E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti nuk bën dallim mes kriminelit dhe viktimës

Në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar të hënën u përkujtua 20-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela. Për herë të parë pas shumë kohësh u bashkuan të gjitha shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, në nderim jo vetëm Havziut, por edhe poetëve të tjerë të vrarë barbarisht nga regjimi komunist. Të rrëqethej mishi, kur folës të ndryshëm kujtuan se kriminelët që çuan në varr këta poetë të fjalës së lirë dhe që nuk pranuan kompromiset me regjimin komunist, janë akoma të lirë dhe në poste të rëndësishme zyrtare. Disa prej tyre, të dekoruar dhe nga presidenti i tanishëm.

Presidenti i Republikës i kishte përcjellë kësaj mbledhjeje përkujtimore një përshëndetje që u lexua nga një i dërguar i tij. Më bëri përshtypje në fjalën e tij fjalia “Poetët nuk mund të varen”.

Në një podium të veçantë, nuk kishte oratorë dhe kryetarë partish e kryetarë shoqatash, por 12 tufa me lule me emrat e 12 poetëve të vrarë nga diktatura, si dhe 12 qirinj të ndezur. Në të dy anët e Havziut ishin Vilsoni dhe Genci dhe dukej sikur i thoshin atij se “edhe prokurori ynë është një person, i cili ishte prokuror dhe është akoma prokuror, por dhe që është dekoruar nga ky president që ka dërguar këtë letër përkujtimore për ty”.

E dhimbshme, por e vërtetë.

Ky president, që me gojën e këshilltarit të tij bërtet se “Poetët nuk mund të varen”, pak javë më parë ka dekoruar ekzekutorin e të dy poetëve që rrinin krah për krah me Havziun. Absurditet, por e vërtetë.

Zoti president, ose dekoro këta martirë të demokracisë me titullin më të lartë që ka Shqipëria dhe çdekoro Fehmi Abdiun, Fatmira Laskën, Skënder Brecën dhe shokët e tyre kriminelë, ose tërhiqe letrën e dërguar në përkujtimin e Havzi Nelës!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›