E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi viziton Familjen Mbretërore të Shqipërisë.

6 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi sot Familjen Mbretërore të Shqipërisë dhe zhvilloi një bisedë të përzemërt me pretendentin për fronin mbretëror Leka Zogu, të cilit i shprehu konsideratën për qëndrimet e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Pasi shkëmbeu me të mendime e pikëpamje për çështje aktuale të zhvillimit të vendit, Presidenti Topi është ndarë me pjesëtarët e familjes mbretërore, duke lënë një shënim në librin e përshtypjeve. “Është një kënaqësi e veçantë të shpreh impresionin dhe konsideratën e lartë për familjen mbretërore, e cila realisht është një pjesë e vyer e historisë së Kombit Shqiptar. Roli i Mbretit Zog në vendosjen e bazave të shtetit shqiptar me fizionomi evropiane është mjaft i vlerësueshëm nga historia dhe brezat. Kam besimin se roli i Familjes Mbretërore do të jetë koherent në të gjitha sfidat europiane dhe euroatlantike me atë të të gjithë institucioneve dhe shoqërisë shqiptare”, - thuhet në shënimin e Kryetarit të Shtetit.

Në një komunikim me mediat në përfundim të vizitës, Presidenti Topi u shpreh: “Është momenti që të japim mesazhe kontakti dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët, qofshin institucionalë, qofshin njerëzorë për t’i kontribuar frymës së paqes që dëshiron çdo shqiptar. Është në natyrën dhe në fizionominë e institucionit të Presidentit që të takojë të gjithë njerëzit, të marrë pjesë në aktivitete, për t’i kontribouar jo vetëm shkëmbimit të mendimeve dhe të vlerësimeve, por besoj edhe për të projektuar një të ardhme të përbashkët. E ardhmja jonë e përbashkët, sikurse jam shprehur edhe herë të tjera, ashtu sikurse janë shprehur dhe të gjithë faktorët politikë institucionalë, është në familjen europiane dhe atë euroatlantike.

Unë shfrytëzova rastin për të bërë këtë vizitë për të shkëmbyer mendime dhe ide, por edhe për ta pyetur Naltmadhninë për shëndetin. Kjo është në misionin njerëzor të punës së Presidentit. Nga ana tjetër, diskutuam dhe për çështjen mjaft të rëndësishme të Kosovës, e cila tashmë është në axhendën ndërkombëtare, kjo duke marrë në konsideratë edhe një ndjeshmëri të shprehur vazhdimisht nga Naltmadhnia. Gjithashtu, gjatë bisedës u evidentua dhe roli i Mbretit Ahmet Zog në periudhën, kur ai krijoi mbretërinë, duke i dhënë shtetit shqiptar jo vetëm bazat e formimit të tij, por duke i dhënë mbi të gjitha një fizionomi të një shteti europian, perëndimor.

Duhet konsideruar si një vizitë e natyrshme, njerëzore dhe besoj plotësisht në terrenin natyral të institucionit të Presidentit”.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, nëse vizita e sotme dhe ajo e djeshme në Skrapar janë tregues të së njëjtit shqetësim që Kryetari i Shetit ndan me Kryeminstrin e vendit për rishkrimin e saktë të historisë, Presidenti Topi iu përgjigj: “Unë e kuptoj që gazetarët mundohen ta kanalizojnë edhe prononcimin e Presidentit, aty ku e kanë paragjykuar. Dëshiroj të ritheksoj se nuk mund të paragjykohet natyra e vizitave dhe e kontakteve të Presidentit, për të kaluar në një temë tjetër, e cila gjithsesi i takon botës akademike, historianëve dhe gjithë faktorëve. Këtu isha për atë ç’ka shpreha”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›