Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takon në Bruksel, Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule

Stefan Fyle: Jemi të gatshëm t’i ofrojmë Shqipërisë statusin e kandidatit
Komisioni Evropian vlerëson progresin reformator të Shqipërisë dhe është i gatshëm të ofrojë statusin e vendit kandidat. Ky ishte konkluzioni i takimit midis komisionerit për zgjerimin dhe Politikës Evropiane të Fqinjësisë Stefan Fule dhe Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Fule, pasi vlerësoi në detaje situatën e tanishme sa i përket realizimit të reformave siguroi Presidentin Nishani për gatishmërinë e Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi që të përfundohen reformat e kërkuara për realizimin e masës kritike me fokus në mënyrë të veçantë të reformave parlamentare
Nishani: Prioritet, reforma në drejtësi – gjithçka për t’u shërbyer standardeve të integrimit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, zhvilloi dje një takim të veçantë nga Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, bazuar në 12 prioritetet e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe për hapat që duhen ndërmarrë në kohën e mbetur, me qëllim që të fitohet statusi i vendit kandidat në BE. Komisioneri Fule, pasi vlerësoi në detaje situatën e tanishme sa i përket realizimit të reformave garantoi Presidentin Nishani për gatishmërinë e Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por kërkoi që të përfundohen reformat e kërkuara për realizimin e masës kritike me fokus në mënyrë të veçantë te reforma parlamentare, ligji për kufizimin e imunitetit dhe garantimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, i cili të garantojë më shumë efektivitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Presidenti Nishani, pasi falenderoi Komisionerin Füle për kontributin e tij në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë e siguroi se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe vullneti politik, institucional dhe qytetar që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e mbetura për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryetari i Shtetit u shpreh se do të angazhohet institucionalisht në reformimin e sistemit gjyqësor dhe se do të përcjellë vazhdimisht te klasa politike dhe populli shqiptar mesazhet e gjithëpërfshirës dhe të nevojës për të gjetur konsensusin për çështje madhore në interes të integrimit evropian, që përbën gjithashtu vullnetin e palëkundur të popullit shqiptar.
Pas takimit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu përgjigj interesit të medias në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel
Z.Nishani, lidhur me takimin me Komisionerin Füle, çfarë biseduat, çfarë mesazhesh morët dhe çfarë dhatë?
Takimi me Komisionerin Füle ishte padyshim një takim shumë pozitiv në vijim të takimeve të rëndësishme që pata dje me Presidentin Van Rompuy dhe me Presidentin e Komisionit Barroso. U diskutua rreth 12 prioriteteve të raport-progresit. Pata mundësinë që të nënvizoja arritjet e rëndësishme që janë bërë në këto 12 prioritete, ku u veçuan padiskutim arritje të rëndësishme politike siç ishin qoftë miratimi me konsensus në Parlament i Kodit të ri Zgjedhor, përpjekjet e bëra dhe të gjitha shenjat pozitive për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për kufizimin e imunitetit si hapa të rëndësishme të konsensusit politik midis palëve dhe si tregues i përgjegjësisë dhe i përgjegjshmërisë së të gjitha palëve politike në Shqipëri në shërbim të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Një vend të rëndësishëm në bisedimet me Komisionerin Füle zunë çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi ku Presidenti i Republikës, edhe në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka angazhime të rëndësishme. Aty unë prezantova të gjitha objektivat e mi si President i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të ecur me shpejtësi në reforma të rëndësishme, të cilat do t’i shërbejnë rritjes së besimit të sistemit të drejtësisë tek qytetarët shqiptarë. Pata dhe mora të gjithë mbështetjen e rëndësishme nga Komisioneri Füle për këtë angazhim të Presidentit në reformat në drejtësi, ashtu siç pata dhe gjeta besime pozitive në vijim të qëndrimeve të Presidentit Van Rompuy dhe të Presidentit Barroso që, Shqipëria i ka të gjitha shanset për ta marrë statusin e vendit kandidat, natyrisht duke vijuar plotësimin e të gjitha detyrave që ne kemi përpara dhe duke forcuar akoma më shumë bashkëpunimin politik në Shqipëri.
Pikërisht, reformat e deritanishme, janë konsideruar sot nga Komisioneri Fule të mjaftueshme për të dhënë statusin e vendit kandidat?
Edhe nga Komisioneri Fule, edhe nga Presidenti Barroso, u evidentua fakti që, marrja e statusit të vendit kandidat është plotësisht i mundshëm, natyrisht kemi ende kohë deri në momentin e daljes të progres-raportit nga ana e Komisionit Evropian dhe gjatë kësaj kohë çdo orë dhe çdo ditë do të jetë punë e vijueshme e të gjitha aktorëve në Shqipëri për të përmbushur të gjitha ato çështje që janë ende në diskutim e në bashkëpunim midis palëve.
Ndërkohë, në Kuvend sot do të votohet kufizimi i imunitetit, sa do ta mbështesë kjo sfidën tuaj për reformën në drejtësi?
Heqja apo kufizimi i imuniteteve është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme në disa dimensione. Së pari ajo ka të bëjë pikërisht me çështjet parimore të funksionimit të shtetit të së drejtës që do të thotë se është mesazhi më i qartë që klasa politike u jep qytetarëve shqiptarë përsa i takon barazisë përpara ligjit. Së dyti, ka një rëndësi të madhe edhe për konceptin e shtetit ligjor, që do të thotë funksionimi i shtetit ligjor dhe institucioneve ligjzbatuese. Nuk mund të ketë asnjë pengesë artificiale për të përmbushur misionin e tyre kushtetues dhe ligjor. Së treti, është mesazhi më i mirë i bashkëpunimit dhe i konsensusit politik në kuptimin e angazhimeve të të gjitha palëve për t’i shërbyer procesit të integrimit. Pra, në të gjitha këto dimensione është një hap i rëndësishëm, të cilin unë e përshëndes dhe e mbështes, por është një ndihmë pa diskutim për të gjitha institucionet, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, për të përmbushur në mënyrën me eficiente të mundshme misionet dhe detyrat e tyre kushtetuese.
Ju e dini që ka një shqetësim edhe në Bruksel, por edhe në Tiranë sidomos pas ngjarjes së fundit që, korrupsioni në drejtësi është vërtetë një problem mjaft shqetësues. Duke pasur përvojë edhe si Ministër i Drejtësisë, çfarë mendoni të bëni në mënyrë të veçantë që të ndihen përmirësime në drejtësi, sidomos në Gjyqësor?
Unë jam angazhuar përpara opinionit publik shqiptar, por edhe përpara institucioneve shqiptare që prioriteti kryesor i Presidentit të Republikës do të jetë reforma në sistemin e drejtësisë. Presidenti i Republikës ka një mundësi shumë të madhe për shkak edhe të pozicionit të tij dhe si kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë në bazë të kërkesës që unë u kam adresuar të gjitha anëtarëve të Këshillit do të profilizojë aktivitetin e tij në dy shtylla kryesore: së pari, në qenien e një enti grant për lirinë dhe pavarësinë e gjyqtarëve, në mënyrë të tillë që ata të përmbushin funksionet e tyre tërësisht të mbrojtur nga çdo kërcënim apo shantazh që mund t’u vijë atyre për shkak të ushtrimit të detyrës, dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dhe Presidenti i Republikës, ka detyrën të konsolidohen si mbrojtës të pavarësisë së gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, dhe nga ana tjetër, në përmbushje të interesit të qytetarëve shqiptarë, si një ent i cili do të hetojë dhe godasë çdo fenomen korruptimi që lidhet me mungesën e dhënies së drejtësisë. Të dyja këto janë sfidat kryesore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por dhe të Presidentit të Republikës, si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndaj, unë po punoj ngushtë me të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pikërisht për t’u adresuar ndaj të dyja këtyre çështjeve që janë me mjaft interes për qytetarët shqiptarë në radhë të parë, por natyrisht, edhe për të gjitha etapat e tjera dhe çështjet me të cilat ndeshet Shqipëria.
Ky takim pati dy gjëra të veçanta, së pari, rreth një orë e gjysmë, takim tepër i gjatë, shumë rrallë kemi parë një takim kaq të gjatë me liderë shqiptarë, dhe së dyti, Komisioneri ju përcolli deri poshtë, gjë që e bën shumë rrallë. Si ta marrim këtë si sinjal, me të vërtetë u bind nga të gjitha garancitë që i dhatë ju për reformën në drejtësi, dhe a është kjo ajo që mbetet për të bërë?
Unë dëshiroj dhe njëherë, që të përfitoj nga rasti që jam para jush për të shprehur vlerësimet dhe falënderimet e mia për pritjen shumë të ngrohtë që mu rezervua nga autoritetet më të larta të Bashkimit Evropian, nga Presidenti Van Rompuy, nga Presidenti i Komisionit Barroso, nga Komisioneri Fule, dhe në të gjitha takimet, përfshirë dhe atë me Komisionerin Füle, i diskutuam çështjet në mënyrë shumë të hapur, shumë transparente. Dhe unë, ajo që vlerësova më shumë, gjeta besimin që ekziston tek mundësitë që ka Shqipëria dhe shqiptarët për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.
Zoti Nishani, si do e garantoni pavarësinë e institucioneve, që në njëfarë forme, ne qoftë se keni diskutuar për këtë çështje me bashkëbiseduesit tuaj, në mënyrë që të ruhen balancat dhe që të mos ketë njëanshmëri, le të themi të kontrollit mbi institucione, duke patur parasysh këtu që një nga veprimet tuaja të para ka qenë edhe heqja, ose ndryshimi i Kreut të SHISH-it, i cili ngjalli debat për njëanshmërinë ndoshta e këtij vendimi tuajin?
Të gjitha veprimet duhen gjykuar mbi bazën e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Garancia më e madhe nuk janë individët, garancia janë ligjet, janë procedurat, të cilat duhet të konsolidohen në standardet evropiane. Pikërisht këto janë garanci të cilat nuk mund të vijnë vetëm nga Presidenti i Republikës, cilido qoftë ai, por këto duhet të vijnë pikërisht nga procedurat që kemi ne. Dhe ne duhet t’i konsolidojmë procedurat pikërisht mbi bazën e standardeve që sot aplikohen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe pikërisht, në çështjen e promovimit për shembull, të gjyqtarëve që ju e përmendët në pyetjen tuaj me shumë të drejtë, ne duhet të shkojmë drejt atij sistemi vlerësimi dhe promovimi të karrierës, i cili nuk duhet të jetë i bazuar mbi subkoshiencën e Presidentit të Republikës, apo të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, apo të lobimeve të ndryshme që mund të bëhen në drejtim të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por vetëm mbi bazën e praktikave, kritereve dhe sistemeve të pikëzuara, të cilat duhet të jenë publike, transparente. Dhe Këshilli i Lartë të Drejtësisë, përfshi dhe Presidentin e Republikës, duhet të marrin çdo vendim vetëm mbi bazën e kësaj procedure tashmë të bërë publike. Ky është dhe angazhimi kryesor që neve kemi në këtë fushë.
Z.Nishani, a ka afate kohore për angazhimet që juve keni marrë sot në Komision?
Natyrisht ka pasur, ka një “Action Plan”, plan veprimi i cili natyrisht, dhe për pjesën e gjyqësorit, vetëm disa ditë më përpara kishim dy arritje shumë të rëndësishme. Unë e vlerësova shumë Memorandumin e Mirëkuptimit që u arrit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në çështjen e inspektimeve, por mbi të gjitha, vlerësova shumë miratimin që u bë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kritereve për transferimin e gjyqtarëve nga njëra gjykatë në gjykatën tjetër, në mënyrë të tillë që gjatë procesit të transferimit, gjyqtarët jo vetëm të mos e ndiejnë veten të kërcënuar nga askush në këto procese, por çdo veprim të bëhet vetëm mbi bazën e këtyre kritereve që tashmë u draftuan me asistencën e Misionit EURALIUS, por tashmë u miratuan dhe janë pranuar në mënyrë pozitive nga i gjithë komuniteti i gjyqtarëve. Pra, në konkluzion mund të themi që, nëse ne arrijmë të konsolidojmë procedura të qarta, transparente dhe të standardizuara, kjo është garancia më e madhe që mund të japë çdo individ, qoftë ai dhe Presidenti i Republikës.
Dakord, por ideja jonë, që t’i biem shumë shkurt, zoti Nishani, a ka ndonjë afat kohor të përcaktuar për të, le të themi në kuadër të progres-raportit, rekomandimit të pritshëm që presim neve nga Komisioni për marrjen e statusit kandidat, a keni dhënë ndonjë premtim që, për shembull, kjo gjë, këto kërkesa do kryhen, do bëhen, sepse, përveç gjyqësorit, pjesës së gjyqësorit dhe imuniteteve që votohen sot, a pati çështje të tjera të ngritura nga Komisioneri për këtë gjë, në kuadër të statusit?
Pa diskutim. Natyrisht që baza e diskutimit për të gjitha arritjet do të bëhet mbi bazën e Plan Veprimit i cili ka pasur dhe në kohë të përcaktuar të gjitha arritjet.