E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i deputetit, PD fton PS-në për bisedime

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi tha se imuniteti i deputetit pengon luftën kundër korrupsionit

TIRANË- Partia Demokratike kërkon kompromisin e partive politike, veçanërisht partisë më të madhe në opozitë, PS-së, për draftin që ka si qëllim kufizimin e imunitetit të deputetit. Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ftoi dje PS-në përmes një konference për shtyp që të ulen në një tryezë, pa humbur kohë, për draftin e imunitetit të deputetit. "Ky vend më shumë se kushdo tjetër e ka të nevojshme të heqë këtë barrierë të lartë që jo vetëm i bën hije, por edhe e pengon në mënyrë thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet të ulemi bashkë dhe pa humbur kohë të ndahemi me ligj nga koraca e panevojshme e imunitetit”,- tha dje Patozi në një prononcim për shtyp. Kryetari i grupit parlamentar shtoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur që të japë gjithë kontributin në funksion të këtij qëllimi, që sipas tij, nuk duhet të jetë vetëm i një partie të vetme. Në këto kushte, kryetari i grupit parlamentar demokrat vlerësoi edhe qëndrimin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, në një intervistë për një të përditshme shqiptare, i cili e vlerësonte ketë lëvizje si një hap kyç në luftën kundër korrupsionit. "Ne si grup parlamentar e konsiderojmë një inkurajim për klasën politike shqiptare, e cila duhet të dalë mbi paragjykimet dhe ndasitë e momentit dhe t’i japë vendit një kulturë të re të sjelljes dhe vendosjes së zyrtarëve para ligjit", -shtoi ai. Drafti për kufizimin e imunitetit të deputetit është përfshirë në axhendën e punës dymujore të Kuvendit. Kufizimi i imunitetit, sipas draftit të paraqitur nga Partia Demokratike, nuk e zhvesh plotësisht deputetin nga imuniteti, duke e ruajtur privilegjin. Në nenin 4, të projektit, theksohet se, “kufizimi i imunitetit, sipas nenit 1, të këtij ligji, nuk i shtrin efektet mbi masat dhe veprimet procedurale të mëposhtme: masa shtrënguese që shkaktojnë kufizim të lirisë së lëvizjes; kontrollin e personit; kontrollin e banesës ose të zyrës së deputetit; këqyrjen e personit; masën e arrestit; dërgimin e çështjes penale për gjykim”. Nisma e paraqitur kërkon dhe ndryshimin e Kushtetutës dhe rrjedhimisht një shumicë të cilësuar votash pro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›