E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderohet me titullin “Nderi i Qytetit të Libohovës”

19-08-2013 / Gazeta 55

Në festën e përvitshme të qytetit, qindra libohovitë kanë përshëndetur kryetarin e shtetit, duke e pritur me krenarinë që ndjen Libohova për qytetarin e parë të Shqipërisë. Nishani: “Krenar për rrënjët e mia, Libohova dhe libohovitët pasuruan identitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”

Libohova ka nderuar me titullin “Nderi i qytetit”, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Dje në festën e përvitshme tradicionale të Libohovës, në praninë dhe entuziazmin e qindra qytetarëve nga Libohova dhe zonat përreth, ky titull iu dorëzua Kreut të Shtetit nga Kryetari i Bashkisë, Altin Çomo me motivacionin “Personalitet i shquar libohovit, me vlera dhe kontribute të veçanta si ministër reformator në disa qeveri, President i Republikës, atdhetar dhe diplomat, politikan dhe burrë shteti”. Emocioneve personale të origjinës familjare, Presidenti Nishani u bashkëngjiti në fjalën e mbajtur në këtë festë edhe evokimin e vlerave identike, historike e kulturore të Libohovës, vlera që e kanë pasuruar identitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Sot kjo qytezë më ndez edhe më forcon krenarinë, krenarinë e të parëve të mi, të gjyshit tim, të stërgjyshit tim, të katragjyshit tim, që u lindën dhe u rritën në këtë tokë të bekuar, më jep më shumë krenari për rrënjët e mia të hershme, për atë identitet të rrallë, që ka Libohova dhe libohovitët  e që ka pasuruar përherë identitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është pikërisht ky identitet që do të arrijë ta drejtojë sa më mirë e do ta dërgojë sa më shpejt e me sa më pak dëme, rrugëtimin tonë kah integrimit me shpirtin dhe kulturën e Europës, ashtu shtruar, qetë, i ngulitur në mishin dhe gjakun e njerëzve përgjatë historisë së këtij vendi, siç kanë ditur të ecin gjithmonë libohovitët. Ndaj, le t’i kultivojmë dhe ripërtërijmë shpirtërisht e praktikisht traditat tona, me bindjen se shpërblesën prej tyre do ta kemi të sigurt e të shëndetshme në gjithë rrugën e jetës sonë individuale e kolektive si komb” - u shpreh Presidenti Nishani. E ndërsa shprehu një vlerësim të lartë për familjen e madhe themeluese të Libohovës dhe veprën e  vëllezërve Mufit, Eqerem dhe Ajet Libohova, dhe kontributin e libohovitëve për çështjen kombëtare, Presidenti i Republikës nënvizoi edhe qëndrimin antikomunist të Libohovës. “Përpara se thundra e përbindshme e komunizmit të binte ashpër mbi lëvizjen e Kelmendit, apo kryengritjen e Postribës, ka rënë këtu në Libohovë që në verën e vitit 1943 duke vrarë 104 burra e të rinj. Libohova ishte kështjella e fundit antikomuniste në Shqipërinë e jugut, pasi ishin pushtuar të tjerat”, - nënvizoi Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani renditi në fjalën e tij vlerësimet edhe për një sërë personalitetesh të lindur në “Qytetin e Kadilerëve”, siç njihej ndryshe Libohova në gjysmën e parë të shekullit të XX, si ish kryebashkiakun e Tiranës Abedin Nepravishta që së bashku me arkitektin italian Brasini hartoi dhe zbatoi planin rregullues të kryeqytetit, Arshi Pipën me veprën e tij voluminoze politike, letrare dhe filozofike, Branko Merxhanin, sociolog, gazetar e filozof, Sabiha Kasimatin, të parën shkencëtare femër në Shqipëri, Nexhmije Zaimin, gazetare e “Zërit të Amerikës”, e plot të tjerë libohovitë që lanë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Duke përmendur edhe rrëfimin e Bajronit për vajzat e bukura dhe gjellët e shijshme libohovite, Presidenti Nishani solli në vëmendje vlerat turistike të Libohovës, pasuritë natyrore dhe monumentet historiko- kulturore, dhe sidomos traditat e shkëlqyera të libohovitëve, të cilat përbëjnë atë identitet origjinal, që i dallon ato nga njeri tjetri në epokën e globalizmit. “Në betejën për t’i ruajtur këto thesare, që po asimilohen nga prirja e përbotshme për t’u tretur në botën e modës, unë them me bindje se Libohova dhe libohovitët kanë dalë fitimtarë duke ruajtur zakonet më të mira të të parëve të tyre dhe sigurisht, duke u dhënë atyre një shkëlqim të ri”, - deklaroi Presidenti Nishani.

Vëzhgimi/ Erjon Braçe, “langoi” i Edi Ramës kundër presidentit Nishani
Deputeti socialist Erjon Brace nuk ka ditë të zotit në tokë që të mos marrë dikë gojë. Përgojimi është arti me të cilën ka mundur të mbijetojë në politikë. Ish-kryeredaktori i “Zërit të Popullit”, organ zyrtar i Partisë Komuniste, ka zënë një frëngji në rrjetin social Facebook dhe goditet me breshëri insinuatash presidentin e Republikës Bujar Nishani duke treguar devotshmërinë për t’i shërbyer Edi Ramës me cdo mjet.  Erjon Brace dy ditët e fundit ka nisur një fushatë fyerjesh ndaj presidentit të Republikës. Ndërsa  Libohova nderoi dje me titullin “Nderi i qytetit”, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Menjëherë pas kësaj ka reaguar deputeti socialist Erjon Braçe me një prononcim në Facebook, por pa përmendur emra. Brace ka kërkuar të dijë kriteret që nderojnë një person me titullin ‘Qytetar Nderi’. Sipas tij, presidenti Nishani nuk ka bërë asgjë prej gjeje për Libohovën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›