E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit dënon aktet terroriste në Indi, me anë të një letre dërguar Kryetarit të Parlamentit të Indisë.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli i ka dërguar një letër Kryetarit të Parlamentit të Indisë, Somnath Chatterjee, me anë të së cilës dënon  me forcën më të madhe aktet terroriste në Mumbai (Bombei) dhe shpreh solidaritetin e plotë me popullin e Indisë në këto momete tragjike. Në letrën e saj Kryetarja e Kuvendit shkruan:
Me dhimbje të madhe kam ndjekur këto ditë lajmet shokuese që vijnë nga Mumbai, dhe si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe në emër të deputetëve të këtij Kuvendi, Ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin e plotë me popullin tuaj në këto momente tragjike, jo vetëm për  vendin tuaj por për mbarë botën.
Kuvendi i Shqipërisë dënon me forcën më të madhe aktet e dhunës dhe terrorit në zemër të Mumbait, mbi burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm, ashtu siç dënon çdo sulm terrorist që kërcënon paqen në Botë.
Ju siguroj se angazhimi ynë kundër terrorizimit, si kërcënimi më i egër e barbar ndaj botës mbarë, do të jetë maksimal dhe i palëkundur.
Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk njeh kufij, prandaj të gjithë së bashku mbetemi të vendosur të vijojmë me më shumë forcë e kurajo luftën kundër çdo forme e rrjeti terrorist, për të mbrojtur jetët e shtrenjta të qytetarëve, vlerat e lirisë e demokracisë.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave që humbën jetën në këto akte terrori dhe urojmë një shërim sa më të shpejtë të të plagosurve.
Kuvendi i Shqipërisë shpreh bindjen e plotë në vendosjen e drejtësisë në Indi dhe në dënimin e merituar për të gjitha ata që shkaktuan këto akte terrorizmi që tronditën globin. shkruan në letrën e saj Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›