E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti rikthen në Kuvend ligjin për akcizat

14/04/2011  Sipas Topit, ndryshimi i bërë bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së

“Rrezikohet një trajtim diskriminues për biznesin dhe prodhuesit vendas”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e propozuar nga qeveria dhe të miratuar nga Kuvendi “Për akcizat”. Zyra e shtypit të Presidencës ka publikuar një deklaratë, me anë të së cilës shprehet se Presidenti Topi u kujton deputetëve të Kuvendit se ndryshimi i bërë në ligjin ekzistues bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së. “Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, dhe shtojcës bashkëlidhur këtij ligji. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.07.2006 ‘Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare’. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës”, - thuhet në deklaratën e Presidentit të Republikës. Më tej Topi thekson se një miratim i tij do të dëmtonte ndjeshëm ekonominë e vendit, çka do të përbënte një diskriminim të prodhimit vendas. “Sipas gjykimit tim, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike, që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por dhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lire”, - thuhet në deklaratën e Presidentit. Sipas Topit, “ndryshimet e shpejta përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt”. Më pas Presidenti shton se “ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase mund të sjell dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’u shkaktojë këtyre të fundit humbjen e vendit të punës”, - përfundon deklarata e Bamir Topit.

Opozita për akcizat

Miratimi i ndryshimeve në ligjin e ri “Për akcizat”, që synon rritjen e elementëve të sigurisë së produkteve, është kundërshtuar nga opozita, e cila ka kërkuar që ndryshimet të mos miratohen. Sipas opozitës, ndryshimet janë bërë referuar kontratës koncensionare të miratuar nga Ministria e Financave pak kohë më parë, ndërsa ajo nuk është dekretuar ende nga Presidenti. Pavarësisht kërkesës, mazhoranca miratoi e vetme ndryshimet pa praninë e opozitës.

Mazhoranca

Sipas mazhorancës, ndryshimet në ligj synojnë përmirësimin e tregut. Ndryshimet parashikojnë vendosjen e një kodi sigurie për sa i takon prodhimit të birrës në vend dhe jo një pulle fiskale. Kjo përfshin ato biznese që prodhojnë mbi 500 mijë shishe birre në vit. Projektligji parashikon që prodhuesit apo importuesit e këtyre mallrave duhet të parapaguajnë pullat fiskale që do të dërgohen nga koncesionari. Me aplikimin e akcizave të reja Ministria e Financave synon të rritë me 4 miliardë lekë të ardhurat në arkën e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›