E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berishës: Sulmin ndaj nesh e ke të kotë

TIRANË- Kryetari i Bashkisë Edi Rama i ka bërë apel kreut të qeverisë se e ka të kotë sulmin barbar ndaj bashkisë së Tiranës.
"Për t'i ikur të vërtetës së kutive të mbyllura, Sali Berisha ka vënë në shënjestër Bashkinë e Tiranës dhe e ka përshkallëzuar dje sulmin barbar, me një tjetër goditje kriminale, ndaj një tjetër prone private. E ka përsëri të kotë!"- ka thënë Rama gjatë një konference për shtyp nga bashkia e kryeqytetit.

Më poshtë fjala e kreut të bashkisë së Tiranë, Edi Rama:

Nuk i ikën dot hijes së krimit elektoral që e persekuton çdo natë dhe e hedh çdo ditë në sulmin e tij të dëshpëruar, të dëmshëm, të turpshëm, ashtu siç nuk do t'i iki dot, herët a vonë, përballjes me paditë e kallëzimet që po regjistrohen përditë në gjykatat e në Prokurinë e këtij vendi.

Për të mbuluar gropën e madhe të korrupsionit ku ka rënë pushteti i tij familjar, Sali Berisha i është rikthyer armës së tij të vjetër, dosjeve të fabrikuara të korrupsionit të kundërshtarit dhe po shpërdoron turpshëm shtetin e Policinë e Shtetit, për të vënë në jetë një sulm barbar antikushtetues, antiligjor, antidemokratik, madje edhe antinjerëzor, me qëllim manipulimin e opinionit publik.

E ka fare të kotë!
Shpifjet e fyerjet e tij, sado të zhurmshme dhe të përsëritura në dhjetra gojë ministrash e oborrtarësh të pacipë, për të lënë gjurmë në mendjen e njerëzve, nuk e mbulojnë dot gropën ku ka rënë ky pushtet i korruptuar, të cilin s'ka dhunë policore që e nxjerr dot më nga gropa, ashtu siç nuk ka gjë që e nxjerr vetë Sali Berishën pa lagur, nga gjyqet e panumërta, ku një ditë do të jetë i detyruar të provojë përpara gjykatësve akuzat e tij ose të paguajë për pavërtetësinë e tyre, pa llogaritur këtu gjyqin që populli do t'i bëjë sidoqoftë me vote, këtij njeriu që i ka dalë duarsh edhe vetvetes.


Për të spostuar vëmendjen nga kutitë e mbyllura të krimit elektoral, nga llogaria e hapur me publikun shqiptar për tërmetin e korrupsionit e të mashtrimit elektoral në tunelin e Kalimashit, nga të dhënat përditë e më rrënqethëse që lidhin qartësisht interesat ekonomike të familjes së tij me qeverisjen e vendit, Sali Berisha ka hapur një luftë primitive frontale, duke vënë në shënjestër edhe pushtetin vendor opozitar e duke asgjësuar çdo ditë Autonominë Vendore, ku të mundet, si të mundet, sa të mundet.


E ka më të kotë se kurdoherë!


Ne, të zgjedhurit vendorë të opozitës, na ka përballë më të vendosur se kurrë. I shkreti Sali mendon se do t'ia hedhë, duke bërë sikur nuk i dëgjon shqetësimet tona të mëdha dhe në anë tjetër, duke inskenuar shfaqje të poshtra si ajo e djeshmja, ku kujton se i tregon dhëmbët kundërshtarëve përmes agresionit banditesk, ndaj një prone e sipërmarrjeje private, po ku në fakt tregon panikun alarmant që e ka mbërthyer dhe e shtyn në sjellje e veprime të dëshpëruara.


Njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara!


I them sot gjoja Kryeministrit të Shqipërisë: "Hap kutitë ose largohu" dhe harroje se në emër të një lufte politike, që për të fshehur qëllimin e ke quajtur me tamtame "kundër mafias", do të mund të mbijetosh në një pushtet që sillet e vepron si vetë mafia me interesat e me sipërmarrjen e lirë të këtij vendi.


Këto sulme mesjetare, të papërfytyrueshme, në mes të Europës së vitit 2009, nxjerrin përditë e më në pah fytyrën e këtij pushteti të vjedhur e të falimentuar, të cilit i ka mbetur vetëm të hajë vetveten, mu ashtu siç po bën përditë, duke kafshuar me tërbim të vërtetën, Kushtetutën, ligjin dhe qytetarë të lirë e të pafajshëm të këtij vendi".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›