E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti turk Gyl, sot vizitë në Tiranë

I ftuar nga presidenti shqiptar Bamir Topi, të enjten mbërrin për një vizitë dy ditore në Tiranë presidenti turk Abdulla Gyl.

Vizita e zotit Gyl në Shqipëri është e katërta e një presidenti turk që nga viti 1993, kohë kur i ndjeri Turgut Ozal u bë presidenti i parë turk që vizitonte vendin ballkanik që sapo kishte lënë pas diktaturën komuniste dhe kishte nisur rrugën e transformimeve demokratike dhe ekonomisë së tregut. Që nga ajo kohë të gjithë presidentët e të dy vendeve kanë shkëmbyer vizita intensive në Ankara dhe Tiranë.

Vizita e zotit Gyl, shihet si një konfirmim i marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë prej kohësh midis Shqipërisë dhe Turqisë. Ato cilësohen të tilla në planin politik, ekonomik, ushtarak, arsimor dhe kulturor.

Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë veçanërisht në fushën ekonomike. Kapitali turk zë vendin e tretë përsa i përket investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe vëllimit të eksport-importit.

Prej vitesh biznesi turk është i pranishëm në Shqipëri me firma të tilla si Albtelekom, Eagle Mobile, BKT, Kurum dhe Enka.

Gjatë vizitës së presidentit turk Abdulla Gyl pritet t'i jepet një shtytje e mëtejshme bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet zhvillimit të forumit të biznesit shqiptaro-turk.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›