E Shtunë, 31 Tetor 2026

Via Egnatia, zbulime të reja në ekspozitën e 3 pedagogëve

24/02/2011  Është gjetur një stelë varri dhe toponime mjaft të rëndësishme të këtij segmenti

LEDIA LLESHI

ELBASAN- Pedagogë të universitetit të “Aleksandër Xhuvanit” kanë realizuar një ekspozitë me pamje dhe informacione mbi gjurmët e Via Egnatia duke filluar nga Durrësi për të përfunduar deri në Ohër. Në këtë iniciativë të mbështetur nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe universiteti “Aleksandër Xhuvani” është realizuar konstatimi, evidentimi, fotografimi i të gjitha gjurmëve ekzistuese dhe kërkimi për gjurmë të reja për rrugën antike që përshkon në pjesën më të madhe qarkun e Elbasanit. Në aktivitetin prezantues të realizuar në ambientin e Universitetit të Elbasanit me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal, si dhe të huaj të prezentë në Elbasan janë evidentuar vlerat e kësaj rruge me hartat shoqëruese. Në këtë udhëtim që ka zgjatur një stinë për tre pedagogët Riza Hasa, Albert Riska dhe pedagogu italian, kanë ardhur edhe elementë të rinj të panjohur më parë.

Via Egnatia

Rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është evidentimi dhe prezantimi i atyre vlerave që Via Egnatia ka në territorin shqiptar. Dihet që ka një vlerë të pallogaritshme si një dëshmi e Romës Antike. Aktualisht kemi aplikuar dhe do të bëhemi pjesë e këtyre projekte për evidentimin dhe shfrytëzimin e këtyre vlerave që shfaq Via Egnatia. Universiteti i Elbasanit disponon kapacitetet intelektuale kërkimore, si dhe strukturat siç është Masteri i Trashëgimisë Kulturore dhe do t’i vëmë në funksion të studimit dhe sidomos prezantimit të këtyre vlerave të mëdha që konservon Elbasani. Në këtë rrugëtim Riza Hasa, arkeolog i njohur, Albert Riska, gjuhëtar dhe një pedagog i njohur italian i degës së Gjermanishtes.

Riza Hasa shpjegon se gjatë këtij rrugëtimi janë gjetur edhe detaje të reja që ja shtojnë vlerat Via Egnatia. “Stela varri shumë interesante me mbishkrime. Kalonin njerëz të shquar. Bashkë me emrat romakë vijnë edhe emra ilir. Kemi mjaft pasuri përgjatë kësaj rruge. Në përgjithësi duke qenë kemi rrugë mbi rrugë duke qenë se rrugët moderne kanë ndjekur të njëjtin drejtim. Kemi një fat të madh ku janë ruajtur mirë pjesa e Librazhdit. Mendojmë që në Karinë të Peqinit kemi gjetur një trase të Egnatias. Gurët që ishin aty ishin të ardhur buzë një përroi përgjatë gjurmës. Vendasit e quajnë gur Berati. Ndërkohë në Shalës mendohet që është një termë romake. Një ish-student i imi nga Thana na ka sjellë një gjyle e një terme që mendohet se ka qenë një tjetër stacion të Egnatia.

Lidhur me këto zbulime dhe eksplorime, Hasa tha se për t’i bërë publike, për të tërhequr vëmendjen duhet bashkëpunimi i të gjitha strukturave. “Ne harxhuam një verë të tërë për të arritur deri këtu. Por kjo punë do reklamë, ekspozim. Ne përgatisim studentë për t’u bërë shpërndarës të kësaj kulture. E kemi filluar ketë sidomos me degën e Trashëgimisë Kulture. Kjo e bën Elbasanin më të rëndësishëm duke e lidhur me rrugën e vjetër antike, e cila është një vlerë që duhet rivitalizuar dhe duhet shfrytëzuar si për studime, ashtu edhe për turizëm. Kanë sjellë zbulime të reja për sa i përket arkeologjisë dhe gjuhës, por edhe kanë evidentuar gjendjen aktuale të këtij segmenti dhe mundësitë për ta shfrytëzuar si në aspektin shkencor, ashtu edhe në aspektin turistik pasurinë më të madhe të kohës antike që ndodhet në territorin e qarkut të Elbasanit bashkë me stacionet e saj dhe gjurmët që sipas tyre janë ruajtur mirë sidomos në zonën e Librazhdit”. Ndërkohë profesori i Gjuhës, Albert Riska, tha se janë zbuluar shumë emra njerëzish dhe toponime me vlerë që diktojnë edhe evoluimin dhe ndryshimet gjuhësore, duke qenë një pasuri e madhe për gjuhëtarët dhe studiuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›