E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri në Egjipt, betohet sot Mohamed Mursi

Presidenti i zgjedhur i Egjiptit, Mohamed Mursi përshëndeti turmën e njerëzve të mbledhur në sheshin Tahrir të Kajros, vatra e protestave që përmbysën Hosni Mubarakun, duke thënë se revolucioni duhet të vazhdojë deri në përmbushjen e të gjithë objektivave të tij.

Deklarata e të parit Kryetar Shteti civil të vendit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, erdhi në vigjiljen e ceremonisë së tij të betimit.

Mursi edhe një herë u zotua të jetë një president për të gjithë egjiptianët.

“Jeni ju burimi i çdo autoriteti dhe legjitimiteti. Zotohem të mos shpërdoroj pushtetin që më jepet si president, por të jem një kryetar i denjë shteti për të gjithë ju”, tha Mohamed Mursi, President i zgjedhur i Egjiptit.

Me këto fjalë, 61 vjeçari bëri praktikisht një betim simbolik përpara njerëzve që protestonin ndaj sundimit ushtarak të vendit, ndërsa ceremonia e vërtetë do të mbahet të shtunën përpara Gjykatës Kushtetuese.

Vëllazëria myslimane, në emër të së cilës Mursi kandidoi në zgjedhje, kish deklaruar më parë se betimi do të bëhej përpara parlamentit, por ky i fundit u shpërbë javën e kaluar nga Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura.

Disa vëzhgues thonë se kjo mosmarrëveshje mund të jetë faza e parë e një lufte për pushtet mes Vëllazërisë Myslimane dhe ushtarakëve në Egjipt.

Asambleja e zgjedhur në muajin nëntor, dominohej nga islamiket e mbështetur prej partisë për liri dhe drejtësi. Relatat qe do të vendosë me këshillin ushtarak do të jenë sprova kryesore për presidentin e ri.

Këshilli ka deklaruar se do t`ia kalojë atij frerët e pushtetit në fund të muajit, por nuk dihet sa do ta mbajë vërtet këtë premtim. Nga raportet në media, mësohet se kreu i këtij organizimi, mareshali Husein Tantavi do të mbetet Ministër Mbrojtje. Mursi po përpiqet sakaq të davarisë frikën se do ta përdore presidencën për të vendosur ligjin islamik, e për këtë arsye, planifikon të caktojë si zëvendëspresidente një grua dhe një të krishterë kopt.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›