E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti kinez vizitë në Kubë

Pekin (start)- Presidenti kinez, Hu Jintao ka mbërritur në Kubë për një vizitë dyditore për të mbështetur marrëdhëniet e mëtejshme ekonomike me ishullin, që po përpiqet të marrë veten nga tre uraganet dhe efektet e krizës financiare globale.

Sapo Hu zbriti në Kubë televizioni kuban njoftoi se dy vendet kishin nënshkruar marrëveshjet në mënyrë që Kina të vazhdojë të blejë nikelin dhe sheqerin nga Kuba dhe të sigurojë prodhime bujqësore për vendin e Karaibeve.Kuba e cilësoi si një tregues të marrëdhënieve të ngushta midis dy vendeve komuniste.

Hu, i cili po bën udhëtimin e tij të dytë në Kubë, u përshëndet në aeroportin e Havanës nga zëvendëspresidenti i parë, Jose Ramon Machado Ventura dhe afro 50 anëtarë të komunitetit lokal kinez të cilët valëvisnin flamuj kubanë dhe kinezë.

"Vizita ime ka si synim rritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy kombeve tona dhe të punojmë së bashku me shokët tanë kubanë për të ndërtuar një të ardhme premtuese", deklaroi Hu.

Hu shprehu "dëshirën e tij të sinqertë që populli kuban të bëjë përparime të vazhdueshme në ndërtimin e socializmit".

Kina është partnerja më madhe tregtare e Kubës pas Venezuelës me 2.3 miliardë dollarë në vitin 2007 dhe po kërkon ta rrisë këtë shifër. Gjiganti aziatik blen aktualisht afro 400 000 tonë sheqer në vit nga Kuba dhe vlerësohet se merr afro gjysmën e prodhimit vjetor të nikelit të Kubës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›