E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Kapriçiot e opozitës dogjën kandidaturën e Zaganjorit, të hënën me President

08-06-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta reagoi pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit nga gara e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Meta tha se është për të ardhur keq që edhe raundi i tretë u konsumua pa arritur një konsensus politik, çka çoi në heqjen dorë nga kandidatura të gjyqtarit Zaganjori.


“Duke u njohur me tërheqjen nga kandidimi për president të z. Xhezair Zaganjori, e cila ka qenë një iniciativë tërësisht sovrane e tij dhe që konfirmon, edhe një herë, integritetin dhe personalitetin e tij dhe faktin që ai nuk e kërkoi këtë pozitë por iu kërkua për hir të një konsensusi të gjerë për të marrë postin më përfaqësues, atë të Presidentit të Republikës. Theksoj edhe një herë tjetër që mazhoranca, në kërkesën e saj drejtuar z. Zaganjori, ka qenë tepër e interesuar për t’i shkuar deri në fund zgjedhjes së kësaj kandidature"- tha Meta.


Kreu i LSI-së theksoi se do bëhen të gjitha përpjekjet brenda koalicionit qeveritar, që vendi të ketë Presidentin ditën e hënë, në raundin e katërt të votimit. 

Do të ketë një tryezë tjetër apo konsultime për një tjetër kandidat dhe në këtë tryezë a do të përfshihet edhe opozita?

Opozita ka qenë e përfshirë në të gjithë këtë proces. Opozita ka humbur një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin e saj për këtë kandidaturë. Unë shpreh keqardhjen e thellë. Kërkesat që mazhoranca të propozojë një kandidaturë të ngjashme me atë të z. Zaganjori nuk mendoj se kanë qenë tepër solide, kur ne paraqitëm një kandidaturë tepër konkrete, që e kishte votuar në Parlament opozita e sotme dikur mazhorancë. Natyrisht që kjo çështje do të zgjidhet. Unë shpresoj përsëri që të ecet me përpjekje për konsensus por konsensusi dhe kapriçiot përjashtojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, më të drejtpërdrejtë lidhur me ecurinë e mëtejshme do të jemi nesër, sepse kuptohet që ne jemi në një koalicion. Ne do të konsultohemi dhe do të diskutojmë gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme dhe kështu me radhë. Megjithatë do të gjejmë një zgjidhej dhe parlamenti do të jetë sovran. Kjo është e sigurt.

Z. Meta, a do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim në mbështetje të një kandidature që do të vijë nga kryesia e Partisë Demokratike?

Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një zgjidhje sa më të mirë për Shqipërinë dhe kështu ka qenë që në fillim të këtij procesi. Nuk është përgjegjësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim që ky proces nuk u kurorëzua me sukses të plotë. Por nëse patëm një proces, deri tani, pavarësisht nga mangësitë e tij, për shkak edhe të sjelljeve emocionale të aktorëve të caktuar, përsëri ky proces, kjo transparencë, ky debat ka pasur në themel të tij edhe kontributin modest dhe konstruktiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe LSI do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë konstruktive dhe parimore për këtë zgjidhje.

Do të jeni për një kandidaturë politike?

Ne do të kontribuojmë, që brenda javës që vjen, duke u nisur që nga e hëna që  Shqipëria të ketë presidentin e ri. Na vjen keq nga kjo tërheqje, të cilën unë e çmoj dhe respektoj dhe që tregon vlerat dhe integritetin e kandidatit, i cili u paragjykua padrejtësisht nga opozita, i cili e vizitoi me iniciativën e tij selinë e Partisë Socialiste dhe kreun e saj në mënyrë tepër qytetare të përgjegjshme dhe civile. Megjithatë do të ecim përpara me qetësi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›