E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Meta-Berisha poshtëruan popullin'

Z. Gjinushi, KQZ-ja ende nuk ka shpallur rezultatin zyrtar dhe përfundimtar të zgjedhjeve, megjithatë, duket qartë se e majta nuk arriti atë qëllim për të cilin dhe u fut në zgjedhje, pra, për të larguar qeverisjen Berisha dhe aplikimin e një projekti të ri për evropianizimin e vendit. Pse nuk u arrit ky qëllim?


Gjithnjë kërkohet humbja tek e majta, por, së pari duhet të them se ka humbur e djathta. Pra, qeveria, me një rezultat të tillë, padyshim është humbësja kryesore, pasi ka humbur një herë standardet zgjedhore, që është gjëja më e rëndësishme, pasi është matësi kryesor për ecurinë e rrugës integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.


Për këtë arsye, i gjithë opinioni publik i majtë dhe i djathtë, duhet t'i kërkojë arsyet e këtij dështimi tek Berisha, i cili edhe këtë detyrim, që i kishin vënë, nuk e kreu.


Së dyti, edhe me shifra, Berisha i ka humbur zgjedhjet, sepse nuk i ka marrë 71 vende, pasi qeveria është gjithmonë e favorizuar dhe kur del barazim, ajo ka humbur, pasi konsiderohet një barazim në fushën tende. Dhe po të ndiqen rregullat e futbollit, barazimi në fushën tënde është një fitore për kundërshtarin.


Pra, një qeveri në kushte të tilla, duhet të pranojë humbjen dhe të mos dalë në treg për të blerë deputetë dhe për të prodhuar mazhoranca korruptive.


Tjetra pastaj është se zgjedhjet nuk janë të tilla, që të pranohet barazimi, pasi shkalla e deformimit dhe manipulimit është përsëri mjaft e ndjeshme. Së pari, në këto zgjedhje kishim 300 mijë vetë pa mjete të nevojshme identifikimi për të votuar dhe është e çuditshme që ky problem nuk ngrihet.


Problemi tjetër është se media ka qenë super e kontrolluar dhe e monopolizuar dhe, për çudi, monitorimet bëjnë dallimet pozitë opozitë, por harrojnë të shohin dhe raportin midis partive.


Natyrisht kjo cenon demokracinë, pasi nuk u lë mundësi partive të vogla, që të shpalosin alternativat e tyre. Këtë radhë manipulimi u bë edhe nëpërmjet sondazheve, që kaluan deri në nivele të turpshme, për të arritur kulmin me exit polet, që kaluan dhe deri në tentativat për konflikte civile, pasi dhanë tendenca krejtësisht të shpërfytyruara.


Së fundi, kemi dhe problemet e vetë sistemit, siç është rasti i votimit me karta të shumëfishta, çka ka rritur në mënyrë të pashpjegueshme pjesëmarrjen e votuesve në Tiranë dhe Durrës, në nivelet 27 deri në 35 për qind, ndërkohë që në rang Shqipërie del se mesatarja është 10 për qind.


Pra, kjo tregon qartë se në mënyrë manipuluese është goditur Tirana dhe Durrësi. Pra, Berisha ka punuar duke rritur në mënyrë fiktive numrin e votuesve vetëm në 4 qarqet e mesit të Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.


Me pak manovrim ai arriti të barazojë Elbasanin dhe Korçën dhe ka godit rëndë Tiranën dhe Durrësin, duke e kthyer Tiranën në favorin e vet. Pra, kjo flet për një manipulim për procesit zgjedhor, pa hyrë më pas në teknikat e tij, në numërimin e votave. Në këtë proces, KQZ-ja e shfaqi veten si një institucion kamikaz dhe është bërë më militante edhe se vetë Majlinda Bregu.


Ju ia faturuat të gjitha përgjegjësitë e humbjes të së majtës, qeverisë, e cila në fund të fundit ishte në garë për ta mundur atë. Po vetë e majta, a ka përgjegjësi për këtë rezultat jo të plotë, sa për të siguruar mazhorancën qeverisëse?


E gjitha sa thamë më lart dihej ose pritej. Pra, ne ishim të përgatitur, të paktën si PSD dhe për këtë kemi paralajmëruar dhe i kemi shtruar gjithnjë pyetjen PS-së, se, a mund të fitohej me Berishën në një sistem proporcional.


Natyrisht, rezultati për të majtën do të varej më së shumti nga ndarja e rajoneve, nga shkalla e manipulimit, si dhe nga shkalla optimizmit të së majtës, pra sesa grupi kryesor i së majtës do të ishte kooperues mes vetë aleatëve dhe nga shkalla e përkujdesjes së qëllimit që kishte LSI-ja në këto zgjedhje, pra nëse ajo kishte thjesht një ambicie kryeministrore apo donte humbjen e së majtës.


Në rast se çështjet e para ishin jashtë vullnetit të saj, ajo që i mbetej së majtës për të menaxhuar, ishte optimizmi i së majtës dhe përkujdesja ndaj qëllimit të LSI-së.


Dhe në këto dy pika, mendoj se PS-ja gaboi sërish, ashtu si edhe në zgjedhjet e 2001-shit dhe 2005-ës, duke menduar se do të fitonte vetëm, pa aleatët, duke i parë ata si diçka që duhen sfumuar. Gabimi i dytë është që e majta është e shitur, pasi shumë vetë e kanë përdorur të majtën vetëm për vete.


Këtë e pamë që në zgjedhjet e 2007-ës, ku dhe ish-kryetari i PS-së del në krah të Berishës, e kur ishte bërë gati skenari i hyrjes në ato zgjedhje i së djathtës me LSI-në, duke kërkuar të zëvendësojë opozitën kryesore.


LSI-ja, në vend të një bashkëpunimi, zgjodhi të rrinte më vete për të pasur duart e lira dhe faktet që kemi tani, tregojnë qartë se ata punuan për Berishën.


Brenda së majtës, edhe ju si PSD keni marrë rezultatet më të dobëta në gjithë këto vite ekzistence si forcë politike. Çfarë nuk shkoi?


PSD-ja është partia më e dëmtuar dhe këtu duket qartë, po t'i referohemi numrit total të votave, që ka marrë secila forcë. Kështu, PBDNJ-ja dhe PDI-ja kanë marrë mandate edhe me vetëm 14 mijë vota në rang republike, apo edhe PR-ja. Ndërsa PSD-ja është e vetmja forcë që ka marrë 30 mijë vota, ekuivalente me 3 mandate, dhe që sot nuk zotëron asnjë mandat.


Megjithatë, për çdo rezultat të dobët, çdo forcë duhet të bëjë rezultatet e veta dhe po t'i krahasojmë diferencat me të tjerët, nuk janë afruar, por janë thelluar, pasi të tjerët kanë marrë nga 10 mijë vota e poshtë. Vetë fakti që ne s'kemi marrë mandate, tregon se kjo ka ardhur për shkak të shtypjes së jashtme sesa të përgjegjësisë së brendshme.


Ju vetë personalisht mbani përgjegjësi për këtë rezultat të partisë tuaj?


Unë e thashë që këtu kanë ndikuar një sërë faktorësh të jashtëm, që kanë të bëjnë me trysninë dhe censurimin total që iu bë partive të vogla nëpërmjet sondazheve hipokrite, duke u thënë votuesve se partitë e tjera nuk ekzistojnë.


Atëherë, si mund të votohesh kur elektorati dëgjonte çdo natë se partitë e tjera janë zhdukur. Ndërkohë, fushatat janë bërë me para të madhe dhe PSD-ja, nga ana financiare, nuk e përballonte dot. Aleati, në vend që të të mbështetë, të lufton dhe kjo quhet pabesi.


Gjithashtu, është edhe përgjegjësia jonë, por unë kam pasur përshtypjen se organizimi ynë ka qenë më i mirë se herët e tjera. Në të gjitha qarqet është punuar relativisht maksimalisht, por fakti që prapë shiten, kërkon një reflektim të plotë dhe për të cilin unë do të flas më vonë.


Këto zgjedhje prodhuan një realitet të atillë, ku LSI-ja, një forcë e deklaruar deri më parë majtas, gjeti kushtet e nevojshme për të kaluar si forcë bashkëqeverisëse me PD-në.


Si do ta vlerësoni ju një lëvizje të tillë dhe a është kjo një hakmarrje për të majtën?


Që LSI-ja të bënte një lëvizje të tillë, për ne nuk është e papritur. Ka qenë një dyshim i vazhdueshëm, pasi Meta, që në vitin 1998 i dha dorën Berishës, në 2005-ën shkaktoi humbjen e së majtës dhe kalimin e saj në opozitë, për shkak të inateve dhe divergjencave me Nanon, është Meta që në 2007-ën, në zgjedhjet lokale, sabotoi fitoren që pati e majta për të kapur standardet, pa kaluar më pas tek këshillat bashkiakë.


Pra, këtu vërtetohet ajo që ne kemi shprehur para disa muajve, që LSI-ja ishte thjesht një lojë e Saliut me Ilirin dhe nuk ishte fraksion i së majtës. Në rast se LSI-ja doli si forcë, si pasojë e divergjencave me Nanon, me largimin e këtij të fundit, ajo duhet të ishte bashkuar sërish me PS-në.


Por kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por arriti që të gjejë gjuhën me Nanon dhe të bëjë një luftë antiRama. Pra, këtu del qartë se LSI-ja ka pasur gjithmonë si qëllim që PS-ja të kalojë nga humbja në humbje, në mënyrë që Meta të kishte hapësirë të rritej në kurriz të një të majte të shkatërruar.


Alibia e divergjencave me Nanon nuk mund të shërbejë për të justifikuar këtë qëndrim, sepse këtë e dëgjuam edhe me Nanon në vitin 2005 dhe këtë e dëgjojmë me Ramën tani. Divergjencat që ai ka pasur me Ramën nuk mund të krahasohen kurrë me divergjencat dhe mospajtimin që ai kishte me Berishën.


Por, mbi të gjitha, këtu nuk duhet harruar një gjë, se lëvizjet që bën një parti, qoftë e majtë apo e djathtë, duke kaluar nga një krah në një tjetër, veçanërisht pas zgjedhjeve, nuk është një marrëdhënie me grupin, por është një marrëdhënie me votuesin, një marrëdhënie me moralin politik dhe me vetë themelet e demokracisë.


Thonë se në demokraci vendos sovrani, thonë se një herë në katër vjet sovrani përcakton se kush do ta qeverisë.


Shqipërisë iu ofruan dy alternativa: 1) alternativa e Berishës dhe 2) ajo e PS-së dhe aleatëve të saj dhe një fraksion i saj. Pas zgjedhjeve, shqiptarët vendosën barazim në mandate, megjithëse në votë populli votoi rrugën e dytë.


Në këtë moment, njëra forcë i thotë sovranit se, megjithëse ju vendosët barazim, unë i marr mandatet që ju më dhatë dhe nga e majta i kaloj djathtas, pra për rrjedhojë, i thuhet elektoratit se ju votuat kot, pasi ndryshe votuat ju dhe ndryshe vendosa unë.


Pra, 80 mijë qytetarë e votuan Metën për të ndryshuar këtë qeveri, ndërsa ai, për të nxjerrë vendin nga kriza, bëhet me krizën, për të luftuar llumin, bëhet me atë që e ka prodhuar atë. Nuk ka tallje më të madhe me shqiptarët, ky është një poshtërim popullor dhe vota s'vlen më asnjë lek.


Mund të funksionojë një qeveri e tillë?


Kjo qeveri mund të funksionojë vetëm për të vjedhur më tej. Këtu nuk bëhet fjalë për dosje imagjinare, por dosje zyrtare të KLSH-së, prokurorisë etj., që rrinë dhe presin drejtësinë.


Pra, rrjedhimisht, kjo qeveri do të funksionojë vetëm për të mbuluar korrupsionin e bërë dhe për të shpërndarë korrupsion, madje unë do të thosha se arsyeja pse është bërë, është që të mbulojë shpenzimet e fushatës.


Pra, oferta e parë që është bërë, ka pasur të bëjë me mbulimin e shpenzimeve të fushatës, mbulimi i gjithë dëmit ekonomik që ka pësuar LSI-ja nga tre fushata rresht dhe që, rrjedhimisht, ka filluar të dalë me bilanc negativ.


Pra, kjo është një qeveri që nuk ka legjitimet, pasi është një qeveri e liderishipit dhe jo i elektoratit. LSI-ja nuk ka mandat për të bërë këtë dhe çdo votë që i është dhënë asaj, ka qenë kundër kësaj qeverie. Për këtë arsye, kjo qeveri nuk do jetë jetëgjate. Aq më tepër që janë bërë bashkë dy pazarxhinjtë më të mëdhenj, një i së "majtës" dhe një i së "djathtës".


A ka më moral LSI-ja, pas kësaj që bëri, të quhet një forcë e majtë?


Nëse lidershitësi i LSI-së do të quhet ende i majtë, atëherë edhe Saliu i bie që të quhet i majtë, aq më tepër që pretendojnë se kanë të njëjtin program, të njëjtat interesa.

Rezultati


Dhe po të ndiqen rregullat e futbollit, barazimi në fushën tënde është një fitore për kundërshtarin. Pra, një qeveri në kushte të tilla, duhet të pranojë humbjen dhe të mos dalë në treg për të blerë deputetë dhe për të prodhuar mazhoranca korruptive


Manipulimi


Kemi dhe problemet e vetë sistemit, siç është rasti i votimit me karta të shumëfishta, çka ka rritur në mënyrë të pashpjegueshme pjesëmarrjen e votuesve në Tiranë dhe Durrës, në nivelet 27 deri në 35 për qind, ndërkohë që në rang Shqipërie, del se mesatarja është 10 për qind. Pra, kjo tregon qartë se, në mënyrë manipuluese, është goditur Tirana dhe Durrësi


Qeveria Meta-Berisha


Kjo qeveri do të funksionojë vetëm për të mbuluar korrupsionin e bërë dhe për të shpërndarë korrupsion, madje unë do të thosha se arsyeja pse është bërë, është që të mbulojë shpenzimet e fushatës.


Pra, oferta e parë që është bërë, ka pasur të bëjë me mbulimin e shpenzimeve të fushatës, mbulimi i gjithë dëmit ekonomik që ka pësuar LSI-ja nga tre fushata rresht dhe që, rrjedhimisht, ka filluar të dalë me bilanc negativ. Pra, kjo është një qeveri që nuk ka legjitimet, pasi është një qeveri e liderishipit dhe jo e elektoratit



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›