Sërish fitore e thellë e Berishës - votohet heqja e imunitetit

Pas 10 vitesh përpjekje, Kuvendi ka votuar dje me një mazhorancë të thellë prej 130 votash heqjen e imunitetit edhe me konsensusin e opozitës. Propozimi i Sali Berishës ka siguruar mbështetjen popullore dhe atë ndërkombëtare, duke zbrapsur llogoren antievropiane të deputetëve të Edi Ramës, të cilët u detyruan ta votojnë propozimin, edhe pse ishin të bindur se ishin turpëruar faqe gjithë shqiptarëve
Heqja e imunitetit me votë unanime në Kuvend pa dyshim që është një fitore e klasës politike, po aq sa është një fitore e mazhorancës së Partisë Demokratike. Kjo për disa arsye, tejet konkrete dhe të njohura nga opinioni publik që prej vitit 2003, kur opozita e asaj (mazhoranca e sotme) kohe insistonte për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjithnjë haste në barrikadën e murit që mbronte korrupsionin e qeverisjes socialiste. Kërkesë e cila gjithsesi, do i rikthehej aktualitetit politik shqiptar pas vitit 2005 kur në pushtet do të vinte Partia Demokratike e Sali Berishës. As tentativat e 2007-ës, 2008-ës dhe 2009-ës s’do merrnin aprovimin e pakicës parlamentare të kryesuar nga Edi Rama, edhe pse në doktrinën politike të një opozite moderne, lufta kundër korrupsionit është arma e saj më e fortë kundër mazhorancave. Por kjo nuk vlen për një pakicë e cila në parlamentin shqiptar është më e madhe se asnjëherë më parë, por fatkeqësisht nuk vlen për asgjë, përveç rolit bllokues të cilin e instrumentalizon më së miri duke u bërë pengesë e proceseve të integrimit. Sot, pas 9 vjetësh Shqipëria është “pa imuniteti”. Zyrtarët e lartë të shtetit do jenë përballë përgjegjësisë së madhe për vendimet e marra. Si asnjëherë më parë, lufta kundër korrupsionit merr një dimension të ri dhe normalisht përqasja është drejt modeleve të mirëfillta evropiane për një shoqëri të barabartë përpara ligjit. Ky është edhe thelbi i përpjekjes shumëvjeçare të mazhorancës; “të gjithë përpara ligjit dhe jo më zyrtarë shtetërorë që i shohin burimet ekonomike të shtetit si çiflig privat”. Krahas insistimit të faktorit të brendshëm politik, për çështjen e imunitetit ka patur edhe një kërkesë të vazhdueshme nga kancelaritë perëndimore. Të gjithë zërat e diplomacisë evropiane dhe asaj amerikane për 9 vjet me radhë ranë në vesh të shurdhët pasi Partia Socialiste në opozitë mbeti po ajo e dikurshmja në qeveri. Dhe jo rastësisht 8 vitet e qeverisjes së vendit nga e majta, janë 8 vitet kur korrupsioni galopant gjallëroi në çdo dikaster të shtetit. Dhe asnjë prej titullarëve shtetërorë s’mbajti përgjegjësi për ryshfetet e marra dhe damkën e zezë që i faturuan aspiratave të Shqipërisë për t’iu afruar vendeve të BE-së. Në prag të publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian, Shqipëria ka realizuar një prej rekomandimeve kyçe të saj, ridimensionimin e luftës kundër korrupsionit dhe afrimin e vendit me BE-në. Prandaj, dita e djeshme vlen të klasifikohet në kalendarin e raportit mazhorancë – opozitë si fitore e së parës, pasi më në fund heqja e imunitetit është bërë një realitet falë votës unanime dhe maturisë së treguar nga PS që në rastin më të mirë pranoi humbjen.
Seanca, 130 vota “pro” heqjes së imunitetit
Jo pak por pas 9 vitesh përpjekje, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet me 130 vota “pro” dhe asnjë kundër projektligjin për heqjen e imunitetit për zyrtaret e lartë duke plotësuar një tjetër kërkesë të rëndësishme që do ta afrojë më tej Shqipërinë me vendimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat. Nisma vjen dhe si rezultat i përmbushjes së rekomandimeve ndërkombëtare dhe detyrimeve që vendi ynë ka marrë përsipër të realizojë në kuadër të integrimit në BE. Përmbajtja e amendamenteve të propozuara vjen pas konsultimeve të gjata dhe të specializuara me Misionin PACA, në fushën e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe Misionin Euralius në fushën e imunitetit të gjyqtarëve. Në seancën e 6 gushtit, Kuvendi nuk gjeti konsensus për miratimin e draftit të përbashkët për heqjen e imunitetit, pasi PS kërkoi që të shqyrtoheshin edhe propozimet e tjera që prekin ndryshimin e Kushtetutës, të propozuara prej saj dhe që lidheshin me reformën në disa institucione të drejtësisë.
Kuvendi votoi gjithashtu edhe ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive të paluajtshme. Ndërsa u shty për seancën e ardhshme miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, një tjetër rekomandim i rëndësishëm i Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidat.
Ambasadori Ettore Sequi: Kur politika bashkëpunon, rezultatet janë domethënëse
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi deklaroi dje se miratimi në Kuvend i ligjit që amendon nenet kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve, është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. “Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjerë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian” - u shpreh Sequi. Ambasadori i BE-së theksoi se konsensusi i arritur në parlament për ligjin e imunitetit, duhet të vazhdojë me realizimin e paketës së integrimit, apo e quajtur ndryshe si “masa kritike”, përpara publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian. “Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë i inkurajoj të gjitha forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian që vlerëson përparimin e Shqipërisë” - tha më tej Sequi.
Ambasadori Arvizu: Progresi të vazhdojë me rregulloren e parlamentit dhe Gjykatën e Lartë
Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Aleksandër Arvizu vlerësoi miratimin në Kuvend të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në një njoftim për shtyp nga ambasada e SHBA-së në Tiranë mirëpret arritjen nga Kuvendi të konsensusit për të miratuar amendamentet kushtetuese. “Kuvendi ka në fuqinë e tij mundësinë për të ndikuar progres-raportin e Komisionit Evropian duke gjetur marrëveshje të mëtejshme lidhur me një masë kritike reformash, përfshirë rregulloren e parlamentit si dhe ligjin për Gjykatën e Lartë” - thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
OSBE: Të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji”, tha Wollfarth. “Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”. “Gjithashtu, ftoj për debate dhe konsultime të plota dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë proces”- tha ai.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
“Politika tregoi maturi, hap i rëndësishëm për integrimin evropian”
Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga Brukseli, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, përshëndet votimin në Parlament dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve. Sipas kreut të shtetit, heqja e imunitetit është një dëshmi e qartë për forcimin e parimit themelor për barazi para ligjit. “Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve. Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë”- u shpreh Nishani. Sikurse, tha Presidenti i Republikës, është edhe një maturi e klasës politike për të përmbushur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. “Përmes këtij akti, klasa jonë politike dëshmoi maturi, përgjegjësi dhe aftësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit Evropian të Shqipërisë.
Angazhimi i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës në këtë proces evidentoi qartë përgjegjshmërinë dhe vlerat e konsensusit në çështje të rëndësishme për interesat e vendit. Duke i përgëzuar edhe njëherë parlamentarët shqiptarë për këtë akt të përgjegjshëm, dëshiroj t’i nxis dhe t’i inkurajoj ata të vijojnë bashkëpunimin në kryerjen e reformave të domosdoshme përmes dialogut politik dhe konsensusit të nevojshëm” - deklaroi në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Kuvendi rrëzon nismën e PS-së, për ndryshimet kushtetuese
Kuvendi rrëzoi të martën me 63 vota kundër, 60 vota “pro” dhe 6 abstenime nismën ligjore të Partisë Socialiste për disa ndryshime kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të cilësuar. Pas një debati disa orësh në parlament socialistët e mbrojtën nismën e tyre kushtetuese duke argumentuar se qëllimi i saj është pavarësia e gjyqësorit nga politika dhe rritja e integritetit të gjyqtarëve.
Mazhoranca nga ana e saj e kundërshtoi nismën e opozitës, e cila sipas saj synon të vendosë një “pakicë bllokuese”.