E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Panairin Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” dhe dekoron përfaqësues të suksesshëm të biznesit.

29 nëntor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sot pasdite Panairin Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” 2008, të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në të cilin janë ekspozuar prodhime të sipërmarrësve vendas dhe të huaj.

Presidenti Topi u prit nga titullarët e Klik Ekspo Grupit, Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, z. Gjokë Uldedaj, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në Panair, si dhe nga një ekip i përzgjedhur sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj, të cilët kanë eskpozuar në këtë Panair.

Pasi zhvilloi një takim me një grup të ngushtë sipërmarrësish, midis të cilëve ishin edhe përfaqësues nga Kosova, Kreu i shtetit vizitoi stendat dhe pavionet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja.

Presidenti Topi u shpreh: “Mund të them diçka të improvizuar, sepse erdha ta vizitoj këtë Panair si një qytetar i thjeshtë, ashtu sikurse e kam vizituar gjithmonë. Vetëm mund t’ju them që pesëmbëdhjetë vite nuk janë pak dhe duke e kalkuluar momentin, kur ka filluar ky lloj aktiviteti korrespondon pikërisht me hapat e para të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Pra nuk ka ekonomi tregu pa promocion, pa ekspozicion.

Unë me këtë rast dëshiroj që të falenderoj të gjithë organizatorët, Grupin “Klik Ekspo”, të gjitha firmat që marrin pjesë! Tashmë kjo nuk është thjeshtë një traditë, por brenda kësaj tradite ka mjaft elementë modernë, të përparuar të ekonomisë së tregut. Eshtë një element i domosdoshëm i kësaj ekonomie: Shqipëria është një vend i hapur. Këtë e dëshmon edhe numri i firmave që marrin pjesë në Panair, që vit pas viti shtohet, rritet jo thjesht me përfaqësues të Shqipërisë, apo të vendeve fqinjë, por edhe të vendeve, të cilat mund të jenë edhe gjeografikisht larg Shqipërisë. Kjo tregon që konkurenca globale shikohet edhe në këtë Panair. Unë ndihem i gëzuar që në këtë Panair shikoj shumë njerëz. Janë qytetarë të thjeshtë, janë tregtarë, janë njerëz të medias dhe më vjen mirë që këtë prononcim e bëj pikërisht në këtë ekspozicion të një medieje, e cila konsiderohet si pioniere e futjes së teknologjisë moderne në Shqipëri. Për këtë ju falenderoj unë, unë ju falenderon gjithë Shqipëria, ju falenderojnë të gjithë shqiptarët, sepse ju keni bërë të mundur që ta shtrini botën e informacionit në çdo cep të globit tonë! Kjo falë jush, falë të ndjerit Dritan Hoxha, i cili me pasionin e tij arriti që të fusë teknologji, të cilat janë kompetitive edhe për botën e përparuar sot. Edhe një herë urimet më të mira dhe suksese në panairet e tjera”!

Kreu të shtetit iu dhurua në shenjë mirënjohje nga organizatorët e Panairit një Medalje e Artë me motivacionin: “Me mirënjohje për mbështetjen ndaj biznesit”.

* * *

Po sot pasdite, në kuadrin e Panairit XV Ndërkombëtar të Klik Ekspo Grupit, në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit nga ana e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi të një sërë sipërmarrjesh dhe përfaqësuesish të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm z. Aleksandër Flloko, u dekorua nga Presidenti i Republikës me medaljen “Për merita të veçanta civile”: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me këtë motivacion:“Për kontribut të vyer në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, brenda dhe jashtë vendit”; EHW-ja: “Për kontribut në ndikimin dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit, si një ndër të parat sipërmarrje të suksesshme në vend, me standarte bashkëkohore”; dhe Klik Ekspo Grupi: “Për kontribut të veçantë si nismëtar i Panaireve Ndërkombëtare në Shqipëri dhe themelues i Unionit të Panaireve Ballkanike, për ndihmesë të vyer në njohjen dhe integrimin e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit.”

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekorua pas vdekjes, Dritan Hoxha me këtë motivacion: “Ideatorit dhe krijuesit të talentuar të njërit prej grupeve më të fuqishme mediatike në vend, i cili revolucionarizoi median elektronike në Shqipëri duke vendosur standarte bashkëkohore dhe një shërbim cilësor për të gjithë shqiptarët” dhe avokati Xhovani Dexhenaro “Për kontribut të vyer në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, si një ndër përfaqësuesit e sipërmarrjeve të huaja më të suksesshme në Shqipëri”.

Të dekoruarit falenderuan dhe shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Kreut të shtetit shqiptar për nderimin dhe vlerësimin maksimal ndaj bashkësisë së biznesit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›