dhe ju e keni parë që kur ka qenë nevoja për ta kthyer një ligj, unë e kam kthyer, e kam realizuar. Pra nuk bëhet fjalë për një lloj linje konformiste, por për një korrektësi në trajtimin e linjës së komunikimit juridik që vjen nëpërmjet ligjeve nga Parlamenti.
Gazetari:Deri këto ditë ju nuk keni kthyer asnjë ligj, në mos e kam gabim?
Presidenti Topi: Nuk ka pasur elementë që të kenë qenë jo në përputhje me Kushtetutën, për ta bërë një gjë të tillë. Kanë qenë në përputhje me Kushtetutën. Pastaj ligji ka nuancat e veta, ligji ka këndvështrimet e veta qoftë të natyrës politike, qoftë edhe të natyrës teknike, por është shumë e rëndësishme që baza kushtetuese e kthimit të dekretit, është të shikohet në këtë sens.
Gazetari:Jo edhe aq ashpër, por deri diku keni lënë të kuptohet, që përshembull, për Marrëveshjen kufitare detare me Greqinë jeni anashkaluar apo nuk pasur konsultim shumë të madh me ju. Cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës për aq sa dimë deri tani për këtë çështje dhe keni thënë që do të mendoheni shumë mirë e do të merrni vendimin e duhur para se të vendosni firmën ose jo mbi këtë?
Presidenti Topi:Sigurisht që është një çështje shumë serioze, shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me një moment, i cili përmban një detyrim kushtetues. Së dyti, ka të bëjë me një detyrim moral të çdo individi që është në një pozicion të caktuar apo që është interlokutor në një çështje kaq të rëndësishme, që ka të bëjë me marrëdhëniet midis dy vendeve. Unë kam pasur disa prononcime ku kam kërkuar që opinioni publik, media, ku kam rastin të shpreh konsiderata shumë pozitive për rritjen e sensibilitetit, në mënyrë që kjo marrëveshje të jetë transparente. Por nga ana tjetër kam bërë thirrje që njerëzit, përfaqësuesit e mediave, krahas shqetësimit që kanë, duhet të kenë besim tek institucionet e Shqipërisë, sepse përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë, jam i sigurtë, jo kam bindjen, por jam i sigurtë, që do të dinë të ushtrojnë me shumë përgjegjësi të gjitha detyrimet që lidhen me pozicionin e tyre. Në radhë të parë është pozicioni zyrtar, ligjor, por është edhe …
Gazetari:Është edhe një rast tjetër, ku bëhet fjalë për…
Presidenti TopiPatjetër! Pa asnjë dyshim! Pra çdo segment i shtetit është i përgjegjshëm. Unë nuk kam bërë vetëm deklarata, por kam bërë edhe monitorime që janë të natyrës së punës sime, nëpërmjet ekspertëve. Kjo gjë po ndiqet dhe tani kam “luksin” për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Si rregull, institucionet duhet të sillen në mënyrë korrekte, sipas ligjit që e kushtëzon veprimtarinë e tyre.
Gazetari:Kjo e bën edhe pak më të lehtë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Topi:Fakti që thashë kam “luksin”, sepse të marrësh vendime individuale, sigurisht që janë vendime që duhen të merren, sepse prandaj jemi në këtë pozicion. Mbi bazën e konsultimeve, mbi bazën e marrjes në konsideratë, të gjitha vendimet institucionale, por në rastin konkret ka një element tjetër që është në lojë, është Gjykata Kushtetuese, ku të gjithë aktorët kanë shprehur konsideratat e tyre dhe i kanë thënë Gjykatës Kushtetuese që të japë gjykimin e saj. Por në çdo lloj rrethane, vendimmarrjet e Presidentit janë të maturuara, nuk janë të nxituara.
Gazetari:Duhet të kemi besim që institucionet nuk do të çedojnë, pasi ky është meraku më i madh.
Presidenti Topi:Ju nuk keni nevojë ta shtroni në këtë sens, sepse besimin, njeriu e ka dëshmuar me kohë. Nuk mbetet për ta treguar në një moment të caktuar.
Gazetari:Zoti President, kur ju pyeta sesi po punon qeveria aktuale, është më tepër, sepse këtu çdo gjë politizohet, dëgjojmë shifra zyrtare për rritjen ekonomike, vlerësime edhe nga të huajt për këtë, por dëgjojmë edhe shumë ankesa brenda, nga grupe interesi, biznesi, nga njerëzit e thjeshtë që situata po shtrëngohet dhe nuk dimë kë të besojmë.
Presidenti Topi:Ju besoni grupet që ushqejnë besueshmëri. Patjetër kjo është arsyeja që edhe në shoqërinë e një vendi, grupet elektorale projektohen. Projektohen mbi bazën e besueshmërisë. Pra njerëzit që besojnë qeverinë, besojnë qeverinë, nga pikëpamja e marrjes së pozicionit në një debat politik të caktuar. Njerëzit që janë të idealizuar tek opozita, besojnë opozitën. Ka njerëz që janë neutralë dhe besojnë, kanë të drejtën e tyre për të besuar qoftë njërën palë, qoftë palën tjetër dhe nuk marrin konsiderata nga institucionet e pavarura për të monitoruar elementët e zhvillimit ekonomik apo të krizës globale apo rajonale. Kështu që mbetet në këndvështrimin e qytetarit. Kjo është arsyeja që, një herë në katër vjet populli shkon në zgjedhje dhe bën “check up-in” e besueshmërinë ndaj partive politike.
Gazetari:Nejse, diskutimi apo debate apo shqetësimi për situatën nuk është se duhet të bëhet një herë në katër vjet, apo jo zoti Topi?
Presidenti Topi:Përshembull, e kam fjalën që gjatë katër viteve…
Gazetari:Por po flasim për situatën ekonomike…
Presidenti Topi: Gjatë katër viteve duhet të dëgjohen institucione të ndryshme. Përshembull, një njeri neutral do të thoja, mund të orientohej fare qartë tek pozicioni i Guvernatorit...
Gazetari:Për këtë desha t’ju pyesja. Jo më larg se një ditë më parë, Guvernatori u shpreh se…
Presidenti Topi;…i cili edhe në këndvështrimin tim mendoj që ka treguar një profil të qartë institucional dhe profesional. Pra është një institucion i shtetit tonë, i cili ka marrë edhe votëbesimin e Parlamentit, por edhe performancën e tij, e ka të lavdërueshme.
Gazetari:Pikërisht…
Presidenti Topi: Kështu që partitë politike kanë të drejtë të ushtrojnë ndikimin e tyre tek elektorati i tyre, i cili ka mundësi që të orientohet tek pozicionimi politik i partive. Ndërsa njerëzit që mund të konsiderohen me një indeks pabesueshmërie, mund të orientohen tek institucionet.
Gazetari:Dakord! Le të flasim për pozicionin që ju thatë, të Guvernatorit. Dje kemi patur dy veprime, dy aksione në lëmin ekonomik. Kemi pasur zotin Fullani, i cili u shpreh i shqetësuar se kriza në Greqi edhe mund të reflektohet edhe tek ne si dhe shqetësimin e tij për rritjen e defiçitit buxhetor. Pikërisht dje qeveria njoftoi ndërmarrjen e këtij veprimi me anë të një akti normativ për rritjen e defiçitit buxhetor. Si t’i marrin këto dy lëvizje? Si arrinë këto të receptohen nga Presidenti i Republikës? Çfarë po ndodh?
Presidenti Topi: Tani unë sigurisht që mund të bëj analiza të hollësishme rreth situatës. Unë shikoj treguesit, të cilët vijnë në mënyrë zyrtare çdo ditë, por edhe në një studim shkencor, edhe në nivelin më të lartë të realizimit të një punimi shkencor, pra kam rastin të tregoj pjesë nga eksperienca personale. Gjithmonë në një punim shkencor është ai që studion, që kryen temën shkencore, qoftë kjo për doktoraturë apo Çmimin Nobel, gjithmonë ka një oponent. Nuk është e mundur që një punim shkencor të vlerësohet pa oponencë dhe marrin vlera të jashtëzakonshme punimet shkencore që kanë edhe oponencat, të cilat japin vlera dhe sidomos kur botohen në revista prestigjioze të fushës. Pra është një lloj marrëdhënie zinxhir, që i jep besueshmëri një pozicioni apo një deklarimi. Kështu që unë do të marr patjetër në konsideratë vlerën e oponencës.
Gazetari: Zoti President, një tjetër aspekt i qeverisë për rritjen e defiçitit, dje pra, është mënyra se si ajo pritet të bëhet. Kryeministri deklaroi se do ta bëjë me një akt normative. Kjo sigurisht ngjall oponencë, kryesisht nga specialist ekonomikë dhe ligjorë të së majtës si një veprim me bazë të dobët ligjore. Duket se edhe në mungesë të votimeve në Kuvend për ligje të caktuara mazhoranca po i rikthehet praktikës së akteve normative. Si e gjykoni rikthimin e kësaj praktike të rrallë dhe jo të zakontë të qeverisë?
Presidenti Topi: Ka një element, i cili duhet të na bëjë që të jemi të qetë. Sa kohë ka elementë ligjorë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Elementi për të cilin vlen të shqetësohemi, është pikërisht mosmarrja e formës në nivelin më të lartë të legjislacionit që vjen si pasojë edhe e mungesës së numrave të domosdoshëm për të realizuar ligje të forta të Parlamentit. Por sa kohë ka mekanizma kompensues që janë ligjorë atëherë e rëndësishme është që gjërat të mos mbeten të bllokuara, të ecin. Por mendoj që ata që janë shqetësuar duhet të marrin pjesë në debate, duhet të marrin pjesë në procese dhe të mos ia lenë këtë vetëm një pozicioni të caktuar, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës për t’u prononcuar. Sot partitë politike kanë zërat e tyre nëpër institucionet e tyre. Ajo që unë uroj është që të rritet niveli i debatit politik pasi dëgjojmë rëndom batuta apo komunikime, të cilave për fat të keq në disa raste u mungojnë elementët e civilizimit!
Gazetari:Aq sa kjo po përbën edhe një shqetësim për ndërkombëtarët, mënyra e komunikimit politik.
Presidenti Topi: Në radhë të parë duhet të kemi respekt për veten, pastaj u vjen radha ndërkombëtarëve. Pra të kemi respekt për veten, sepse ne jetojmë në një ambient, i cili duhet të jetë civil. Pra mënyra dhe toni natyrisht që mund të përdorin, janë në vullnetin e gjithsecilit. Puna është që, rëndësi ka argumenti me të cili del në debat dhe pastaj duhet të kemi edhe kujdesin për imazhin tonë para ndërkombëtarëve. Por në radhë të pare, duhet të jetë shqetësimi për veten tonë. Ne jetojmë këtu, kemi zgjedhur që të jetojmë këtu.
Gazetari:Zoti President, ka pasur një debat të ashpër për Konferencën e Gjyqësorit. Në njërën anë shumica, e përfaqësuar me zë të lartë nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, e cila e ka quajtur OJQ-ë ketë Konferencë dhe ka bërë thirrje për mbledhjen e saj në çdo rast, megjithëse ka një mandate ligjor dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë. Cili është qëndrimi juaj meqë kjo lidhet indirekt edhe me KLD-në që ju drejtoni pasi bëhet fjalë edhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë?
Presidenti Topi: Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje. E kam ndjekur debatin, prononcimet dhe sigurisht në një terren demokratik, gjithsecili është i lirë që të japë opsionet e veta për të dalë nga një situatë, e cila nuk është normale, sepse kur rifola dje në takimin me magjistratët, iu riktheva një apeli shumë të rëndësishëm që kam bërë rreth dy muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke njohur shumë mirë terrenin dhe duke ditur sa boshllëqe do dalin me kalimin e kohës nëpër institucionet e drejtësisë, duke pasur nevojën për disa ligje të cilat i dikton koha për t’i pasur në linjën e sistemit të drejtësisë dhe duke ditur që të gjitha këto ligje kërkojnë votim të kualifikuar, bëra apelin që pavarësisht nga rezultati, partitë politike duhen të prononcohen për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformës në fushën e drejtësisë. Tani gjërat janë kështu siç janë.
Gazetari:Ju pyeta konkretisht…
Presidenti Topi: Jo, jo, do dal patjetër! Do të dal te Konferenca për Gjyqësorin. Por unë ju sugjeroj shumë miqësisht, që kur të bëni pyetje kaq të rëndësishme, specifike, duhet t’i vendosni në një kontekst të përgjithshëm, të dini si ka ardhur situate deri këtu. Fakti është që disa ligje që kërkohen për sistemin e drejtësisë nuk po realizohen dhe nuk janë në axhendë për t’u realizuar. Kur të gjithë thonë sistemi i drejtësisë, sistemi i drejtësisë, ju siguroj që sistemi i drejtësisë ka të bëjë edhe me dy elementë shumë të rëndësishëm. Ka individin, i cili duhet të ketë integritetin dhe pa të cilin nuk realizohet e nuk implementohet një ligj në drejtësi. E dyta kërkohen edhe reformat në drejtësi. Ka nevojë që gjykatat të vazhdojnë reformimin e tyre mbi bazën e ligjit. Dhe këtu, në këtë kontekst ne shkojmë edhe tek çështja e Konferencës Gjyqësore. Unë respektoj afatet, pozicionet institucionale, pozicionet e çastit, por Presidentit të Republikës nuk i bëhet pyetja nëse duhet zbatuar ligji apo jo. Përsa kohë unë jam në këtë pozicion, madje edhe po të isha duke jashtë këtij pozicioni, do isha I atij qëndrimi se ligji është ai që prevalon, Kushtetuta është ajo që prevalon.
Gazetari:Pra pozicioni juaj është i qartë?
Presidenti Topi: Pozicioni im ky është. Nuk mund të jetë tjetër. Çfarë mekanizmash kompensues mund të dalin përgjatë rrugës, kjo mbetet për t’u parë, sepse unë nuk kërkoj të frenoj asnjë faktor. Nuk kërkoj të stimuloj asnjë faktor tjetër, por pozicioni im është i qartë. Unë jam i konturuar qartë, pozicionim sipas ligjit.
Gazetari: E vërteta është që ka një ngërç apo jo?
Presidenti Topi:Ngërçi vjen si pasojë e një situate shumë komplekse.
Gazetari:Atëherë zonja Topalli ka të drejtë në aspektin që nuk mund të vazhdohet më dot kështu përsa kohë që ka…?
Presidenti Topi:Problemi është këtu, që të mos dalim në referenca individuale…
Gazetari:Kryetarja e Parlamentit?
Presidenti Topi: Problemi është më i madh sesa një pozicion, qoftë ky edhe i Presidentit. Këtu çështja është, e meqenëse ju u futët tek çështja e drejtësisë, do të futem në disa elementë. Këtu biznesi prej kohësh thotë Gjykata Administrative. Të gjithë misionet e Këshillit të Evropës që na asistojnë në reformën në drejtësi, thonë Gjykatë Administrative. Problemi i KLD-së që domosdoshmërish kërkon të plotësohet me anëtarë sikurse e kërkon ligji. Pra unë në të gjithë terminologjinë time i referohem ligjit. Ligji, ligji, ligji! Pra të gjithë duhet të kenë si dominues në fjalorin e veprimin e tyre ligjin. Pse nuk realizohet? Atëherë ka një defekt që vjen nga politika pse nuk realizohet. Sepse Kushtetua e ka parashikuar që Parlamenti të mbledhë 84 vota. Këto 84 vota nuk vijnë nga institucionet e pavarura. Nuk vijnë nga drejtësia, por vijnë nga politika. Pra duhet të shkoni atje për ta përcaktuar diagnozën. Mos shkoni tek terminali që pret të realizohet ligji, por shkoni atje tek burimi. Ku është burimi? Është Parlamenti.
Gazetari:Meqë është edhe natë Krishtlindjesh, zakonisht i kthejmë sytë nga lart. Më lart se Presidenti i Republikës nuk mund të shkojmë.
Presidenti Topi:Unë ju siguroj që edhe Presidenti del nga Parlamenti. Atje është përfaqësuesi i popullit në Parlament. Unë e besoj dhe këtë nuk e kam për konsumizëm, qoftë edhe të kësaj interviste, këto janë parime shumë të forta të miat: në rast se ne kërkojmë një shtet të fortë, shteti i fortë vjen kur ka një drejtësi të fortë.
Gazetari: Ndalemi te drejtësia zoti President.
Presidenti Topi: Një sekondë! Do të ndalemi dhe mund të vazhdojmë dhe gjatë po të doni. Shteti i fortë është drejtësia e fortë. Drejtësia e fortë bëhet me ligje të forta dhe bëhet me njerëz, të cilët kanë parametra që meritojnë për të qëndruar në atë pozicion. Atëherë lë të qëndrojmë tek e njëjta linjë që sapo shpreha! Ne kërkojmë që në vazhdimësi të ketë reforma shumë të forta për drejtësinë, që një njeri të shkojë në atë pozicion duhet ta dijë fare mirë që ka një detyrim, një përgjegjësi dhe një borxh shumë të madh para njerëzve. Këtë bisedë ne e kemi bërë vazhdimisht. Pra për të diskutuar edhe një herë ku janë problemet. Problemet janë tek vetë sistemi i drejtësisë, që ka të bëjë edhe me konstituimin e çdo personi, qoftë në linjë të personalitetit të tij, qoftë në linjë profesionale, por detyrimi për të vazhduar reformat, është detyrim.
Gazetari:Dakord.
Presidenti Topi: Këtë askush nuk mund ta kundërshtojë!
Gazetari:Ju me të drejtë folët që si gjithmonë është politika, është Parlamenti. Është situate aktuale e Parlamentit.
Presidenti Topi: Jo! Për vazhdimin e reformave.
Gazetari:Për vazhdimin e reformave.
Presidenti Topi:Sepse vetë sistemi i drejtësisë ka problemet e veta.
Gazetari:Ka problemet e veta. Për vetë sistemin e drejtësisë, ky vit është viti i suksesit apo i dështimit për drejtësinë shqiptare?
Presidenti Topi:Nuk mund të them që është vit i dështimit. Sistemi i drejtësisë ka kaluar sfida shumë të vështira. Unë mund t’ju them që sot askush nuk mund të qahet që sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i varur.
Gazetari: I varur jo, por ndoshta i dështuar zoti President meqë gjithë proceset e mëdha kanë dështuar?
Presidenti Topi: Jo, unë mund të them që sistemi i drejtësisë ka kaluar disa sfida dhe brenda këtyre sfidave natyrisht që ka aspekte pozitive, ka arritje, ka edhe aspekte të cilat nuk e nderojnë sistemin e drejtësisë.
Gazetari:Cilat janë këto aspekte? Natyrisht ju jeni Kryetari i këtij sistemi. Një Gjykatë e Lartë, e cila i çon drejt dështimit të gjitha proceset.
Presidenti Topi: Ju me të drejtë thatë që jam Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Prandaj ju them që kur bëni pyetje, duhet ta njihni mirë përbërjen.
Gazetari:Nëqoftë se do të ndërhyni në vendimet e drejtësisë…?
Presidenti Topi: Ja, ja, një sekondë! Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i përbërë në këtë mënyrë: ka përfaqësues nga Parlamenti, ka përfaqësues nga Konferenca Gjyqësore. Janë edhe tre pozicione “ex- officio” që është Presidenti i Republikës, është Ministri i Drejtësisë, është edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë. Pra ai është një mekanizëm shumë kompleks. Pra askush nuk mund të ketë përgjegjësi apo rëndësi ekskluzive. Pra është një pjesë e demokracisë, që gjërat funksionojnë në këtë mënyrë. Çështja është se si ka operuar sistemi i drejtësisë në Shqipëri në vitin që ne po realizojmë apo jo? Mund të them që ka përballuar një punë voluminoze për shumë çështje, por unë kam qenë më shumë se kritik, përsa i përket nevojës se ku duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë, sepse kam vënë në konsideratë çështje të pronësisë , të cilat janë bërë në disa raste…
Gazetari:Gangrenë.
Presidenti Topi:…gangrenë. Por ne nuk mund të vendosim në piedestal vetëm elementët negativë të sistemit të drejtësisë, sepse nuk mund të negativizojmë të gjithë sistemin e drejtësisë.
Gazetari:Por unë flas për proceset e mëdha.
Presidenti Topi: Ka, ka procese të mëdha. Nuk mund të them tani, të jap verdiktin, sepse janë gjykatat për këtë punë. Përderisa nga një anë ju thoni, që ju jeni Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kjo do të thotë që unë duhet të kem respekt për të gjitha vendimet e gjykatave në Republikën e Shqipërisë. Nuk mund të futem në mënyrë analitike, sepse gjërat janë të përcaktuara, të ndara sipas Kushtetutës. Pra ekzistojnë të gjitha gjykatat, të Shkallës së Parë, të Apelit, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese. Fatmirësisht, fatmirësisht, sot është aksesi që qytetarët e Shqipërisë i drejtohen edhe Gjykatës së Strasburgut. Pra janë disa gjërat për të cilat patjetër duhet të kemi respekt në ushtrimin e detyrave specifike, dhe çdo tentativë për të monitoruar këto gjykata, nuk do të ishte gjë tjetër veçse ndërhyrje në punën e këtyre gjykatave.
Gazetari:Si e gjykoni punën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të kreut të saj gjatë këtyre viteve që ajo është aty? Mund të ishte punuar më shumë, sepse na thonë lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, një nga pengesat kryesore në rrugën tonë drejt integrimit?
Presidenti Topi: Sokol, problem nuk është thjesht individual. Vërtet titullari i një institucioni është shumë i rëndësishëm, por nuk është thjesht individual. Këtu është çështja e një sistemi. Këtu është çështja e një institucioni dhe çdo institucion operon mbi bazën e një ligji të caktuar ku titullarit nuk i lejohet të jetë arbitrar. Me fjalë të tjera nuk mund të ketë dorë të lirë për të operuar edhe aty ku ai mendon që duhet operuar, sepse ka rregulla, ka ligje që rregullojnë edhe pozicionin e nëpunësve, të prokurorëve, të gjyqtarëve. Mos mendoni ju? A e dini ju që edhe vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë?
Gazetari:I rikthehemi të njëjtit shqetësim, Gjykatës së Lartë.
Presidenti Topi:Në një sistem, përderisa Kushtetuta e ka parashikuar në këtë mënyrë, mos kujtoni ju që i vjen mirë një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që kur i rrëzon një vendim Gjykata e Lartë? Por është i detyruar ta pranojë.
Gazetari:Edhe kur ai është gabim?
Presidenti Topi:Nuk mund ta paragjykojmë ose ta gjykojmë keq, sepse ia kemi dhënë këtë besim Gjykatës së Lartë. Ju e dini që një anëtar i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti, merr miratimin në Parlament dhe ushtron funksionin e tij sipas ligjit.
Gazetari:Zoti President, jemi në fundin e intervistës sonë. Në mbylljen e vitit 2009 mbyllet dekada e parë e shekullit XXI, futemi në vitin 2010 dhe futemi në dekadën e dytë të shekullit XXI, vit i rëndësishëm sërish për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cila do të ishte kartolina e urimit dhe e parashikimit e Presidentit të republikës për këtë vit?
Presidenti Topi: Së pari unë do të dëshiroja që shoqëria shqiptare të jetë e qetë! Të ketë patjetër një përparim në ekonominë e familjeve të tyre, sepse njeriu përpara se të mendojë për zhvillimet politike, duhet të mendojë për ekonominë e familjes. Sigurisht që vijmë nga situate jo e qëndrueshme përsa u përket marrëdhënieve politike. Do të dëshiroja që institucionet e Shqipërisë të funksionojnë me kapacitet të plotë për t’u shërbyer qytetarëve! Kjo që unë them është e një këndvështrimi mjaft kompleks, sepse njerëzit mundohen ta aktivizojnë apo të fokusohen thjesht tek liberalizimi i vizave. Unë nuk mendoj që duhet parë aq ngushtë. Liberalizimi i vizave do të vijë. Është një proces që do të vijë. Ne jemi futur në një proces të pakthyeshëm. Pra është dëshira jonë, por është edhe interesi i familjes evropiane që në trajtimin gjeo-politik të të gjitha proceseve të marrë në konsideratë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë futur në linjën e integrimit euro-atlantik. Kështu që kjo është një çështje e realizimit në një kohë sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe unë uroj që procesi i liberalizimit të vizave të bëhet sa më shpejt! Ne do të futemi në detyrime që vijnë edhe për shkak të integrimit në Bashkimin Evropian, për t’i zbatuar detyrat tona sa më mirë qoftë në linjën politike, qoftë në linjën institucionale, qoftë në linjën ekonomike dhe dëshiroj që të krijohet një terren sa më i lirë për biznesin. Politikanët kanë një detyrë shumë të rëndësishme. Artikulojnë fjalë, arti