E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i kerkon Prokurorise te nise hetimet per shantazh nga mazhoranca e re

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimet ndaj shantazheve që i bëhen nga ana e mazhorancës së re qeverisëse.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës në internet, kreu i shtetit shkruan se përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit te Republikës, për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike. Presidenti i quan keto shpifje të neveritshme dhe të përsëritura dhe deklaron se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.
Në këto rrethana Nishani, i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i propozuar për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë qe ai e quan te padenjë, kundër Kreut të Shtetit.
Në deklaratë theksohet se, ky akt shpifjeje eshte nje sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik qe synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës.
Presidenti Nishani, kërkon nga cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të Drejtësisë.
Në deklaratë thuhet se institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare.
Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›