Presidentja Osmani cakton 12 tetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale

Më 12 tetor do të mbahen zgjedhjet lokalë në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se vendimi për përcaktimin e datës 12 tetor, si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, vjen pas konsultimeve me partitë politike dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore. Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidencës.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen me përgjegjësi të plotë në këtë proces, me qëllim garantimin e një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.
Presidentja Osmani nisi disa ditë më parë konsultimet me subjektet zgjedhore për zgjedhjet vendore.
Albulena Haxhiu, e cila përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje propozoi në këtë takim datën 5, 12 ose 19 tetor. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se partia e tij propozoi datat 12 ose 19 tetor për zgjedhjet lokale, ndërsa AAK-ja propozoi 12 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, Faton Peci, bashkëkryetar i partisë “Guxo” dhe Mimoza Kusari-Lila, që drejton “Alternativën”. Ftesën e presidentes e pranuan gjithashtu kreu i Nismës, Fatmir Limaj dhe përfaqësues të partive nga komunitetet në Kosovë, por jo Lista Serbe.
/rtsh.al/