Presidenti i zgjedhur Barak Obama shpalli ekipin e tij ekonomik
Presidenti i zgjedhur Barak Obama bëri publik ekipin e tij ekonomik. Kandidaturat e emëruara sot ishin përgjegjëse për planin ekonomik të rimëkëmbjes që synon krijimin e miliona vendeve të reja të punës. Emërimi i ekipit ekonomik bëhet afro dy muaj para se sa administrata e re të fillojë detyrën dhe zoti Obama ka thënë se një paketë stimujsh ekonomikë do të jetë përparësia e tij e parë si president.
Emrat e ekipit të ri ekonomik kanë disa ditë që kanë qarkulluar në media.
"Gejtner dhe Samers, janë dy emra të mëdhenj. Nuk bëhet më mirë,"tha ndihmësi i zotit Obama, Ostin Golsbi.
Timothi Gejtner, president i Rezevës Federale të Nju Jorkut është zgjedhur për postin e Sekretarit të Thesarit dhe ish Sekretari i Thesarit, Lleri Samers për të drejtuar Këshillin Kombëtar Ekonomik.
Ata do të zbatojnë planin 2 vjeçar të shpallur këtë javë nga zoti Obama, që synon krijimin e 2,5 milionë vendeve të punës deri në vitin 2011.
"Plani është i madh për të përballuar sfidat e sotme dhe unë do ta miratoj me shpejtësi,"tha zoti Obama.
Por sa i madh është plani, ndihmësit nuk e thonë. Por ata shtojnë se do të jetë shumë më i madh se 175 miliardë dollarët që zoti Obama përmendi në muajin tetor.
"Do të jetë një shifër e madhe me shumë zero,"tha ndihmësi Golsbi.
Senatori demorkat, Çarls Shumër, tha dje në një intervistë se shifra duhet të jetë e krahasueshme me 700 miliardë dollarët e miratuara nga Presidenti Bush.
"Duhet të jetë diku midis 500 dhe 700 miliardë dollarëve,"tha ai.
Këto nisma nuk janë parë që nga koha e depresionit dhe po quhet Marrëveshja e Re e Obamës, për analogji me programin e Frenklin Ruzveltit për sigurimet sociale.
"Detyra kryesore është të kthejmë njerëzit në punë,"kishte thënë presidenti Ruzvelt.
E njejta dëgjohet sot në fjalimit e zotit Obama.
"Ne do t'i kthejmë njerëzit në punë për të ndërtuar rrugët dhe urat,"ka thënë ai.
"Duket sikur zoti Obama e ka marrë këtë fragment nga fjalimi përures i presidentit Ruzvelt. Ngjashmëritë janë të mëdha,"thotë historiani Robert Dallek.
Plani i zotit Obama mund të jetë i madh. Por ekonomia mund të humbasë edhe 1 milionë vende pune deri në janar. Ekonomisti Nobelist Pol Krugman paralajmëron që presidenti i ri duhet të veprojë me shpejtësi për të shmangur vitin 1930.
"Ne nuk kemi lypsa në rrugë që kërkojnë qindarka. Ne kemi ekzekutivë me kostume që po kërkojnë në Kongres 25 miliardë dollarë”.
Sipas analistëve kriza ekonomike mund ta detyrojë presidentin e ri të shtyjnë planin për ngritjen e taksave për të pasurit. Dhe sipas këshilltarëve të tij, disa ndihmës po i propozojnë presidentit të zgjedhur të mos i anulojë shkurtimet e taksave të miratuarta nga Presidenti Bush. (ze)