Presidenti, ku ndryshon Berisha i 2007 nga ai i sotmi

Përqafimi Berisha-Topi, pas zgjedhjes së këtij të fundin President me 85 vota
Kryeministri, Sali Berisha duke folur nga qyteti i Vlorës për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, ka deklaruar se ka nxjerr mësime nga procesi i vitit 2007. Nuk dihet nëse një vlerësim i tillë vjen për shkak të konfliktit me Bamir Topin apo për shkak të zgjedhjes president të një figure të PD-së. Kjo e fundit vështirë të besohet për shkak se vetëm pak ditë më parë Berisha mbështeste idenë se president duhet të zgjidhej një figurë qendrore e PD-së.
U nxorën mësime nga praktikat e shkuara. Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja e presidentit të republikës ka qenë absolutisht e padenje sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin fortunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në atë proces dhe që kemi marrë pjesë edhe në procesin tjetër e kemi ndjerë veten të turpëruar nga ajo procedurë aspak dinjitoze dhe njeriu kur gabon nxjerr mësime dhe nuk përsërit të njëjtin gabim. Cili ishte procesi këtë vit? Këtë vit situata është tjetër dhe mësimet janë nxjerrë, tha Berisha nga Vlora.
Por çfarë ka thënë pesë vjet më parë për Bamir Topin dhe procesin e zgjedhjes së presidentit. Pesë vjet më parë ai e cilësonte Topin kandidaturën më të shkëlqyer. Unë personalisht nuk njoh një politikan që mund të ketë konsensus më të gjerë se zoti Bamir Topi.
Berisha ka ndryshuar në këtë aspekte por ka disa çështje të tjera për të cilat ai mban një qëndrim thuajse identike me ato të vitit 2007.
Fjalë e Berishës në Kuvend 7 korrik 2007
Një numër personalitetesh të jetës politike të vendit shpallën publikisht dëshirën e tyre për të garuar për karrigen më të lartë të shtetit. Këta janë ish-kryeministra, kryetarë parlamentesh, kryetar partish, ministra, kryetar grupesh parlamentare, por dhe jo pak të tjerë jashtë parlamentit. Është mëse normale që qytetarët të dinë paraprakisht kush janë pretendentët e karriges më të lartë të vendit, dhe kjo garë e civilizuar bëri që në popullatë të krijoheshin opinionet përkatëse për secilin kandidat.
Unë kam mbështetur zotin Bamir Topi me gjithë forcën time, me bindjen më të thellë se ai mëshiron cilësitë më të mira për këtë post. Pas kësaj bindje në mënyrë absolute nuk do të mbështesja asnjeri.
Natyrisht votat janë vota dhe kjo shumicë nuk i ka votat e mjaftueshme për të folur me vullnetin e saj për president dhe në këtë kontekst ishte evidente që presidenti do të dilte nga një kompromis. Në mënyrë konstante jam shprehur se jemi për president konsensual, që nënkupton se as nuk imponojmë dhe as nuk pranojmë të na imponohen kandidatë. Ky është rregulli i konsensusit, por këtë frymë nuk e gjetëm nga krahu tjetër. Nga pala tjetër u vunë kushte të padrejta. Nuk mund të vihen kushte për propozimet. Nëse palët konsiderohen të barabarta, propozimi është një e drejtë e patjetërsueshme. U kërkua që mazhoranca të mos propozonte një njeri që është pjesë e saj. Kjo është e papranueshme.
Por, unë absolutisht nuk mund të bëj takim për takim, sepse kjo në mënyrë absolute nuk do të rregullonte asgjë, por do të prishte punë. Unë jam i gatshëm të takohem me zotin Rama. Nëse ai nuk ka ndërmjetësin e duhur le t`i bëjë propozimet në një zarf të mbyllur dhe t`ia kthej në të njëjtën mënyrë. Por, unë nuk mund të takohem për të zvarritur procesin. Në rast se kryetari i opozitës është kaq obsesiv sa nuk gjen njeri t`ia besojë të mi japë dhe mua t`i studioj emrat dhe pastaj të takohemi . Nuk mund të shkoj në një takim ku nuk dihet se çfarë do diskutojmë.
Ne propozuam organizimin e një tryeze të partive parlamentare. Kryetari i Partisë Socialiste ishte dakord por përsëri kërkonte një takim kokë më kokë vetëm dy minuta. Gjëra të tilla nuk më kanë ndodhur kurrë. Kam një eksperiencë politike të brendshme dhe të jashtme. Një gjë e tillë nuk më ka ndodhur në asnjë rast. Ne propozuam të krijojmë formatin me nga dy parti përfaqësuese të koalicioneve, por përsëri u kërkua takimi kokë më kokë. Unë jam një institucion, jam Kryeministër i një vendi, jam kryetar i një partie dhe drejtuesi i një koalicioni.