E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti: Zbatoni ligjin për zgjedhjet!

24/02/2011  Kreu i shtetit u dërgon letër kryetarëve të partive politike

Topi: Imazhi i Shqipërisë është dëmtuar ndjeshëm në raport me BE-në

Presidenti, Bamir Topi, ka kërkuar nisjen e dialogut mes partive kryesore duke marrw pwrsipwr dhe rolin e nismëtarit pwr njw tryezw. Në letrën e tij të hapur që u dërgoi dje kryetarëve të partive duke u bërë apel për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë të krizës. Kreu i shtetit thekson se “personalisht jam i gatshëm të marr çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpres dhe të mbështes propozime konkrete, që bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu”. Në mesazhin e tij, Presidenti Topi kërkon nga palët zgjidhjen e konfliktit, si dhe thekson se ato duhet të nisin përgatitjet e tyre të zgjedhjeve të ardhshme vendore, që do të mbahen më 8 maj. Gjithashtu, ai u bëri apel liderëve politikë që të qëndrojnë larg retorikës që nxit konflikt. “Unë apeloj të ndikoni personalisht mbi partinë tuaj politike, politikanët, medien dhe mbështetësit tuaj politikë për vetëpërmbajtje dhe sjellje larg çdo retorike konfliktuale, për respektim e mbështetje të institucioneve kushtetuese, për pjesëmarrje dhe jetë aktive parlamentare, për përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj procesit zgjedhor të datës 8 maj, si dhe për realizimin në kohë të të gjitha kërkesave të parashtruara nga Komisioni Europian”, - theksohet në letrën e kreut të shtetit. Në mesazhin e tij për politikën shqiptare Presidenti Topi, pasi shpreh shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës politike në Shqipëri, paraqet këndvështrimin e tij mbi problematikën e krizës politike, pasojat e saj, si dhe sugjeron mjete politike e institucionale për kapërcimin e saj, pasi “imazhi i Shqipërisë është dëmtuar ndjeshëm në raport me Bashkimin Europian dhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë”.

Hetimi i 21 janarit

“Ndaj me ju të njëjtin mendim për nevojën e hetimit korrekt, profesional dhe të pavarur të këtyre ngjarjeve, me qëllim që cilido individ që ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore. Shqipëria meriton të ketë institucione të pavarura, ku çdo problematikë meriton të marrë zgjidhje ligjore e institucionale”, - tha Topi.

Apeli

“Shqipëria ka nevojë emergjente të kapërcejë krizën politike në të cilën ndodhet, të dëshmojë aftësi dhe maturi politike për tiu rikthyer orientimit të vendosur europian, siç besoj dhe theksoj se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të presin nga përfaqësuesit e tyre politikë aftësi për të kërkuar e gjetur zgjidhje afatgjata në interes të tyre dhe të vendit”, - ishte apeli i Presidentit për politikën shqiptare.

Ndihma e SHBA-ve

Arvizu: Integrimi nis nga vota

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër A. Arvizu, njoftoi dje se ambasada e SHBA-ve në Tiranë do të dhurojë afro 360 mijë dollarë në ndihmë të shoqërinë civile në lidhje me zgjedhjet. Fondet e dhuruara do të përdoren për monitorimin e zgjedhjeve vendore, të planifikuara për më 8 maj 2011. Në ceremoninë e djeshme, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medies, ambasadori vuri në dukje rëndësinë e ushtrimit të së drejtës së votës. “Çështja është se cilido ka një votë dhe vota e secilit ka po aq vlerë sa e kujtdo tjetër. Që Shqipëria të ecë përpara, është me rëndësi të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar. Është po ashtu me rëndësi për ata që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme politike që tu japin votuesve shqiptarë një mundësi zgjedhjeje, që të mund të bëjnë një zgjedhje. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë.”

“Zhvillimi i lidershipit politik të grave”

Topalli: PS e PD të respektojnë të drejtat e përfaqësimit më 8 maj

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u bëri thirrje liderëve politikë që në listat e tyre për zgjedhjet vendore të 8 majit të respektohen të drejtat e përfaqësimit të grave, si dhe të mbështesin pjesëmarrjen e zonjave në përfaqësimin dhe lidershipin në qeverisjen vendore, në komuna dhe bashki. Topalli, e cila mori pjesë dje si e ftuar e veçantë në ceremoninë e ndarjes së diplomave të programit “Zhvillimi i lidershipit politik të grave”, në përfundim të aktivitetit iu përgjigj më pas dhe interesimit të medies që ishte e pranishme në këtë ceremoni. E pyetur në lidhje me situatën më të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbledhjet e të cilit që nga fillimi i këtij viti janë bojkotuar sistematikisht nga tre anëtarët e propozuar nga PS-ja, Topalli u shpreh se KQZ-ja po punon çdo ditë me integritetin dhe vendosmërinë më të madhe në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës. “Në Shqipëri ka vetëm një zgjidhje, dhe kjo është futja brenda shinave kushtetuese të atyre që bënë 21 janarin, të atyre që dështuan me dhunën e tyre për të përmbysur një qeveri legjitime. Ka vetëm një zgjidhje, dhe ajo është Kushtetuta”, - tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›