E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Europës sjell raporterët në Tiranë

Këshilli i Europës sjell në Tiranë finlandezin Jaakko Laakso dhe anglezin David Wilshire në fillim të nëntorit. Bashkë-raporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të zhvillojnë një mision faktmbledhës në vend në datat 3 deri më 5 nëntor për të vlerësuar respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë në lidhje me Këshillin e Europës. Kjo vizitë do të mundësojë finalizimin e raportit, i cili do të debatohet në seancën plenare të janarit në Strasburg. Laakso dhe Wilshire do të takohen në Tiranë me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, disa ministra të kabinetit "Berisha" dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Bashkë-raporterët do të takohen gjithashtu me kryebashkiakët e disa prej qyteteve, përfshirë Tiranën dhe Shkodrën, dhe përfaqësues të minoritetit malazez. Së fundmi ata do të kenë diskutime me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë vizitës që do të zhvillojnë në një burg të vendit. Po kështu, zyra e Këshillit të Europës në Tiranë njofton se Presidenti në detyrë i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Micallef, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri për të vlerësuar situatën e demokracisë lokale dhe rajonale në vend. Ai do të takohet me Presidentin e Republikës Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe Kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›