Kryeministri Berisha: Trajtimi i Autizmit do të njohë një qëndrim të ri ligjor, profesional dhe të gjithanshëm
- -Për të fituar betejën mbi autizmin është i nevojshëm një diagnostikim i hershëm i tij, që në hapat e parë të zhvillimit. Për këtë arsye është e domosdoshme që pranë institucioneve pediatrike të funksionojnë Qendrat Rajonale të diagnostikimit të hershëm të autizmit,
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha solli në vëmendje çështjen e fëmijëve me autizëm.
Duke sjellë si shembuj statistika aktuale, kryeministri tha se autizmi po bëhet një patologji frekuente, një fenomen frekuent. “Në mënyrë të përsëritur faktohet se 1 në 100 fëmijë lind me këtë fenomen, i cili ka spektrin e vet sigurisht. I takon që në Shqipëri 450 deri në 500 fëmijë në vit të lindin me forma të ndryshme të këtij fenomeni.”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha se në sajë të një pune të admirueshme të shoqërisë civile, fenomeni i autizmit, deri dje i injoruar dhe i lënë në harresë, sot është bërë i njohur, duke rritur shkallën e sensibilizimit të shoqërisë.
Duke vlerësuar progresin e padiskutueshëm të bërë në këtë drejtim, kryeministri theksoi se janë bërë përpjekje shumë serioze për përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj fenomenit të autizimit, përpjekje të cilat kërkojnë angazhimin dhe ndërhyrjen e fuqishme të shtetit. “Janë krijuar qendra të cilat trajtojnë fëmijët me autizëm. Është vendosur një bashkëpunim i shkëlqyer ndërkombëtar me qendrat botërore të autizmit. Janë përkthyer manuale dhe tekste bazë për edukimin e prindërve dhe personelit që merret me autizmin, etj. Por duhet ta pranojmë në tërësinë e tij , ky është një kontribut i shoqërisë civile, i biznesit, ndërkohë që fenomeni kërkon ndërhyrjen e fuqishme të shtetit.”, tha kryeministri.
Kryeministri u shpreh se për të fituar betejën mbi autizmin është i nevojshëm një diagnostikim i hershëm i tij, që në hapat e parë të zhvillimit. Për këtë arsye theksoi kryeministri është e domosdoshme që pranë institucioneve pediatrike të funksionojnë Qendrat Rajonale të diagnostikimit të hershëm të autizmit, të cilat do të ndihmojnë për kapjen në kohë të këtij fenomeni dhe trajtimin e tij.” Ndaj dhe është shumë e domosdoshme që të ngremë pranë institucioneve pediatrike njësitë e diagnostikimit të hershëm të autizmit, të përgatisim specialistët tanë” tha kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale marrjen e masave për ngritjen e Qendrave të asistencës për individët me spektër autizmi. “Zoti Ministër i Punës, Qendrat Polivalente të fëmijëve me të meta duhet të shkojnë drejt zhdukjes së tyre, duhet të jenë të profilizuara. Fëmijët me probleme janë të karaktereve nga më të ndryshmet. Ne duhet ti japim përparësi absolute fëmijëve dhe kur përcaktojmë një gjë të tillë edhe buxhetin e formatojmë sipas kësaj përparësie dhe shërbimet i ofrojmë sipas kësaj përparësie. Duhet të ketë qendra ditore për ata që janë mbi 18 vjeç , të cilët nuk janë ndihmuar dhe tu krijohet mundësia që të kalojnë ditën në këto qendra shërbimi. Pra është e domosdoshme duke përjashtuar çdo formë abuziviteti një qëndrim të ri ligjor, profesional dhe të gjithanshëm.”
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
Një çështje e dytë që desha të sjell në vëmendje sot është çështja e fëmijëve me autizëm. Autizmi po bëhet një patologji frekuente, një fenomen frekuent. Në mënyrë të përsëritur faktohet se 1 në 100 fëmijë lind me këtë fenomen, i cili ka spektrin e vet sigurisht. I takon që në Shqipëri 450 deri në 500 fëmijë në vit të lindin me forma të ndryshme të këtij fenomeni. Në një aspekt, për fat të keq ky fenomen ka qëne kryekëput i injoruar. Ka qenë i tillë sepse ndofta ka pasur përmasa ose incidencë shumë më të ulët, ose sepse prindërit dhe familjarët kanë mbajtur për vete brengën e fëmijës së tyre. Por sot, në sajë të një pune të admirueshme të shoqërisë civile, ky fenomen është bërë i njohur gjerësisht. Nuk është më një fenomen i injoruar. Janë bërë përpjekje shumë serioze për përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj fenomenit të autizimit. Janë krijuar qendra të cilat trajtojnë fëmijët me autizëm. Është vendosur një bashkëpunim i shkëlqyer ndërkombëtar me qendrat botërore të autizmit. Janë përkthyer manuale dhe tekste bazë për edukimin e prindërve dhe personelit që merret me autizmin. Pra ka një progres real të padiskutueshëm, por duhet ta pranojmë në tërësinë e tij, ky është një kontribut i shoqërisë civile, i biznesit, ndërkohë që fenomeni kërkon ndërhyrjen e fuqishme të shtetit. Autizmi është një fenomen me spektër të gjerë. Në spektrin e tij ka forma të cilat janë shumë më komplekse dhe më problematike se sa paraplegjia, në të gjithë aspektet dhe këto forma nuk kanë trajtimin që duhet. Në gravitetin dhe kompleksitetin janë më problematike sepse për fat të keq format e avancuara të autizimit kanë probleme të mëdha të sjelljes, por nuk janë të trajtuara në kuadrin tonë ligjor në mënyrë adekuate. Autizmi ka një spektër të gjerë dhe ndihma më e sigurtë është kur ai kapet në fillimet e tij, kur kapet në moshën më të hershme. Por a janë institucionet tona të përgatitura për diagnostikimin më të hershëm të tij. Këto institucione nuk janë të përgatitura për këtë gjë dhe çdo muaj që humbet, çdo vit që humbet në trajtim ëhtë një çmim shumë i madh për individin që vuan nga autizmi. Ndaj dhe është e domosdoshme që pranë institucioneve tona pediatrike të funksionojnë qendrat rajonale të diagnostikimit të hershëm të autizmit. Sot janë krijuar module dhe teste, instrumente, të cilat bëjnë të mundur qartësimin, stadin , prekjen që të gjitha. Ne këto duhet ti blejmë dhe të pajisim qëndrat tona me këto. Të krijohen fillimisht qendrat rajonale dhe kjo përbë një lehtësi. Sot vendi ka në infrastrukturë tjetër, nuk jemi në kushtet e pamundësisë së lëvizjes siç ishim më parë. Ndaj dhe është shumë e domosdoshme që të ngremë pranë institucioneve pediatrike njësitë e diagnostikimit të hershëm të autizmit, të përgatisim specialistët tanë. Shpresojmë që shkenca do ti japë një përgjigje të merituar. Përpjekjet që po bëhen janë shumë të mëdha. Disa të dhëna dhe zbulime janë shumë premtuese, por prapë mbettë një fenomen në rritje.
Duhet të ngrihen qendrat e asistencës për individët me spektër autizmi. Zoti Ministër i Punës, Qendrat Polivalente të fëmijëve me të meta duhet të shkojnë drejt zhdukjes së tyre, duhet të jenë të profilizuara. Fëmijët me probleme janë të karaktereve nga më të ndryshmet. Ne duhet ti japim përparësi absolute fëmijëve dhe kur përcaktojmë një gjë të tillë edhe buxhetin e formatojmë sipas kësaj përparësie dhe shërbimet i ofrojmë sipas kësaj përparësie. Duhet t ë ketë qendra ditore për ata që janë mbi 18 vjeç, të cilët nuk janë ndihmuar dhe tu krijohet mundësia që të kalojnë ditën në këto qendra shërbimi. Pra ëhstë e domosdoshme duke përjashtuar çdo formë abuziviteti një qëndrim të ri ligjor, profesional dhe të gjithanshëm. Ne jemi shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në këtë drejtim, por ne nuk mund të rrimë vetëm me këtë , por duhet të ndërhyjmë fuqishëm, të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Marrja e këtyre përgjegjësive është e domosdoshme . Nuk është një incidencë në ulje, përkundrazi është në rritje. Ndihmon kapja e hershme, e cila është absolutisht garancia më e madhe e suksesit për aftësimin e tyre. Ky fenomen, flasim për fenomen duhet të marrë trajtimin e vet në të gjithë spektrin. Së bashku me Ministrinë e shëndetësisë dhe me ekspertë të fushës duhet të përcaktohet një seri masash, kuadër ligjor e nënligjor për ti dhënë një përgjigje këtij fenomeni.
28/03/2012