E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton familjen e poetit të pushkatuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste, Vilson Blloshmi

28 mars 2012
Fanjë, Librazhd

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot paradite një vizitë në familjen e poetit të pushkatuar gjatë periudhës së regjimit komunist,Vilson Blloshmi, në fshatin Fanjë të Komunës Qukës të rrethit të Librazhdit.

Presidenti Topi u prit nga Kryetari i Komunës Qukës, Fatmir Kryeziu,
nga zoti Sami Blloshmi, i ati i poetit të pushkatuar gjatë regjimit diktatorial, Vilson Blloshmi, nga Bedri and Nazmi Blloshmi, vëllezërit e të ndjerit, nga familjarë dhe nga të përndjekur të tjerë nga regjimi komunist.

Anëtarët e familjes Blloshmi, pas urimeve të mirëseardhjes dhe falënderimeve për vizitën e Presidentit Topi shprehën “mirënjohje për vlerësimin e lartë që vetë Kreu i Shtetit i bën familjes Blloshmi dhe gjithë të përndjekurve të saj nga regjimi diktatorial, të cilët, duke filluar nga babai, Samiu, u internuan në fshatin Gostimë duke u damkosur si familje reaksionare në një zonë më të largët nga vendlindja e tyre, Berzheshta”.

Gjithashtu, zoti Bedri Blloshmi duke shpjeguar historikun e përndjekjes së familjes e të historisë tragjike të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës të ilustruar edhe me fotografi e dokumente historike të ekspozuara në njërën prej dhomave-muze të shtëpisë, vuri në dukje se Kryetari i Shtetit meriton mirënjohje dhe vlerësim “për nderimin dhe respektin e kujtimit dhe veprës së poetëve të pushkatuar, duke kontribuar në këtë mënyrë në vënien në vend të dinjitetit dhe vlerave të nëpërkëmbura nga sistemi diktatorial i Shqipërisë komuniste”.

Gjatë vizitës në shtëpinë e familjes Blloshmi në fshatin Fanjë dhe bashkëbisedimit me të gjithë të pranishmit, Presidenti Topi vlerësoi në mënyrë të veçantë “qëndresën e Vilson Blloshmit, por dhe të të gjithë të dënuarve e të pushkatuarve të kohës së diktaturës, vetëmohimin dhe papajtueshmërinë e tyre me ideologjinë komuniste të një prej sistemeve më diktatoriale që shkaktoi krime monstruoze. Familja Blloshmi, një familje me tradita të hershme historike e atdhetare, që është dalluar edhe për intelektualizmin e saj, përjetoi hakmarrjen më të egër të diktaturës.”, duke theksuar gjithashtu se: “U takon vetë të përndjekurve të tregojnë historinë e patjetërsueshme duke vlerësuar e respektuar në radhë të parë vuajtjet dhe përndjekjet e tyre gjatë regjimit të kaluar në mënyrë që kujtesa dhe respekti të vendosen në projektimin e së ardhmes”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›