Vuçiq iu premton ndihmë shqiptarëve

Aleksander Vucic është shprehur i habitur me pakënaqësitë dhe ankesat e përfaqësuesve politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Zëvendëskryeministri serb ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për një mori problemesh të shqiptarëve, ndërsa spektrit politik shqiptar i ka premtuar se shpejtë do e vizitojë Luginën. Kështu i ka thënë Indeksonline, Ragmi Mustafa, Kryetar i Komunës së Preshevës.
“Ishte takimi i parë në nivel vendi. Ishim spektri më i madh polik i Luginës së Preshevës. I kemi paraqitur të gjitha shqetësimet dhe problemet tona. Ai disa nga problemet i ka ditur. Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë takimet, të vije edhe në Luginë të Preshevës. Disa nga problemet tha se nuk i ka ditur. Pra, ai shprehu vetë gatishmërinë që të ketë dhe takime tjera. Biseduam edhe për papunësinë e krizën ekonomike”, tha Mustafa.
Sipas Mustafës, numri dy i qeverisë serbe dhe kryetar i Partisë më të madhe të Serbisë, asaj Përparimtare, ka krijuar përshtypjen te liderët shqiptarë si i gatshëm për bashkëpunim.
Përfaqësuesit e Luginës i kanë kërkuar reciprocitet zëvendëskryeministrit serb, përkitazi me statusin e serbëve në Veri të Mitrovicës. E, zyrtari serbë është shprehur i gatshëm që të debatojë edhe më tej me shqiptarët e Luginës për të gjetur një kompromis.
Kreu i Luginës së Preshevës, tha se gjënë e parë që kërkuan nga Qeveria e Serbisë ishte respektimi i të drejtave të shqiptarëve të Luginës, njëlloj me ato të serbëve të Kosovës.
“Ne gjënë e parë qe kërkuam, ishte respektimi për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, po aq sa kanë përfituar edhe Serbët në Veri të Kosovës”.
Ndryshe, takimi i sotëm mes Qeverisë së Serbisë dhe Liderë të Luginës, është bërë me ftesë të Qeverisë serbe.
Në takim kanë marrë pjesë kryetari i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve Galip Beqiri, Shaip Kamberi, anëtar i këshillit bashkiak të Bujavocit, kryetari i kësaj komune Nagib Arifi dhe kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, dhe deputeti Riza Halimi./Indeksonline/