E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i jep Azemit, Urdhrin Gjergj Kastrioti

TIRANË- Urdhri “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, dhënë pas vdekjes Azem Hajdarit, udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, e “Pishtarit të Demokracisë”, ka mbledhur sërish bashkë dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjithçka në këtë ceremoni të organizuar nga Presidenca ka qenë protokollare, një trokitje gotash e me pas përshëndetje miqësore me familjarët e të ndjerit Azem Hajdari. Në ceremoninë solemne të mbajtur dje Pallatin e Brigadave, pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore”, presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të Azem Hajdarit, Urdhrin e lartë, së bashku me dekretin përkatës. Në emër të familjes Hajdari, përshëndeti bashkëshortja, znj.Fatmira Hajdari. Azem Hajdari ishte një ndër politikanët më aktivë të Partisë Demokratike. Ai u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit të viti 1998, pak metra larg selisë blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›