E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i PPE, Martens: Tërheqja e anëtarëve të PS nga KQZ, e papranueshme

BRUKSEL- Kryetari i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Ëilfried Martens, nëpërmjet një deklarate mbi situatën politike në Shqipëri dënon atë që ai e quan bojkot të KQZ nga anëtarët socialiste dhe shpreh mbështetjen për PD-në e kryeministrin Berisha.

"Kam ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në Shqipëri që nga largimi i LSI nga koalicioni qeverisës për tu bashkuar me opozitën. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të reflektojë për riorganizimin e koalicionit qeveritar”, theksoi Presidenti i PPE.

Sipas Martens, “Riorganizimi ka një rëndësi të madhe për të ruajtur ekuilibrin brenda KQZ-së, e cila është përcaktuar në bazë të marrëveshjeve ndërpartiake dhe ligjeve mbi zgjedhjet të hartuara me ndërmjetësimin e OSBE/ODIHR-it, implementimi i të cilave ka filluar të konsolidohet që nga viti 2004”.

Ai tha se, cdo përpjekje për të ndryshuar balancën për të cilën është rënë dakord, që 4 anëtarë të KQZ-së të propozohen nga qeveria dhe 3 nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar tërë sistemin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve.

"Në këto rrethana, tërheqja e anëtarëve socialistë të KQZ-së është e papranueshme", shtoi Wilfried Martens.

"PPE mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike dhe është e bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojnë një hap vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE", përfundoi Presidenti Martens.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›