E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mbi Portugalinë

Një fitore 3-0 ndaj Maltës bëri që skuadra përfaqësuese shqiptare ta ngjallë edhe më shumë ëndrrën për të shkuar në Afrikën e Jugut më 2010.

TIRANË – Një fitore 3-0 ndaj Maltës bëri që skuadra përfaqësuese shqiptare ta ngjallë edhe më shumë ëndrrën për të shkuar në Afrikën e Jugut më 2010. Janë fjalë të parakohshme, është e qartë, por me 4 pikë në dy ndeshje matematikisht gjithçka mund të arrihet. Nëse largojmë nga mendja Shqipërinë e papërqëndruar dhe pa përvojë të viteve më parë dhe mendojmë vetëm për grupin riosh dhe të guximshëm që ka në duar Ari Hani. Me trashëgimi edhe të Oto Bariçit.

Malta e pësoi në “Qemal Stafa” nga golat e Erion Bogdanit (45’+1), Klodian Duros (84’) dhe Armend Dallkut (90’), duke u mëshiruar në disa raste të tjerë nga Duro (dy herë), Hyka apo Berisha. Skuadra mike premtoi para ndeshjes se “do të bëjmë Shqipërinë” (atë ndaj Suedisë) dhe për 45’ ia arriti qëllimit, por jo më shumë. Ashtu si ndaj Portugalisë (krahasim pak si shumë i ekzagjeruar), maltezët u rrëzuan në pjesën e dytë.

Trajneri holandez duket sikur gaboi diçka në fillim të takimit duke e lënë vetëm Skelën në qendër të mesfushës pa përvojën e Lorik Canës, duke iu druajtur ndonjë katastrofe nbë mbrojtje. Pas krijimit të vështirë të golit të parë, zhvendosja e Canës në rolin e tij ndryshoi tërësisht lojën e vendasve, duke sjellë rastet dhe golat.

Në dukje është një fitore e radhës, pasi Malta është mundur tri herë radhazi (1-0, 2-0, 3-0), por të mos harrojmë, gjithnjë në miqësore. Kurrë në një ndeshje zyrtare eliminatore, aq më shumë pas një barazimi shumë shpresëdhënës si ai ndaj Suedisë. Shqipëria pritej të jepte një provë pjekurie dhe ajo e dha.

Kritikat e drejtpërdrejta të trajnerit, përvoja e gabimeve të së kaluarës dhe rritja e personalitetit të futbollistëve shqiptarë nëpër klubet e tyre (kujtoni Canën, Beqajn, Dallkun, Currin, Duron, Berishën, Salihin, Lalën, Skelën) bëri të mundur këtë hop cilësor të kuqezinjve.

Le të mos mendohet një kualifikim për në Botëror, por një konkurrencë e vërtetë me skuadrat e tjera, ndoshta edhe me Portugalinë. Kjo do të ishte tregues i vërtetë i statusit të ri që meriton skuadra shqiptare. Në fund të fundit, jemi gdhirë të parët në grupin tonë eleminator.

Shqipëri-Maltë 3-0

Shqipëria: Beqaj, Dallku, Curri, Cana, Agolli, Lala, Duro (Berisha 86’), E. Bulku (Beqiri 56’), Skela, Hyka, Bogdani (Salihi 72’). Tr. Han

Malta: Haber, Brifa, Shueber, Etien (Frendo 46’), Dimek, Agius (Sherri 86’, Pejs, Bajada, Samut, Skembri, Mifsut. Tr. Ficel

Shënues: 1-0 Bogdani 45’+1, 2-0 Duro 84’, 3-0 Dallku 90’

Të verdha: Beqiri, Cana, Dallku, Bajada; Shikues: 10 000; Gjyqtarë: Shërgenhofer, Berojtjer, Buh (Austri)

Thanë dhe u shprehën

Ari Han: Një fitore e vështirë

“Ishte një fitore e rëndësishme dhe krejtësisht e merituar, por njëkohësisht shumë e vështirë. Patëm probleme me formacionin, ndërsa kundërshtari, siç e prisnim luajti shumë mirë taktikisht”.

Bogdani: Një sukses i merituar

“Jam i lumtur për këtë fitore sepse, ndonëse ndaj Maltës, nuk ishte e lehtë. Suksesi u arrit pas një loje të mirë dhe kjo është më shumë e rëndësishme. Ndeshjet e ardhshme ndaj Hungarisë dhe Portugalisë? Të mos mendojmë një herë për to, por për dy ndeshjet e mira që kemi zhvilluar”.

Duro: Kemi mësuar nga gabimet

“Gjëja më e rëndësishme është që kaq shumë tifozë shqiptarë janë të lumtur. Ne jemi shumë të lumtur gjithashtu që ata janë kënaqur nga loja dhe fitorja. Ndonëse ndaj Maltës, fitorja nuk ishte e lehtë, sepse në ndeshje të tilla shpesh kemi gabuar. Por kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe sot jemi skuadër më e mirë. Përsa i përket golit, jam i kënaqur, por nuk ka rëndësi kush shënon, por rezultati”.

Grupi 1

Skuadra           N  F  B  H  Gol  P

1. Portugalia     2  2  0  0  5-0  6

2. Shqipëria      2  1  1  0  3-0  4

3. Suedia          2  1  1  0  2-1  4

4. Hungaria       2  0  1  1  1-2  1

5. Danimarka    2  0  1  1  0-1  1

6. Malta           2  0  0  2  0-7  0

Ndeshjet

Suedi-Hungari  2-1

Shqipëri-Maltë 3-0

Portugali-Danimarkë     1-0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›